Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Dije se e keqja e kësaj jete është si një ëndërr apo një hije që largohet, edhe në qoftë se ajo të bën të qeshësh pak, ajo gjithashtu të bën të qashë shumë, edhe në qoftë se ajo bën dikë të gëzohet një ditë apo disa ditë, ajo gjithashtu e bën atë të ndihet keq për muaj dhe vite, edhe pse ajo jep pak, ajo mban më shumë, gjithë gëzimin që robi e përjeton mbulohet me pikëllime.
Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë: “Çdo gëzim ka një pikëllim, një shtëpi kurrë nuk është mbushur me gëzim pa u mbushur edhe me hidhërim.”
Ibn Sirini -rahimehullah- ka thënë: “Çdo e qeshur ka më pas të qarë.”
Vajza e Nu’manit ka thënë: “Një herë ne ishim populli më i fuqishëm dhe më i fortë, dhe pa perënduar dielli ende ne u bëmë populli më i degraduar. Është nga e drejta e Allahut -azze ue xhel- që të mos mbush një shtëpi me bojë pa e mbushur atë gjithashtu me mësime.”
Është transmetuar se Isai ﷺ ka thënë: “I mjeri ai që e kërkon këtë jetë! Si do të vdesë dhe ta lërë atë? Ai i beson asaj dhe ajo e mashtron atë. Ai ka besim në të dhe ajo e tradhton atë. Mjerë të mashtruarit! Ata janë refuzuar nga ajo që ata e urrejnë, dhe janë braktisur nga ajo që ata e duan. Atyre u erdhi ajo që u është premtuar. I mjeri ai preokupim i të cilit është kjo jetë dhe veprat e të cilit janë mëkatet! Si do të turpërohet nesër për mëkatet e tij?”
Ibn Ebid-Dunja transmetoi nga Uehb bin Munebih se Isai ﷺ ka thënë: “Unë po ju them të vërtetën. Ashtu sikurse personi i sëmurë që shikon në ushqimin e shijshëm por nuk kënaqet për shkak të dhimbjeve, ashtu edhe personi që kërkon këtë jetë nuk ndien asnjë kënaqësi në adhurim për shkak të dashurisë ndaj kësaj jete. Nëse shtaza nuk ngitet dhe nuk mësohet për t’i hipur do të jetë e vështirë për ta frenuar dhe ajo e ndryshon karakterin. Kështu është edhe zemra. Nëse ato nuk zbuten me kujtimin e vdekjes dhe adhurim të vazhdueshëm ato bëhen të ngurta dhe të vrazhda.”