Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, dhe tek Ai pendohemi. I lutemi Allahut të na ruaj prej të keqes të punëve dhe veteve tona! Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat e shpirtit tonë dhe veprave tona të liga. Atë që e udhëzon Allahu, nuk ka kush që e devijon, dhe atë që e devijon Allahu, nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Cili është Një dhe nuk ka ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi ﷺ është rob dhe i dërguari i Allahut.
”O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” Al-Imran, 3:102
”O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” En-Nisa, 4:1
“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë mëkatet. Kush i bindet Allahut dhe të dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” El-Ahzab, 33:70-71
Fjalët më të mira janë fjalët e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit ﷺ, gjërat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo gjë e shpikur është bidat, çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje është në zjarr.
O ju vëllezër të nderuar! Ne jemi mbledhur në këtë natë, në natën e premte, në të cilën e lus Allahun -e Lartësuar- që ta bekojë këtë natë, t’i bekojë ata që po e përjetojnë këtë natë dhe ta bekojë atë që ne do të themi në këtë natë. Jemi mbledhur për një çështje madhështore, e si mos të jetë e tillë kur kur bëhet fjalë për familjen. Familja në raport me shoqërinë është sikurse zemra në raport me trupin, nëse zemra është e shëndosh, i tërë trupi do të jetë i shëndosh, dhe nëse zemra është e sëmurë, do të sëmuret edhe pjesa tjetër e trupit. E njëjta vlen edhe për familjen, nëse ajo është e shëndoshë, i tërë qyteti do të jetë i shëndoshë, dhe nëse familja është e sëmurë, atëherë i tërë qyteti do të jetë i sëmurë. Si të mos jetë kjo çështje shumë e rëndësishme kur çështja ka të bëjë me qëndrueshmërinë e njeriut.
Nëse zemra dhe jeta e njeriut janë të qëndrueshme, atëherë edhe adhurimi i tij do të jetë i tillë, do ta ketë frikë (Allahun) në namazin e tij, do të jetë i zellshëm në agjërimin e tij dhe rrugët drejtë adhurimit do të bëhen të shndritshme.
E si të mos jetë primare ligjërimi i kësaj teme nga nxënësit e dijes pasi që kjo temë është e rëndësishme për burrin, gruan, të riun, të renë, djalin, vajzën, për ata që sapo janë martuar dhe për ata që po planifikojnë që të martohen.
Me fjalë të tjera. Kjo temë është e rëndësishme për tërë shoqërinë sepse është miratuar nga libri i Zotit tonë dhe nga sunneti i të dërguarit tonë ﷺ.
Feja jonë Islame është fe e mëshirës për gjitha krijesat. është fe e mirësisë, e lumturisë, e shpëtimit dhe e drejtësisë. Kjo fe ka sjellë atë që iu bën dobi njerëzve në të dy botët dhe në çdo kohë dhe vend.
Njerëzimi nuk do të gjejë lumturi vetëm se me fenë e njeriut më të mirë, me fenë e Muhammedit ﷺ. Në çdo gjë që ka urdhëruar Allahu -i Lartësuar- do të gjesh dobi, përfitime dhe gjëra të mira të cilat nuk mund të numërohen, kurse në çdo gjë që Allahu ka ndaluar, do të gjesh dëme të cilat nuk mund të numërohen.
Vërtet, Islami i ka kushtuar rëndësi çdo aspekti të jetës. Nuk ka asnjë aspekt nga aspektet e jetës tënde, o musliman, vetëm se Islami e ka shpjeguar dhe qartësuar atë. Prej tyre është rëndësia e madhe që i ka dhënë Islami përmirësimit dhe bashkimit të shoqërisë. Pasi që përmirësimi i shoqërisë është i lidhur me përmirësimin e familjes dhe bashkimi i shoqërisë është rezultat i bashkimit të familjes, gjithashtu edhe lumturia e familjes është e lidhur me martesën, prandaj edhe Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe çështjes së martesës.
Allahu -i Lartësuar- në librin e Tij ka urdhëruar për martesë:
”Martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e nëse frikësoheni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua.” En-Nisa, 4:3
Këtë e ka urdhëruar edhe i dashuri, i besueshmi ﷺ, kur iu drejtua të rinjve:
”O ju të rinj! Kush prej jush ka mundësi le të martohet sepse martesa ndihmon në uljen e shikimit dhe ruajtjen e nderit.”
Transmeton Bukhari (5066) dhe Muslimi (1400).