Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

13.Dijetari mund ti’a qëllojë dhe të gabojë, por profeti është i mbrojtur nga gabimet (në fe)

Shejkh Muhammed bin Sultan el-Masumi (v. 1380)
Burimi: A është muslimani i detyruar që të pasojë një prej katër medhhebeve?
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Gjëja e çuditshme është se ata e dinë se një dijetar edhe ia qëllon edhe gabon, ndërsa profeti (salAllahu alejhi ue selem) është i mbrojtur nga gabimet. Megjithatë, çdo gjë që sillet rreth fjalëve të dijetarit ndërsa i lënë fjalët e profetit (salAllahu alejhi ue selem) mënjanë. Shembull i kësaj është besimi i disa ndjekësve injorant Hanefi për mendimin e el-Kajdanit se ndalohet lëvizja e gishtit gjatë teshehhudit, pavarësisht faktit se ky veprim është një Sunnet autentik nga i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem). Pos kësaj, kjo i takon praktikimit të gjithë sahabëve (radijAllahu anhum) dhe në përgjithësi të gjithë imamëve. Prej tyre janë Imam Ebu Hanife, Ebu Jusufi dhe Muhammedi (rahimehumullah). Kjo është theksuar qartë në librin ”el-Muata” të Muhammed bin el-Hasan esh-Shejbanit, në librin e Tahaviut ”Sherh Ma’ani lil-Athar”, ”Fet’hul-Kadir”, ”el-‘Inajeh”, ”Umdat- ul-Kari” dhe shumë libra të tjera që konsiderohen ndër më të mirat në medhhebin Hanefi.

Ne kemi parë njerëz adhurues të cilët i kushtojnë shumë kohë adhurimit, por ata e marrin me lehtësi veprimin sipas haditheve dhe nuk u intereson fare për të. Në vend të kësaj, ata kujdesen vetëm për atë që është shkruar në librat e mdhhebeve të tyre. Duket sikur ata e konsiderojnë hadithin të jetë një çështje e refuzuar – por kjo rrjedh vetëm nga injoranca.

Shejkh Muhammed Hajat es-Sindi ka thënë:

”Çdo musliman është i detyruar që të njeh kuptimin e Kuranit dhe Sunnetit, ti pasojë ato, të kuptojë domethënien e tyre dhe të merr gjykimet prej tyre. Nëse ai nuk mundet ta bëjë këtë, ai duhet ti pyes dijetarët. Megjithatë, nuk është e detyrueshme që ai të pasoj një imam të caktuar. Kjo është për shkak se e bën atë të ngjasojë me një profet. Ai në vend të kësaj duhet të merr atë që është më e sigurta nga çdo medhheb. Gjithashtu është e lejueshme për të që në raste të domosdoshme të praktikojë lehtësimet, pasi që është më mirë për ti braktisur ato në raste jo të tilla. Në lidhje me atë që disa bashkëkohës tanë kanë shpikur nëse duhet ti përmbahemi një medhhebi të vetëm, kjo konsiderohet të jetë injorancë, bidat dhe padrejtësi. Ne kemi parë ata se si ia kthejnë shpinën haditheve autentike dhe të vlefshme për medhhebet e tyre që janë bosh nga zinxhirët e transmetimeve.”

Imam Shafiu (rahimehullah) ka thënë:

”Ai që pason verbërisht një person që e ndalon një gjë apo e lejon, ndërsa një hadith autentik thotë të kundërtën, dhe ky pasim i verbër e pengon nga të vepruarit sipas Sunnetit, atëherë ai e ka marrë atë që pason si zot karshi Allahut (Te ala). Kjo është për shkak se ai e lejon atë që Allahu e ka ndaluar dhe e ndalon atë që Allahu e ka lejuar.”

Ajo që është shumë e çuditshme se në qoftë se ata gjejnë se disa nga sahabët (radijAllahu anhum) veprojnë diçka në kundërshtim me një transmetim autentik dhe nuk gjejnë rrugëdalje nga kjo, atëherë ata thonë se është e mundur që ky hadith nuk i ka arritur atij, e cila është e saktë. Por në qoftë se ata gjejnë një hadith që kundërshton personin që ata e pasojnë, ata bëjnë gjithçka për ta keqinterpretuar atë dhe ndoshta edhe shtrembërojnë fjalët dhe i nxjerrin ato jashtë kontekstit të tyre.

Nëse pastaj i tregohet atyre se personi që ata pasojnë nuk i ka arritur transmetimi për shkak të mungesës së transmetuesve të besueshëm, ata ngrihen kundër folësit dhe e fyejnë atë, dhe besojnë se fjalët e tij i kanë lënduar ata. Prandaj shikoni këta njerëz të gjorë! Ata thonë se është e mundur për një sahabi që një hadith i caktuar nuk i ka arritur atij, ndërsa kjo është e pamundur për zotërinjtë e medhhebeve! Këtë e thonë ata edhe pse dallimi në mes të dy palëve është si dallimi në mes të qiellit dhe tokës. Ti i sheh ata duke lexuar dhe studiuar librat e hadithit për të arritur bekim, jo për të vepruar sipas tyre. Nëse ata hasin në një hadith që e kundërshton medhhebin e tyre, ata e teprojnë në keqinterpretimin e tij. Nëse ata nuk mund at bëjnë këtë, ata thonë:

”Personi që ne pasojmë është më shumë i ditur në lidhje me kuptimin e hadithit se sa ne.”

A nuk e dinë ata se në këtë mënyrë ata kthejnë argumentet e Allahut kundër vetvetes. Në qoftë se ata hasin në një hadith që është në përputhje me medhhebin e tyre, ata gëzohen, por nëse ata hasin në një hadith që e kundërshton medhhebin e tyre, ata bien në depresion dhe refuzojnë të dëgjojnë. Allahu (Te ala) ka thënë:

Jo, për Zotin tënd, ata nuk janë besimtarë të vërtetë derisa të zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë pakënaqësi ndaj gjykimit tënd dhe derisa t’i pranojnë vendimet e tua plotësisht të nënshtruar. 4:65

Ibn Anan (rahimehullah) ka thënë në shpjegimin e tij të librit ”Mudavaneh Malik”:

”Dije se asnjë person i mençur nuk kënaqet nga të kufizuarit veten në pasimin e verbër. I vetmi që kënaqet nga kjo, është një person i cili ose është injorant dhe i plogët ose budalla dhe kokëfortë. Ne nuk jemi duke thënë se kjo është e ndaluar për të gjithë njerëzit, por ne kërkojmë njohuri të argumenteve dhe mendimeve të individëve. Po ashtu, ne kërkojmë që një person i paditur të pasojë një person të ditur. Pasim i verbër është për të miratuar një mendim pa ndonjë argument. Personi nuk fiton dije në këtë mënyrë. Të pasuarit e një personi të caktuar verbërisht është bidat. Sigurisht ne e dimë se kjo nuk ndodhte në kohën e sahabëve (radijAllahu anhum). Ata i referoheshin Librit të Allahut, Sunnetit të dërguarit të Tij (salAllahu alejhi ue selem) dhe studimit të çështjeve që ndodhën në mes tyre kur mungonin argumentet. Të njëjtën metodologji e pasuan Selefët. Nëse ata nuk gjenin argument ata bënin ixhtihad. Pastaj bëhej fjalë në lidhje me brezin e tretë në të cilin Ebu Hanife dhe Malik ishin të pranishëm. Pastaj erdhi Shafiu dhe Ahmedi. Të gjithë ata ishin të qëndrueshëm në metodologjinë e mëparshme. Në kohën e tyre nuk kishte asnjë medhheb të një personi të caktuar dhe pasuesit e tyre pasuan të njëjtën gjë. Sa mendime të Malikut i kundërshtuan shokët e tij? Prandaj, është e çuditshme se ata që pasojnë verbërisht thonë:

”Kjo është një çështje e vjetër që u aplikua dyqind vite pas hixhretit dhe pas brezave të cilat i kishte lavdëruar i dërguari (salAllahu alejhi ue selem).”

Unë them: Vërtet Ibn Anan ka thënë të vërtetën kur ai kritikoi pasimin e verbër të një individi të caktuar dhe që mendimi i tij të merret si fe dhe medhheb edhe nëse kjo do të kundërshtojë Sunnetin dhe tekstet e qarta të Kuranit. S’ka dyshim se ky është një bidat i qortuar dhe një cilësi e neveritshme me të cilën shejtani i mallkuar mashtron për të përçarë umetin musliman, të përçajë bashkimin e tyre dhe që të mbjellë armiqësi dhe urrejtje mes tyre. Ti e sheh se secili prej tyre e nderon imamin e tij në një mënyrë që as i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) e as sahabët nuk janë nderuar.

Nëse ai e gjen një hadith që përputhet me medhhebin e tij, ai gëzohet dhe iu nënshtrohet. Ndërsa nëse ai e gjen një hadith të vlefshëm që e kundërshton medhhebin e tij dhe e mbështet medhhebin e një imami tjetër, ai vjen me një grup arsyetime që janë larg nga realiteti dhe ia kthen shpinën. Ai përpiqet që medhhebi i tij ë jetë mbizotërues edhe pse i kundërshton sahabët, selefët dhe tekstin e qartë. Nëse ai e shpjegon një libër hadithi, ai shtrembëron të gjitha hadithet që e kundërshtojnë mendimin e tij. Nëse ai nuk mundet ta bëjë këtë, ai pretendon pa asnjë argument se hadithi është shfuqizuar, i diskutueshëm ose se nuk është korrekt që të veprohet sipas tij.

