Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Gruaja muslimane i afrohet Zotit të saj – të Lartësuar- duke përmbushur të drejtat që ka ndaj burrit. Ajo pret shpërblim dhe një fund të lavdërueshëm nga Zoti i saj -i Lartësuar-. Ajo nuk i përmbush të drejtat e burrit të saj në formën e reciprocitetit; nëse ai i jep asaj, ajo ia kthen atij dhe nëse ai nuk i jep asaj, as ajo nuk i jep atij. Ajo i kryen ato në bazë të fjalëve të profetit ﷺ:
”Ju duhet të zbatoni atë që keni për detyrë, ndërsa ata duhet të zbatojnë atë që kanë për detyrë.”
Transmeton Muslimi (1846).
Ajo përmbush detyrat e saj sepse ajo e di se Allahu -i Madhërishëm- nuk i le veprat e mira të shkojnë huq. Gruaja e mirë muslimane e di se të drejtat e burrit janë të mëdha në Islam. Profeti i saj i dashur ﷺ ka thënë:
“Sikur të urdhëroja dikë t’i bëjë sexhde dikujt (përveç Allahut), do ta urdhëroja gruan t’i bëjë sexhde burrit të saj për shkak të të drejtave të mëdha që ai ka mbi të. Për Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, ajo nuk konsiderohet të të ketë zbatuar të drejtat e Allahut derisa të mos ketë zbatuar tërësisht të drejtat e burrit derisa të jetë në gjendje t’iu përgjigjet kërkesës së tij (për marrëdhënie intime) qoftë edhe kur ajo është duke ngarë devenë.”
Transmeton Tabarani, hadithi është i saktë sipas imam Albanit në ”es-Sahihah (3366)”.
Profeti besnik ﷺ ka thënë:
”Gruaja nuk do të ndjej ëmbëlsinë e besimit derisa të mos zbatojë të drejtat e burrit të saj.”
Transmeton Hakimi (4/7325) i cili tha se hadithi është autentik sipas kushteve të Bukharit dhe të Muslimit, dhe Dhehebiu u pajtua me këtë.
Gruaja muslimane pra ndien ëmbëlsinë e besimit kur ajo i plotëson të drejtën e burrit të saj.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Gruaja nuk ka zbatuar të drejtën e Allahut derisa të mos ketë zbatuat të drejtat e burrit të saj.”
Transmeton Tabarani (4/7325), zinxhiri i transmetimit është i saktë sipas Mundhirit në ”et-Targhib (3/2986)”. El-Hejthemi ka thënë: ”Burrat e tij janë burra autentik përveç el-Mughirah bin Muslim që megjithatë, është i besueshëm.” (Mexhma-uz-Zaua’id (5/5084), i saktë sipas imam Albanit në ”es-Sahihah (3366)” dhe në ”Sahih-ut-Targhib uet-Terhib (1942)”.
Gruaja e drejtë plotëson përzemërsisht të drejtat e burrit të saj, madje nuk i duken të mëdha ato që ka bërë për të. Përse? Sepse ajo e di se profeti i saj ﷺ tha një fjalë madhështore kur tha se çfarëdo që ajo të bëjë për të, megjithatë ai meriton më shumë.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Po të ishte e lejuar që njeriu t’i bëjë sexhde njeriut, do ta kisha urdhëruar gruan t’i bëjë sexhde burrit të saj për shkak të obligimit të madh që ka ndaj tij.”
Transmeton Ahmedi (3/158), el-Bazzar (13/6452) dhe Nesai (5/9147), zinxhiri i transmetimit është i mirë sipas el-Mundhirit në ”et-Targhib (3/35)” i cili tha: ”Transmetuesit e tij janë të besueshëm dhe të njohur.” Sipas imam Albanit hadithi është i saktë me ndihmën e tjera transmetimeve, ”Sahih-ut-Targhib uet-Terhib (1936)” dhe ”el-Irua (7/55)”.
Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë:
”Sikurse ta dinte gruaja të drejtën e madhe që ka burri ndaj saj, ajo nuk do të ulej gjatë kohës kur burri ha darkën apo drekën e tij derisa ai të përfundojë së ngrëni.”
Transmeton Tabarani (20/333) dhe el-Bazar (7/2665).
Gruaja muslimane e mirë nuk ia përmend burrit të drejtat e burrit që i kryen, por ajo i di meritat e tij sepse ajo vepron përgjatë fesë së saj dhe merr parasysh fjalët e profetit të saj ﷺ për të cilat Zoti i tij tha:
”Tashmë ju ka ardhur një i dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet e juaja, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë dhe i mëshirshëm me besimtarët.” Et-Teube, 9:128
Ajo nuk kthen kokën kah joshjet e shejtanëve njerëz dhe xhindë që në pamjen e jashtme duken si të mëshirshëm dhe flasin për të drejtat e njeriut ndërsa brenda janë një dënim i qartë. Shejtani përdor miqtë e tij në mesin e njerëzve dhe xhinëve për të shkatërruar shtëpinë e gruas.
Gruaja e mirë dhe e bekuar e di se në shtëpinë e saj ajo nuk është si një shërbëtore e cila vetëm vepron atë që e urdhërojnë të tjerët, por ajo e di se çfarë pozite ka në shtëpinë e saj. Ajo është përgjegjëse për shtëpinë e saj dhe një nga përgjegjësitë e saj është plotësimi i të drejtave të burrit të saj
Profeti ﷺ ka thënë:
”Gruaja është bareshë dhe përgjegjëse për shtëpinë e burrit të saj dhe për fëmijët e tyre.”
Transmeton Bukhari (7138) dhe Muslimi (1829).
Profeti ﷺ ka thënë gjithashtu:
”Çdo njeri të cilin Allahu e ka bërë përgjegjës mbi një kope dhe ai vdes duke tradhtuar kopenë e tij, Allahu do t’ia ndalojë hyrjen në xhenet.”
Transmeton Muslimi (142).
Ne duhet t’ua mësojmë grave atë që është transmetuar nga profeti ﷺ në lidhje me të drejtat e burrit mbi gruan në mënyrë që gruaja të mundet të kënaq Zotin e saj dhe që të realizojë lumturinë në shtëpinë e saj.