Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

10.Mëkatet shkurtojnë jetën dhe ndalin furnizimin

Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr 
Burimi: Shpjegimi i librit “Sëmundja dhe ilaçi”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ibnul Kajimi (rahimehullah) ka thënë: Nga pasojat e këqija të mëkateve është që mëkatet e shkurtojnë jetën e personit dhe largojnë bereqetin e tij. Në të vërtetë, ashtu sikurse që mirësia zgjatë jetën e një njeriu, mëkatet e shkurtojnë jetën e tij.

Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë temë.

Një grup thanë: Shkurtimi i jetës së mëkatarit nënkupton largimin dhe çrrënjosjen e bereqetit të jetëgjatësisë së tij. Dhe kjo është e vërtetë. Dhe këto janë disa nga efektet e mëkateve.

Një grup tjetër thanë: Përkundrazi, ato në fakt shkurtojnë jetëgjatësinë ashtu sikurse pakësojnë furnizimin. Pra, Allahu (subhanehu ue te ala) bëri shumë shkaqe për të arritur bereqetin dhe rritjen e furnizimit dhe bëri shkaqe për të shtuar bereqetin dhe jetëgjatësinë.

Ata thonë: Nuk ka asnjë pengesë që parandalon zgjatjen ose shkurtimin e jetës nëpërmjet shkaqeve. Megjithatë, furnizimi, jeta, lumturia, mjerimi, shëndeti, sëmundja, bereqeti, varfëria edhe pse janë nga përcaktimi i Zotit (azze ue xhel) dhe Ai cakton atë që dëshiron duke vënë në vend shkaqet që do të shkaktonin që kjo të ndodhte.

Një grup tjetër dijetarësh thanë: Efektet e mëkateve në shkurtimin e jetës së njeriut janë në realitetin e zemrës sepse realiteti i jetës është jeta e zemrës. Për shkak të kësaj, Allahu (subhaneh) e quajti kafirin të vdekur, jo të gjallë. Ashtu siç tha Ai (te ala):

“(Ata – idhujt dhe të adhuruarit e tjerë janë) të vdekur, pa jetë.” 16:21

Në realitet, jeta e vërtetë është jeta e zemrës dhe jeta e njeriut është kohëzgjatja e jetës së zemrës. Pra, jetëgjatësia e tij është vetëm koha kur zemra e tij është në bindje ndaj Allahut. Këto janë orët e jetëgjatësisë së tij. Këto janë orët e jetëgjatësisë së tij. Prandaj, bamirësia, devotshmëria dhe bindja ndaj Allahut shtohen në këto kohëra, e që është realiteti i jetëgjatësisë së tij. Nuk ka jetëgjatësi për të përveç kësaj. Në mënyrë të përmbledhur, nëse robi largohet nga Allahu dhe është i preokupuar me mëkate, atëherë ai ka humbur ditët e jetës së tij të vërtetë që do të gjejë rezultatet e humbura në ditën kur do të thotë:

Ai do të thotë: “Ah, i gjori unë! Sikur të isha parapërgatitur për jetën time!” (89:24)

Ai ose do të ketë aspirata (synime dhe shpresa) për përfitimet e dynjasë dhe ahiretit, ose jo. Nëse ai nuk ka ndonjë aspiratë për këtë, atëherë ai e ka harxhuar tërë jetën e tij dhe jeta e tij ka shkuar kot. Nëse kjo është ajo që ai dëshironte, rruga do të bëhej e gjatë për të për shkak të pengesave dhe mjetet drejt të mirës do t’i vështirësoheshin atij në përputhje me atë se sa është i preokupuar me të kundërtën. Dhe ky është shkurtim i vërtetë nga jetëgjatësia e tij. Sekreti i kësaj çështjeje është se jeta e një personi është kohëzgjatja e jetës së tij. Dhe nuk ka jetë për të, përveç duke iu kushtuar Zotit të tij, duke gjetur kënaqësi në dashurinë ndaj Tij, duke e kujtuar Atë dhe duke i dhënë çdo përparësi kënaqësisë së Tij.