Pasuesit e verbër dhe të ngurtë e morën këtë si fe dhe si medhheb në atë mënyrë saqë, në qoftë se ti sjell një mijë argumente, ata nuk do t’i kishin dëgjuar ato. Në vend të kësaj, ti i sheh ata duke ikur prej tyre ashtu sikurse gomari ikë nga luani, sikurse janë uzbekët, banorët e Indis dhe turqit të cilët jetojnë në Medine dhe Mekë. Ata lidhin tespi rreth duarve të tyre dhe ndoshta edhe në qafat e tyre. Në koka, ata kanë çallmat e tyre që i ngjajnë kupolave dhe lexojnë të gjitha ”Dala’il-ul-Hajrat”, ”Khatam -ul-Khauaxhih” dhe madje edhe ”Kasidat –ul-Bardah”, ndërsa ata mendojnë se ata shpërblehen për këtë. Këta njerëz nuk e lëvizin gishtin në teshehud. I kam pyetur ata më shumë se një herë:

”Pse nuk e lëvizni gishtin pasi që kjo është Sunnet autentik i të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem), sahabëve të tij fisnikë dhe imamëve të ditur dhe është më rëndë kundër shejtanit se sa një goditje me një hekur?”

Ata përgjigjen:

”Ne i përkasin medhebit Hanefi dhe sipas medhhebit tonë kjo është e ndaluar.”

Pastaj ia qartësova atyre se çfarë thuhet në ”el-Muata” të imam Muhammedit, në ”Sherh Ma’ani lil-Athar” të Tahaviut dhe në ”Fet´h-ul-Kadir” nga Ibn-ul-Hamam.” Ata u përgjigjën:

”Ky është mendimi i të parëve, i cili është ndaluar nga gjenerata e fundit. Ata e braktisën atë dhe në këtë mënyrë ajo u shfuqizua. Diçka e ngjashme ka ndodhur me librat ”Salat-ul-Masudi” dhe ”Khulasat-ul-Kajdanijjeh”.”

Në këtë mënyrë, ata mbetën me ngulm të mos e bëjnë atë.

Injorantët besojnë se këta mashtrues të cilët me kokëfortësi e largojnë të vërtetën janë në mesin e udhëzuesve të drejtë. ”Po, është e vërtetë; Ai është një udhëzues tek shejtanët”. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.

Ebul-Kasim el-Kushejri (rahimehullah) ka thënë:

”Në të vërtetë është e detyrueshme për ne që e kërkojmë të vërtetën, që të pasojmë atë që është i mbrojtur nga gabimet dhe të ndalemi nga pasimi  i verbër i atij që mund të bëjë gabime. Prandaj ne duhet të marrim çdo gjë që ka ardhur nga imamët dhe ta përballim me Librin dhe Sunnetin. Atë që ata (Kurani dhe Sunneti) e pranojnë, ne e pranojmë, dhe atë që ata e refuzojnë, ne e refuzojmë. Ka argumente se ne duhet të pasojmë legjivënësin (salAllahu alejhi ue selem). Ndërsa nuk ka argumente se duhet të pasojmë dijetarët e fikhut, Sufitë dhe veprimet e tyre deri sa t’i përballim me Librin dhe Sunnetin.

Është fatkeqësi që që të shohësh një person duke ia kthyer shpinën argumenteve ndërsa ai me kokëfortësi dhe verbërisht pason atë që sipas medhhebit të tyre nuk është e saktë për tu pasuar verbërisht. Argumentet Sheriatike, studimet e bazuara në fikh dhe rrugët e bazuara në Sufizëm e qortojnë dhe e refuzojnë atë, ndërsa ata e lavdërojnë atë që bën hulumtime, vepron me kujdes dhe i largohet dyshimeve. Ai që me vendosmëri pason njërin nga imamët në një çështje që e kundërshton Librin e Allahut, dhe Sunnetin e të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem), apo konsensusin dhe analogjinë e qartë, nuk është i sinqertë në pretendimin e tij se ai është në përputhje me imamin dhe se ai e pason imamin e lartpërmendur. Ndërsa, ai pason epshin e tij dhe grupin e tij ndërsa imamët s’kanë të bëjnë asgjë me të. Në këtë mënyrë, qëndrimi i tij ndaj imamëve është sikurse qëndrimi i murgjve ndaj profetëve të tyre duke pasur parasysh se të gjithë imamët paralajmëruan pasuesit e tyre që të mos kundërshtojnë parimet Sheriatike.

Shpërndaje: