Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Duhet ditur se besimi i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit nga sahabët dhe tebiinët është se secili që vdes me teuhid do të hyjë në xhenet, kjo është gjë e prerë në të gjitha rastet.
Njerëzit pa mëkate si fëmijët, të çmendurit që humbasin mendjen para pubertetit, njerëzit që pendohen sinqerisht për idhujtarinë apo mëkatet e tjera dhe pastaj nuk mëkatojnë pas pendimit, si dhe ai që rritet me adhurim dhe kurrë nuk mëkaton, hyjnë në xhenet pa hyrë fare në xhehenem. Megjithatë, ata do të kalojnë kah ai sipas mospajtimit të njohur në këtë çështje. Mendimi i saktë – in sha’a Allah – në lidhje me kalimin është se secili prej tyre do të kalojë mbi siratin e xhehenemit, të cilën disa dijetarë e thonë. Allahu na ruajt neve dhe juve nga të nxehtit dhe të ftohtit e tij!
Sa u përket mëkatarëve që vdesin pasi të kenë bërë mëkate të mëdha dhe nuk janë penduar për to, çështja është në dorën e Allahut se çfarë Ai do të bëjë me ta. Në qoftë se Ai dëshiron t’i dënojë ata, i dënon sipas mëkateve të tyre dhe pastaj i fut në xhenet. Dhe në qoftë se Ai dëshiron i fal ata plotësisht. Me fjalë të tjera çdokush që e ka adhuruar vetëm Allahun, nuk do të mbetet në xhehenem. Nuk ka rëndësi se çfarë mëkate ka bërë. Ky është inkurajimi më i mirë për atë të cilit i kanë vdekur të afërmit apo miqtë mëkatar dhe nuk e di nëse ata janë penduar apo jo.
Ebu Zekerijah En-Neueui -rahimehullah- ka thënë:
“Ka argumente nga Kurani, sunneti dhe konsensusi i njohur lidhur me këtë parim. Janë transmetuar tekste të shumta në fjalë me të cilat arrihet bindje e plotë për këtë.”
Ajo që mbështet këtë është hadithi autentik i transmetuar nga Uthmani -radijAllahu anhu- i cili rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush vdes duke e ditur (pranuar) se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut, do të hyjë në xhenet.”
Transmeton Muslimi (136).
El-Kadi Ijad ka thënë:
“Njerëzit kanë mendime të ndryshme në lidhje me muslimanët mëkatarë. Murxhiat thonë se ata nuk dëmtohen nga mëkatet nëse janë besimtarë. Khauarixhët thonë se ata me të vërtetë dëmtohen dhe se ata dalin nga feja. Mutezilitë thonë se ata do të mbeten në xhehenem në qoftë se bëjnë mëkate të mëdha dhe se ata nuk duhet të quhen besimtarë, e as kufarë por mëkatarë kundërshtues. Një grup i dijetarëve thonë se ai është besimtar edhe në qoftë se atij nuk i falen mëkatet dhe se ai do të dalë nga xhehenemi herët apo vonë dhe do të hyjë në xhenet.
Hadithi është argument kundër khauarixhëve dhe mutezilive. Ndërsa në lidhje me murxhiat, edhe në qoftë se ata argumentojnë me hadithin nga ana e dukshme, ne themi se ai duhet të interpretohet se mëkatari do të falet dhe do të lirohet nga xhehenemi dhe pastaj do të hyjë në xhenet përmes ndërmjetësimit. Nëse është kështu atëherë fjalët e profetit ﷺ: “do të hyjë në xhenet” do të thonë pasi që janë ndëshkuar. Hadithi duhet të kuptohet kështu sepse ka shumë argumente të dukshme që tregojnë se disa mëkatarë do të ndëshkohen.”