Shpjegimi

Autori (rahimehullah) e përmend këtë pasojë nga pasojat e këqija të mëkateve, që e zvogëlon jetën e tij dhe çrrënjos bereqetin në të. Nëse është rasti se bindja është shkak për bereqet në jetëgjatësi, furnizim të bollshëm, forcë në trup, atëherë mëkatet e bëjnë të kundërtën e kësaj. Mendoni për atë që sqaron kuptimin e asaj që Ibnul Kajimi (rahimehullah) përmend në thënien e profetit ﷺ:

“Kush dëshiron që t’i zgjatet jeta e tij dhe t’i shtohet furnizimi i tij, atëherë le të mbajë lidhjet farefisnore.”

Ky adhurim i dashur tek Allahu, mbajtja e lidhjeve farefisnore është shkak për një jetë të gjatë dhe shkak për furnizim të bollshëm.
Atëherë cila është e kundërta e saj?

Nëse ky është shkak për një jetë të gjatë dhe shkak për furnizim të bollshëm. E kundërta e tij është ndërprerja (e tyre). Po çfarë të thuhet për të kundërtën e saj?

“A do të bënit ju pabesi e të këqija në tokë dhe të cenonit lidhjet e afërsisë, po t’u jepej sundimi? Të këtillët janë ata të cilët Allahu i ka mallkuar, kështu që Ai i ka bërë ata të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin.” (47:22-23)

Nëse bindja zgjatë jetën dhe shkakton berqet në të dhe furnizim të bollshëm, forcë në trup dhe një jetë të rehatshme, të mirë dhe fisnike, atëherë mëkatet bëjnë të kundërtën. Shiko fjalët e Allahut (subhanehu ue te ala) në lidhje më këto dyjat:

“Kushdo që punon të drejtën e të mirën, qoftë burrë apo grua, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar dhe i kënaqur dhe furnizim e jetesë sipas ligjit të Allahut) dhe (në botën tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.” 16:97

“(Dhe kështu) Allahu sjell si shembullin e qytetit (Mekës) me banim të sigurt e të qetë, furnizimi i tij i vjen nga të gjitha vendet, por populli i tij i mohoi mirësitë e Allahut, kështu që Allahu i bëri ata të shijojnë uri të tmerrshme dhe frikë për shkak të asaj (poshtërsie) që ata bënë (duke mohuar të dërguarin Muhammed).” 16:112

Mëkatet rezultojnë në çrrënjosjen e bereqetit, sjelljen e ndëshkimeve dhe uljen e jetëgjatësisë. Bindja rezulton në të kundërtën. Rezulton në furnizim të bollshëm, bereqet në jetëgjatësi dhe një jetë të mirë, fisnike.

Ibnul Kajimi (rahimehullah) tha: Dijetarët kanë mendime të ndryshme lidhur me këtë temë.

Çfarë është për qëllim me thënien: Bindja është shkak për jetëgjatësinë dhe mëkatet janë shkak për shkurtim të jetëgjatësisë? Kështu që ai përmend tri mendime.

Një grup thanë: Shkurtimi i jetëgjatësisë së mëkatarit nënkupton largimin dhe çrrënjosjen e bereqetit të jetës së tij. Dhe se jetëgjatësia e tij, pa marrë parasysh nëse zgjatet në lidhje me kohëzgjatjen e kohës është një jetë e gjatë që nuk ka bereqet në të. Një jetëgjatësi që i është larguar bereqeti.

Pa dyshim, ashtu siç thotë Ibnul Kajimi (rahimehullah) se kjo, çrrënjosja e bereqetit gjatë jetëgjatësisë është nga efektet dhe pasojat e mëkateve.

Një grup tjetër thanë: Përkundrazi, ato në fakt shkurtojnë jetëgjatësinë ashtu sikurse pakësojnë furnizimin. Pra, Allahu (subhanehu ue te ala) bëri shumë shkaqe për të arritur bereqetin dhe rritjen e furnizimit dhe bëri shkaqe për të shtuar bereqetin dhe jetëgjatësinë.

Kjo vlen edhe për të kundërtën e saj në lidhje me mëkatet. Siç është rasti në lidhje me bindjen. Nëse rasti është që mëkatet janë të këqija për robin, me anë të disa shkaqeve që i sjellin atij të keqen, të tilla si dobësimi, mangësimi etj., nga efektet dhe pasojat e këqija, atëherë bindja është një shkak drejt të mirës. Allahu (subhanehu ue te ala) e ka bërë bindjen një shkak për çdo të mirë dhe mëkatet një shkak për çdo të keqe.

