Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Konsensusi i muslimanëve se Allahu është mbi arsh

Imam Muveffekud-Din bin Kudameh el-Makdisi  (v. 620)

Burimi: Ithbatu Sifat-il-Uluv, fq. 63

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut. Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, dhe tek Ai pendohemi. I lutemi Allahut të na ruaj prej të keqes të punëve dhe veteve tona! Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga të këqijat e shpirtit tonë dhe veprave tona të liga. Atë që e udhëzon Allahu, nuk ka kush që e devijon, dhe atë që e devijon Allahu, nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, i Cili është Një dhe nuk ka ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Allahut.

Vërtet Allahu (te ala) e ka përshkruar veten e Tij me cilësinë e të qenurit lart mbi qiell, dhe të njëjtën gjë pohoi edhe Muhammedi ﷺ, profeti i fundit. Të gjithë dijetarët në mesin e sahabëve të devotshëm dhe imamët në mesin e fukahave kanë rënë dakord rreth kësaj. Transmetimet mbi këtë temë janë aq të shumta saqë jemi të bindur për këtë. Allahu (te ala) i ka bashkuar zemrat e muslimanëve rreth kësaj dhe ky besim është ngulitur dhe rrënjosur thellë në natyrën e të gjitha krijesave. Do t’i shikosh ata se si në rast vështirësie shikojnë lart dhe i drejtojnë lutjet dhe duart e tyre drejt qiellit. Ata presin që Zoti i tyre t’i shpëtojë dhe të sjellë lehtësimin për ta dhe këtë gjë e thonë vetë me gojën e tyre. Kjo gjë mohohet vetëm nga bidatçiu i devijuar dhe fanatiku i verbër që e pason atë në devijimin e tij.

Në lidhje me këtë, unë do të përmend në disa pjesë transmetimet që më kanë ardhur nga i dërguari i Allahut ﷺ, nga shokët e tij dhe nga imamët e mëparshëm, transmetime të cilat të japin besueshmëri dhe bindje të plotë. Dije se ka transmetime në rrugë të shumta prej tyre (në mënyrë teuatur) sa që besimtari kur i lexon dhe i kushton vëmendje atyre, i shtohet imani në zemrën e tij dhe njëkohësisht përkujtohet ai që i është fshehur kjo çështje derisa të bëhet e qartë për të sikur ta dëshmojë me sytë e tij dhe të jetë kapja e tij pas sunnetit, me argumente dhe dëshmi bindëse.

Shpërndaje: