Sifetuz-Zeuxhetus-Salihah
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kur flasim për cilësitë e gruas së devotshme dhe drejtësinë, nuk duhet ta injorojmë një parim madhështor i cili është një parim themelor për arritjen e drejtësisë, drejtësia nuk mund të arrihet pa dy faktorë:
Faktori i parë është suksesi, udhëzimi, ndihma, lehtësimi dhe begatia e Allahut-xhela ue ala-. Allahu është Ai që udhëzon, është vetëm Ai që dhuron sukses. Çdo gjë që është në dorën e Tij -xhela ue ala-.
Allahu -te ala- ka thënë:
“Sa për atë që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë, pikërisht ai është i udhëzuari. E sa për atë që Ai e lë në humbje, ti me siguri nuk do të mund t’i gjesh mbrojtës që ta udhëzojë.” El-Kehf, 18:17
Dhe thotë Allahu:
“Allahu i thërret njerëzit për në shtëpinë e shpëtimit (xhenet) dhe udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.” Junus, 10:25
Pra udhëzimi, drejtësia dhe suksesi janë në dorën e Tij. Atë që Ai dëshiron, ajo ndodh. Atë që Ai nuk dëshiron, ajo nuk ka për të ndodhur kurrë.
Faktori i dytë është që vetë njeriu të përpiqet ta arrijë drejtësinë dhe t’i marrë shkaqet që shpien në të.
Profeti ﷺ i bashkoi këta dy faktorë kur ai ﷺ tha në hadithin autentik:
“Përkujdesu për atë që të bën dobi, kërkoji ndihmë Allahut azze ue xhel dhe mos trego paaftësi.”
Transmeton Muslimi (2664).
“Përkujdesu për atë që të bën dobi…”
Do të thotë që të marrësh qasjet e shëndosha të cilat të sjellin dobi dhe po ashtu mjetet për të arritur drejtësinë, dhe përmes tyre arrihet udhëzimi.
“…kërkoji ndihmë Allahut azze ue xhel…”
Kjo do të thotë që t’i mbështetesh vetëm Allahut, të kërkosh ndihmën e Tij dhe të shpresosh se Ai -subhanehu ue te ala- do të të japë sukses, mbarësi dhe stabilitet dhe se Ai do të të ndihmojë që ta arrish drejtësinë dhe veprimin e duhur.
Ky është një parim madhështor që përfshin të gjitha mirësitë.
Ekziston një tjetër parim që duhet t’i kushtohet vëmendje, i cili është themeli i drejtësisë, dija rreth saj dhe rruga që të shpie drejt saj, ai është libri i Allahut dhe sunneti i profetit të Tij ﷺ.
Prandaj është e detyrueshme për çdo thirrës që përkujton dhe thërret në drejtësi dhe korrigjon, që këto t’i bazojë në librin e Allahut -azze ue xhel- dhe në sunnetin e të dërguarit të Tij fisnik ﷺ.
Allahu -te ala- në lidhje me Kuranin thotë:
“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” El-Isra, 17:9
Profeti ﷺ në lidhje me sunnetin dhe udhëzimin e tij ka thënë:
“Ua kam lënë dy gjëra të cilat nëse i pasoni nuk do të devijoni kurrë, ato janë libri i Allahut dhe sunneti im.”
Transmeton Hakimi (1/172), hadithi është i saktë sipas imam Albanit në ”Sahihul-Xhemi (2937)”.
Ekziston një parim i tretë mbi të cilin ndërtohen të gjitha adhurimet, mbi të cilin ngrihen të gjitha virtytet dhe përsosjet morale, e që është realizimi i frikës/devotshmërisë ndaj Allahut, frika ndaj Allahut është themeli i virtyteve pozitive, themeli i mirësisë dhe lumturisë në të dy jetët. Gruaja mmuslimane duhet të kuptojë se ajo gjatë gjithë jetës është në adhurim ndaj Allahut dhe përmes plotësimit të këtyre gjërave fiton kënaqësinë dhe shpërblim e Tij. Nga ana tjetër e humb atë në varësi sesa ajo ka mangësi në këto cilësi. Kjo do të ceket edhe më tej kur të flasim për këtë çështje, nëse dëshiron Allahu.
Hadithi i plotë:
I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Përkujdesu për atë që të bën dobi, kërkoji ndihmë Allahut azze ue xhel dhe mos trego paaftësi. Nëse të godet diçka mos thuaj:
”Sikur të kisha bërë këtë apo atë nuk do të ndodhte kështu”, por thuaj:
”Ishte caktim i Allahut dhe Ai vepron atë që dëshiron”, sepse fjala: ”sikur” ia hap rrugën shejanit.” Muslimi (2664).