“Asnjë fatkeqësi nuk zbret përveç për shkak të mëkateve dhe nuk hiqet përveç nëpërmjet pendimit.”

Mëkatet janë shkak, ngjashëm me atë që tha Allahu:

“Për shkak të mëkateve të tyre ata u përmbytën.” 71:25

“Kësisoj Ne e shkatërruam secilin prej tyre për shkak të mëkatit të tij.” 29:40

Mendimi tjetër i tretë: Efektet e mëkateve në shkurtimin e jetës së njeriut janë në realitetin e zemrës sepse realiteti i jetës është jeta e zemrës.

Disa dijetarë e kanë interpretuar kuptimin e shkakut të zgjatjes së jetës, me adhurim dhe shkurtimin e jetës me mëkate, me atë se jeta reale është jeta e zemrës.

Pra koha gjatë së cilës zemra është e gjallë, kjo është jetëgjatësia e tij, sepse këtu është i zënë me jetën e vërtetë për të cilën ai u krijua. Nëse preokupohet me mëkate -Allahu na ruajt- ai ka dalë jashtë kësaj jete. Pra, jeta e tij bëhet e pavlerë, është e humbur. Edhe nëse ai jetoi gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë ose tetëdhjetë vjet nëse ai ishte i preokupuar me mëkate, atëherë ajo bëhet e pavlerë.

Pse është kështu? Sepse vlera e vërtetë e jetës është jeta e zemrës nëpërmjet bindjes ndaj Zotit (subhanehu ue te ala).

Nëse jeta e vërtetë e individit është vetëm nëpërmjet bindjes ndaj Allahut. SubhanAllah, kushtojini vëmendje kësaj, kjo jetë e vërtetë, efektet e saj nuk përfundojnë me vdekjen e robit. Përkundrazi, pas vdekjes së tij ajo që njerëzit e dijes e quajnë jeta e dytë. Jeta e tij nuk përfundon me vdekjen e tij. Përkundrazi, një jetë tjetër fillon pas vdekjes së tij. Ndërsa ai është i vdekur në varrin e tij, ai vazhdon të marrë shpërblime. Dhe sa e sa njerëz kanë vdekur për dhjetëra, qindra vjet dhe shpërblimet vazhdojnë t’u shkruhen atyre. Ngjashëm me atë që Allahu (subhanehu ue te ala) ka thënë në suren Jasin:

“Nuk ka dyshim se Ne u japim jetë të vdekurve dhe Ne shënojmë atë që ata dërgojnë para tyre, edhe gjurmët e tyre, edhe gjithçka që Ne kemi shënuar në llogari (si dëshmi) në librin e qartë.” 36:12

Gjurmët e tyre; kjo është pas vdekjes së personit nga gjurmët e veprave të tyre të mira që I shkruhen atij. Nëse keni menduar për imamët e dijes dhe thirrësit e së vërtetës nga ata që kanë vdekur për qindra vjet dhe njerëzit vazhdojnë të fitojnë të kuptuar nga veprat e tyre. Të gjitha këto janë shpërblime të vazhdueshme për ta. Prandaj, sa e sa njerëz janë në varret e tyre dhe ata vazhdojnë të marrin shpërblime çdo ditë?

Dhe sa e sa njerëz janë të gjallë, të shëndetshëm, duke ecur në tokë, duke ngrënë dhe duke pirë, ditët u kalojnë dhe nuk u shkruhen shpërblimet. Përkundrazi, mëkatet janë duke u shkruar për ta!

Shikoni dallimin mes dy jetëve. Jeta e dytë nëse një person është në varrin e tij dhe kjo sqaron kuptimin që Ibnul Kajimi e përmendi, dhe atë që ecën në tokë duke mëkatuar. Çfarë lloj jete është kjo?! Çfarë lloj jete është kjo, edhe nëse ai është krejtësisht i shëndetshëm, ka ushqim dhe forcë etj. Çfarë lloj jete është kjo nëse ai po ecën në këmbë ndërsa ditët ecin, netët dhe muajt kalojnë dhe nuk ka shpërblime për t’u shkruar për të. Përkundrazi, mëkatet po shkruhen për të?!

Shpërndaje: