Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

36.Duart duhet të vendosen mbi gjoks gjatë namazit

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 77

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Profeti ﷺ e kishte zakon të vendoste dorën e djathtë mbi anën e sipërme të dorës së tij të majtë, mbi kyç të dorës dhe mbi parakrah1 dhe urdhëroi sahabët e tij të bëjnë të njëjtën gjë.2

Ndonjëherë ai e mbërthente me dorën e djathtë dorën e majtë.3

Ai i vendoste duart mbi gjoks.4

Ai ka ndaluar që duart të vendosen në ije gjatë namazit5 dhe se këtë gjë e kishte zakon që ta ndalonte.6


1 Ebu Daudi dhe Ibn Khuzejmeh (2/54/1) me një zinxhir transmetimi autentik. Hadithi është autentik sipas Ibn Hibanit (485).

2 Maliku, Bukhari dhe Ebu Auaneh.

3 Nesai dhe Darakutni me një zinxhir të saktë transmetimi. Në këtë hadith ka dëshmi se është sunnet që të kapësh dorën ndërsa hadithi i mëparshëm dëshmon se dora duhet të vendoset mbi dorën tjetër. Të dyja janë sunnet. Lidhur me atë se disa Hanefi të më vonshëm rekomandojnë që edhe të kapet edhe të vendoset përmbi, kjo është një bidat. Skenari i kësaj është që gishti i vogël i dorës së djathtë të kap kyçin e dorës së majtë dhe që të tre gishtat e mbetur të vendosen mbi të. Kështu përmendet në ”Ed-Durr (1/454)” të Ibn Abedinit. Prandaj, mos u mashtroni nga fjalët e disa të më vonshmëve.

4 Ebu Daudi, Ibn Khuzejmeh (2/54/1) i cili tha se hadithi është autentik, Ahmedi dhe Ebush-Shejkh në ”Tarik Asbahan, fq. 125″. Tirmidhi ka thënë se një prej zinxhirëve të tij është i mirë. Nëse mendojmë, këtë domethënie e gjejmë edhe në ”El-Mu’uata” të imam Malikut dhe në ”Sahihun” e Bukharit. Kam folur gjatë për rrugët e ndryshme të hadithit në ”Ahkam-ul-Xhena’iz, fq.118″.

Sqarim

Është konfirmuar në sunnet se duart duhet të vendosen në gjoks. Çdo gjë tjetër është ose e dobët ose e pa bazë. Në mesin e atyre që kanë vepruar përgjatë këtij sunneti është imam Is’hak bin Rahojah.

El-Maruazi ka thënë: ”Is’haku e fali namazin e vitrit me ne … Ai ngriti duart në kunut dhe lexoi kunutin para rukusë. Ai vendosi duart mbi gjoks ose nën gjoks.” (El-Mesa’il, fq. 222).

Të njëjtën gjë e tha El-Kadhi Ijad El-Maliki: ”Dora e djathtë duhet të vendoset mbi pjesën e sipërme të dorës së majtë mbi gjoks.” (El-I’lam, fq.15).

Ngjashëm ka transmetuar Abdullah bin Ahmedi i cili ka thënë: ”Unë pashë babain tim duke vënë dorën e djathtë mbi dorën e majtë mbi kërthizë kur ai qëndronte në namaz.” (El-Masa’il, fq. 62).

Shih: ”Irua-ul-Ghalil (353)”.

5 Bukhari dhe Muslimi. Kjo përmendet në ”El-Irua (374)”.

6 Ebu Daudi, Nesai dhe të tjerët.

Shpërndaje: