Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Pikëllimi është i pa vlerë

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Në lidhje me pikëllimin gjatë fatkeqësive apo gjatë ndonjë sprove, as Allahu -te ala- e as i dërguari i Tij ﷺ nuk e kanë urdhëruar pikëllimin. Përkundrazi Allahu e ka ndaluar këtë veprim në librin e Tij edhe nëse kjo ka të bëjë me çështjet e fesë. Megjithatë, në këtë të fundit ekziston pikëllim i lavdërueshëm dhe i dënueshëm. Shembull i këtij janë fjalët e Allahut -te ala-:

“Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni sepse ju gjithsesi jeni më të lartët nëse jeni besimtarë të vërtetë.” Ali Imran, 3:139

Gjithashtu fjalët e Allahut në ajetin tjetër:

“Dhe mos u pikëllo për ta e mos u ngushto për shkak të dredhive të tyre!” En-Nahl, 16:127

Allahu -te ala- ka thënë në lidhje me profetin e Tij, Muhamedin ﷺ dhe Ebu Bekrin: 

“… e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Et-Teube, 9:40

Allahu -te ala- gjithashtu ka thënë:

“Mos u dëshpëro nga fjalët e tyre!” Jasin, 36:76

Në Kuran janë shumë ajete të tilla.

E gjithë kjo për shkak se pikëllimi nuk sjell asnjë dobi e as nuk shmang ndonjë të keqe. Prandaj pikëllimi është i padobishëm dhe se Allahu nuk urdhëron diçka që është e pavlefshme. Megjithatë, personi i brengosur nuk mëkaton përderisa pikëllimi nuk është i lidhur me ndonjë nga faktorët e ndaluar që kemi përmendur.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Vërtet, Allahu nuk ndëshkon për lotin e syrit dhe as për pikëllimin e zemrës, porse ndëshkon ose fal për këtë dhe bëri me shenjë drejt gjuhës së tij.”

Transmeton Muslimi (924) dhe Bukhari (1304).

Ky hadith dëshmon se pikëllimi nuk është mëkat përderisa nuk vepron diçka të ndaluar. Kjo mbështetet edhe nga fjalët e profetit ﷺ: 

“Syri loton, zemra pikëllohet, por nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë.”

Transmeton Bukhari (1303) dhe Muslimi (2315).

Malik bin Dinar ka thënë: “Nëse në zemrën e njeriut nuk ka pikëllim, ajo do të shkatërrohet ashtu siç shkatërrohet shtëpia e pabanuar.”

Abdullah bin Ahmed transmeton se Ibrahim bin Isa ka thënë: “Nuk kam parë askënd të pikëllohet aq gjatë sikurse Hasan El-Basriun. Sa herë e kam parë atë kam menduar se posa është goditur nga ndonjë fatkeqësi!”

Pastaj ai përmendi një thënie nga imam Maliku i cili ka thënë: “Për deri sa pikëllohesh në lidhje me këtë botë po aq të largohet nga zemra shqetësimi për çështje të ahiretit.”

Një tjetër provë se pikëllimi është i lejuar janë fjalët e Allahut -te ala-:

“U largua prej tyre dhe tha: “O i mjeri unë për Jusufin!” Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit dhe ishte plot zemërim.” Jusuf, 12:84

E gjithë kjo dëshmon se ai që pikëllohet nuk mëkaton. Është diçka e mirë që të qash pas vdekjes së dikujt dhe të pikëllohesh për të nga mëshira dhe përkujdesja ndaj tij. Kjo nuk bie në kundërshtim me durimin që duhet pasur dhe kënaqësinë me atë që Allahu e ka caktuar. Ndryshe nga të qarët dhe pikëllimi për interesa personale.

Përveç kësaj nëse të qarët shoqërohet me diçka të mirë për të cilën njeriu i pikëlluar shpërblehet për të, atëherë veprimi i tillë është i lavdërueshëm nga ky këndvështrim dhe jo për shkak të vetë pikëllimit. Njeriu i cili pikëllohet për fatkeqësinë në fenë e tij dhe për fatkeqësitë e muslimanëve në përgjithësi, shpërblehet për të mirën që ka në zemër dhe urrejtjen ndaj së keqes dhe pasojave të saj.

Por nëse pikëllimi e bënë njeriun që ta humbas durimin e patjetërsueshëm, luftën e obligueshme ndaj epshit apo mirësinë që Allahu i ka dhënë dhe të mos ketë mundësi ta largoj të keqen nga vetja e tij, në këtë rast pikëllimi është i ndaluar. Në këtë rast personi mëkaton për shkak të pikëllimit.

Nëse ajo për të cilën pikëllohesh nuk mund ta sjell atë që ke humbur, pikëllimi është i padobishëm. I mençuri e ruan veten e tij nga pikëllimi dhe sigurohet që të mos i sjell vetes pikëllim pas pikëllimi. Dije se kjo do të kalojë pas një kohe, dhe Allahu e di më së miri.

Shpërndaje: