Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

13.Historia e Nuhut ﷺ në Teurat dhe në Kuran

Alameh Muhammed Takijj-ud-Din el-Hilali el-Maghribi
Burimi: El-Barahin el-Inxhilijeh ala enne Isa dakhil fil-Ubudijeh ue la hadha lehu fil-Uluhijeh, fq. 33-34
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com

Shembull i kësaj është historia e Nuhut ﷺ. Ata deklarojnë në mënyrë specifike se Kurani e ka marrë këtë histori nga Teurati. Megjithatë, ajo është shpallur në Mekë ku nuk kishte as edhe një jehudi të vetëm në atë kohë. Ata që dinin shkrim lexim ishin shumë të pakët dhe nuk kishte armiqësi midis tyre dhe profetit ﷺ.

Profeti ﷺ nuk dinte as shkrim e as lexim. Armiqtë e tij i kishte në pritë. Nëse ata e shihnin një person të shkolluar duke shkuar tek ai apo duke shkuar tek një person i shkolluar, ata e fyenin atë. Historia e Nuhut ﷺ e përshkruar në Teurat është e detajuar dhe përshkruan gjatësinë, gjerësin dhe lartësinë e anijes. Ateistët e kanë përdorur këtë përshkrim për ta fyer Teuratin. Ata thonë se një anije e tillë nuk është në gjendje të lundrojë një minutë në det. Ndërsa ata nuk janë në gjendje që të thonë diçka në lidhje me historinë në Kuran.

Po ashtu ata kanë shfrytëzuar përshkrimet e tokës dhe të gjeografisë në Teurat për të fyer vërtetësinë e saj. Ndërsa ata nuk kanë gjetur diçka në Kuran që mbështet qëllimin e tyre.

Ai që lexon historinë e Nuhut ﷺ në Kuran dhe në Teurat sheh një ndryshim të madh mes tyre. Mënyra në Kuran është hyjnore dhe tërheqëse dhe përbëhet nga mësime, paralajmërime dhe përgëzime. Ajo është aq larg nga mënyra njerëzore që është e mundur të jetë. Mënyra në Teurat është krejt e kundërta.

Dhe në qoftë se ata nuk mund të gjejnë ndonjë gjurmë në Teurat, Ungjill dhe Talmud, të tilla si historia e Llukmanit, ata thonë se kjo histori është një legjendë arabe dhe mit. Në të njëjtën kohë ata shkruajnë me shkronja të arta në Teurat dhe në Inxhil “Bibël”, në mënyrë që lexuesin ta çojnë para aktit të kryer. Por kjo nuk ka sukses tek armiqtë e kishës. Ata kritikojnë jehudët ashpër dhe librat e të krishterëve.

Shpërndaje: