Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdil-Muhsin el-Abbad
Burimi: Ashru Uasaja lil-Uikajah min-el-Uaba, fq. 3-5
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Falënderimet i takojnë Allahut i Cili i përgjigjet personit në vështirësi kur ai i lutet Atij, i ndihmon të pikëlluarit kur i lutet Atij, largon të keqen dhe lehtëson vështirësitë. Asnjë zemër nuk jeton pa përkujtimin e Tij, asgjë nuk ndodh pa lejen e Tij, nuk mund të shpëtohet nga e keqja përveçse me mëshirën e Tij, asgjë nuk ruhet pa mbrojtjen e Tij, asgjë e dëshirueshme nuk arrihet pa lehtësimin e Tij dhe asnjë lumturi nuk arrihet pa bindjen ndaj Tij.
Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë përveç Allahut të vetëm, Ai nuk ka asnjë ortak, Zoti i botëve, Zoti i të parëve dhe të fundit, Mbajtësi i qiejve dhe i tokës. Dhe unë dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, dhe se ai u dërgua me Librin e qartë dhe rrugën e drejtë. Selamet dhe salavatet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
Në vijim do përmendim disa porosi të dobishme, me anë të të cilave përkujtojmë lidhur me frikën e njerëzve në këto ditë, nga epidemia që quhet korona. Ne i lutemi Allahut (azze ue xhel) që të na e largojë ne dhe të gjithë muslimanëve çdo të keqe dhe bela, kudo që janë ata, të na e largojë vështirësinë dhe të na ruaj ne të gjithëve me atë që Ai i ruan robërit e Tij të devotshëm, Ai pa dyshim është Fuqiplotë për këtë.
1 – Lutja që duhet thënë para se të zbresë belaja
Uthman bin Afani (radijAllahu anhu) tregon se e kishte dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
بِسْمِ اللهِ الَّذِي لاَ يَضُرُّ مَعَ اسْمِهِ شَيء في الأرْضِ وَلاَ في السَّمَاءِ وَهُوَ السَّمِيعُ العَلِيمُ
“Ai që thotë tri herë: “Kërkoj ndihmë me emrin e Allahut, me përmendjen e të Cilit nuk të dëmton asgjë në tokë dhe as në qiell! Dhe Ai është Dëgjuesi dhe i Gjithëdituri.” nuk do ta godas e papritura e asnjë të keqeje derisa të gdhihet, ndërsa kush e thotë këtë tre herë kur të gdhihet, nuk do ta godas e papritura e asnjë të keqeje derisa të ngryset.” 1
1 Ebu Daudi dhe të tjerët.