Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

13.Gruaja e devotshme nuk duhet të zbulojë sekretet e burrit të saj

Shejkh Abdurr-Rrezak bin Abdul-Muhsin el-Bedr el-Abbad
Sifetuz-Zeuxhetus-Salihah
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Prej cilësisë së gruas së devotshme është që të mos i përhap sekretet e burrit të saj dhe të mos i përhapë çështjet të cilat janë vetëm për burrin dhe gruan. Kështu duhet të veprojë edhe nëse ndodh ndarje mes tyre apo nuk ka harmoni të mirëfilltë bashkëshortore. Është obligim si i burrit ashtu edhe i gruas që ta kenë frikë Allahun -azze ue xhel- në lidhje me këtë çështje shumë të rëndësishme.

Këtu kemi një transmetim të cilin e gjejmë në Musnedin e imam Ahmedit që transmetohet nga Esma bint Zejd -radijAllahu anha- se ajo ishte prezent tek i dërguari i Allahut në një mexhlis dhe aty kishte edhe burra dhe gra tjera prezentë, ai ndër tjerash tha:

”Ndoshta një grua tregon atë që bëri me burrin e saj kur ishin në vetmi, ndoshta një burrë tregon atë që bëri me gruan e tij kur ishin në vetmi.”

Një grua u ngrit dhe tha: ”Betohem në Allahun, ashtu veprojnë burrat dhe gratë.”

Ai tha: ”Mos e veproni këtë! Me të vërtetë kjo është sikurse një shejtan mashkull dhe një shejtane femër që bëjnë zina në rrugë ndërsa njerëzit i shikojnë.”

Hadithi saktësohet përmes haditheve të tjera sipas imam Albanit në “Sahihut-Tergib uet-Terhib (2022)”, shih “Irua’ul-Galil (2011)”.

Ajo tha:

“ashtu veprojnë burrat dhe gratë”.

Ajo fillimisht i përmendi gratë ngase kjo gjë është e përhapur më shumë në mesin e tyre e më pakë në mesin e burrave. Të tilla gjëra intime gruaja i flet në mesin e shoqeve të saj, kolegeve e bashkëmoshatareve dhe në mesin e grave që janë të veçanta tek ajo. Pra shumë prej grave janë të pakujdesshme dhe nuk iu vjen keq që të përmendin fshehtësitë, sekretet dhe gjërat intime të burrave të tyre.

Profeti tha:

“Mos e veproni këtë! Me të vërtetë kjo është sikurse një shejtan mashkull dhe një shejtane femër që bëjnë zina në rrugë ndërsa njerëzit i shikojnë.

Do të thotë se gruaja dhe burri që kanë këtë cilësi, që zbulojnë intimitetin bashkëshortorë janë si shejtani i cili gjen një shejtane në rrugë dhe bëjnë marrëdhënie intime ndërsa njerëzit i shikojnë.

Shpërndaje: