Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ai që është goditur me fatkeqësi në vetveten e tij, në ndonjë prej fëmijëve të tij apo i është goditur ndonjë i afërm tjetër, duhet gjatë kohës së sëmundjes ta përmend Allahun -azze ue xhel-, të kërkojë falje dhe të bëjë adhurime në vend të rënkimeve. Selefët urrenin që njeriu të ankohej tek njeriu edhe pse kjo mund ta lehtësojë paksa vështirësinë, por kjo është dobësi dhe ligësi e njeriut. Ndërsa të bësh durim është rezultat i forcës dhe krenarisë.
Ibn Ebi Dunja ka transmetuar se Ismail bin Amr ka thënë: “Ne vizituam Uarka bin Umerin kur ai ishte në prag të vdekjes e ai thoshte: “La ilahe ilAllah” dhe “Allahu-Ekber” dhe i bënte dhikr Allahun -azze ue xhel-. Njerëzit e vizitonin atë dhe i jepnin selam dhe ai ua kthente selamin. Kur vizitorët u bënë të shumtë, ai i tha të birit: “O biri im! Më liro që të mos ua kthej atyre selamin ngase kjo po më pengon që ta përmend Zotin tim -azze ue xhel-”.”
Ebu Muhamed El-Hariri ka thënë: “Isha tek Xhunejdi dy orë para se ai të vdiste. Gjatë tërë kohës ai lexonte Kuran dhe falte namaz.
I thashë atij: “O Ebul-Kasim! Ti je në një gjendje të vështirë!”
Ai ma ktheu: “O Ebu Muhamed! Kjo është ora për të cilën unë kam nevojë më së shumti.” Ai vazhdoi kështu derisa u largua nga kjo jetë.”
Është transmetuar në një hadith se Iblisi sillet më së keqi ndaj njeriut kur ai është në prag të vdekjes. Atëherë u thotë bashkëpunëtorëve të tij: “Sulmojeni! Nëse iu shpëton kësaj here nuk do të keni mundësi për ta zënë më kurrë.”