Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

2.Si duhet pastruar të vdekurin?

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
El-Mulakhas el-Fikhi
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Një prej dispozitave të varrimit është se personi që ka dije dhe aftësi për ta pastruar të vdekurin e ka obligim që ta bëjë këtë.

Profeti ﷺ tha:

”Pastroje atë me ujë dhe sidër.” 1

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Ka transmetime të shumta në Islam, si me gojë ashtu edhe praktike se duhet pastruar të vdekurin. Profetin ﷺ e pastruan edhe pse ai ishte i pastër dhe i pastruar. Atëherë si qëndron puna me të tjerët? Pastrimi i të vdekurit pra është farz kifajeh2.

Burri e pastron burrin. Burri më i mirë dhe më i përshtatshëm për ta pastruar të vdekurin është personi i besueshëm i cili i di dispozitat e pastrimit sepse kjo është një dispozitë me karakteristika të veçanta. Vetëm ai që i di ato mund t’i kryejë ato në mënyrë ligjore. Përparësinë kryesore për ta pastruar të vdekurin e ka ai që është porositur me testament nga personi i vdekur. Nëse personi i vdekur ka lënë porosi që të pastrohet nga një person i caktuar dhe ky person është i drejtë dhe i besueshëm, atëherë ky ka përparësi për ta pastruar atë sipas kësaj porosie sepse Ebu Bekri -radijAllahu anhu- urdhëroi që të pastrohet nga gruaja e tij Esma bint Umejs. Prandaj është e lejueshme për gruan që ta pastrojë burrin e saj ashtu siç është e lejuar që burri ta pastrojë gruan e tij. Enesi -radijAllahu anhu- la porosi që të pastrohet nga Muhamed bin Sirini. Pas personit të porositur për pastrim vjen babai i të vdekurit, ai është që ka më së shumti përparësi që ta pastrojë birin e tij pasi që ai është veçanërisht i dashur dhe ka dhembshuri për birin e tij. Pastaj vjen gjyshi i të vdekurit sepse ai zë venin e babait të tij sipas asaj që është përmendur më sipër. Pastaj ai që është më i afërti dhe kështu me radhë, pastaj vijnë të tjerët. Kjo radhitje vlen në qoftë se ata të gjithë dinë se si duhet pastruar të vdekurin dhe kërkojnë për ta bërë këtë, por në qoftë se nuk është kështu atëherë personi më i ditur në lidhje me dispozitat e pastrimit ka përparësi ndaj atij që nuk ka dije.

Gruan e pastrojnë gratë. Përparësinë kryesore për ta pastruar gruan e vdekur e ka ajo të cilën ajo e ka porositur. Nëse ajo ka porositur që ta pastrojë një grua e caktuar ajo ka përparësi mbi të tjerat në qoftë se ajo është e aftë për këtë. Pastaj vijnë të afërmit e saj prej grave në varësi se sa të afërme ato janë me të.

Gruan e pastrojnë gratë sipas kësaj radhitje dhe burrin e pastrojnë burrat siç u përmend më herët. Përveç kësaj secilit nga bashkëshortëve i lejohet që ta pastrojë tjetrin. Prandaj burri ka të drejtë që ta pastroj gruan e tij dhe gruaja ka të drejtë që ta pastroj burrin e saj sepse Ebu Bekri -radijAllahu anhu- urdhëroi që të pastrohet nga gruaja e tij dhe Aliu -radijAllahu anhu- e pastroi Fatimen. Transmetime të ngjashme janë transmetuar edhe nga sahabët e tjerë.

Megjithatë, është e lejuar për burrat dhe gratë që ta pastrojnë personin nën shtatë vjeç pavarësisht nëse janë djalë apo vajzë.

Ibn Mundhir ka thënë:

Ka konsensus tek gjithë ata tek të cilët kemi mësuar përmendësh se gruas i lejohet që ta pastrojë djaloshin e vogël.

Kjo është për shkak se ai nuk kishte auret (nuk obligohej të mbulojë auretin) kur ishte gjallë dhe prandaj as pasi vdiq, dhe se birin e profetit ﷺ, Ibrahimin e pastruan gratë. Gruas nuk i lejohet që ta pastrojë një djalosh i cili është 7 vjeç ose më i moshuar, dhe burrit nuk i lejohet që ta pastrojë një vajzë që është 7 vjeçe ose më e moshuar.

Nuk i lejohet muslimanit që ta pastrojë kafirin, që ta bartë xhenazen e tij, që ta varros atë, që të falë namaz xhenaze për të ose që të përcjell xhenazen e tij, duke u bazuar në fjalët e Allahut -te ala: 

“O besimtarë, mos i bëni miq ata njerëz me të cilët Allahu është i zemëruar.” El-Mutehine, 60:13

Ajeti fisnik në përgjithësi tregon se ndalohet për ta pastruar, bartur dhe për ta përcjellë xhenazen e tij.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit.” Et-Teubeh, 10:84

Dhe Ai -te ala- ka thënë:  

”Nuk i takon të dërguarit dhe besimtarëve që të kërkojnë falje për idhujtarët.” Et-Teubeh, 10:113

As nuk duhet varrosur atë, por në qoftë se nuk ka asnjë kafir i cili mund ta varros atë, i lejohet muslimanit që ta fsheh atë duke vënë atë në një gropë në mënyrë që kufoma e tij të mos shqetësoj muslimanët, dhe se sahabët në luftën e Bedrit i vendosën idhujtarët e vdekur në Kalib. I njëjti gjykim vlen edhe për renegatin sikurse ai i cili braktisi namazin me qëllim dhe pasuesi i bidateve të cilat janë kufër. Këtë qëndrim duhet ta ketë muslimani ndaj kufarëve pavarësisht nëse ata janë të gjallë apo të vdekur, do të thotë të ketë distancim dhe urrejtje. Allahu -te ala- ka thënë kur foli për mikun e Tij Ibrahimin ﷺ, dhe ata që ishin me të:

”Kur i thanë popullit të vet: “Ne shkëputemi nga ju dhe nga ato që ju i adhuroni në vend të Allahut; ne ju mohojmë dhe armiqësia e urrejtja midis nesh është e përhershme, derisa të besoni tek Allahu Një dhe i Vetëm.” El-Mutehine, 60:4

Dhe Allahu -te ala- ka thënë:

”Nuk gjen njerëz që besojnë në Allahun dhe në ditën e fundit, që të ushqejnë dashuri ndaj atyre, të cilët kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e tij, edhe në qofshin ata etërit e tyre ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre.” El-Muxhadeleh 58:22

Kjo është kështu sepse ka armiqësi mes kufrit dhe besimit, dhe se kufarët janë armiqtë e Allahut, të dërguarit të Tij dhe fesë së Tij. Prandaj nuk lejohet shfaqja e dashurisë ndaj tyre qofshin ata të gjallë apo të vdekur. E lusim Allahun që të forcojë zemrat tona në të vërtetën dhe të na udhëzojë në rrugën e drejtë.

Është kusht që uji me të cilin personi pastrohet të jetë pastrues dhe i lejuar, dhe është më së miri që uji të jetë i ftohtë përveçse nëse ke për të hequr papastërtitë nga i vdekuri, ose në qoftë se moti është shumë i ftohtë, në raste të tilla lejohet ngrohja e ujit. Vendi ku pastrohet personi duhet të jetë i izoluar nga shikimet e njerëzve dhe i mbuluar, p.sh. në një shtëpi, tendë ose të ngjashme nëse është e mundur. Është e detyrueshme që para pastrimit t’ia mbulojë pjesën midis kërthizës dhe gjunjëve. Pastaj i hiqen rrobat dhe vendoset në vendin ku do pastrohet i lakuar drejt këmbëve të tij në mënyrë që uji dhe ajo që del prej tij të mund të bjerë. Ai që e pastron dhe ata që e ndihmojnë prezantojnë gjatë pastrimit, ndërsa është e urryer për të tjerët që të marrin pjesë.

Duhet ngritur kokën e të vdekurit sikurse gati të jetë ulur, pastaj vendoset dora mbi barkun e tij dhe lehtas shtypet për të nxjerrë jashtë atë që mund të nxirret, pastaj hedhet shumë ujë në mënyrë që ajo që del prej tij të largohet, pastaj pastruesi e lidh dorën e tij me një leckë të trashë dhe e pastron të vdekurin nga jashtëqitja dhe ia pastron hapjen me ujë. Pastaj e bën nijetin për ta pastruar atë dhe thotë bismilah dhe e pastron sikurse kur merr abdes përveç pastrimit të gojës dhe hundës.

Mjafton që pastruesi në vend të kësaj t’ia pastroj gojën dhe hundën të vdekurit duke ia fërkuar me gishta të lagur ose me një leckë të lagur, pra uji nuk duhet t’i hyjë në gojë e as në hundë, pastaj ia pastron kokën dhe mjekrën me shkumë të zambakut ose sapun, pastaj ia pastron pjesën e djathtë të trupit duke ia pastruar së pari anën e djathtë të qafës së tij, krahun e tij të djathtë dhe shpatullën, pastaj pjesën e djathtë të gjoksit, anën e djathtë të barkut, kofshën e djathtë, kërcirin dhe këmbën e djathtë, pastaj e kthen atë në anën e majtë dhe ia pastron pjesën e djathtë të shpinës. Pastaj ia pastron anën e majtë në të njëjtën mënyrë dhe e kthehen në anën e djathtë për t’ia pastruar anën e majtë të shpinës. Përdoret sidër ose sapun në pastrim dhe është e rekomanduar për të lidhur dorën me një copë leckë gjatë pastrimit.

Është e detyrueshme që ta pastrojmë të vdekurin të paktën një herë, ndërsa 3 herë është e rekomanduar, nëse nuk pastrohet mjaftueshëm e pastron deri në 7 herë. Është e rekomanduar që gjatë pastrimit të fundit të përdoret kamfur sepse kjo e forcon trupin e të vdekurit, i vjen aromë e mirë dhe e ftohë trupin. Prandaj kamfuri përdoret në herën e fundit që efekti i tij të mbetet.

Pastaj thahet trupi me një leckë ose të ngjashme, i prehen mustaqet dhe thonjtë nëse i ka të gjatë, i hiqen qimet nën sqetull dhe ato që i janë hequr vendosen në qefinin me të cilin mbështjellët i vdekuri. Flokët e gruas ndahen në tre gërsheta dhe vendosen pas saj.

Nëse nuk mund ta pastrosh të vdekurin me ujë për shkak të disa rrethanave të caktuara, ose në qoftë se ke frikë se pjesë të trupit të tij do të bien kur ta pastrosh atë, sikurse personi me lebër ose i djegur, ose nëse është një grua në mesin e burrave dhe burri i saj nuk është aty, ose një burrë në mesin e grave dhe gruaja e tij nuk është aty, në këtë rast bëhet tejemum mbi të vdekurin me dhe të pastër. I thahet fytyra dhe duart e tij me diçka të vendosur në dorën e pastruesit. Nëse nuk mund ta pastrosh një pjesë të trupit të të vdekurit, ia pastron atë që mundesh dhe bëhet tejemum mbi pjesën tjetër.

Është e ligjësuar për atë që e pastron të vdekurin që vetë të pastrohet pasi ta ketë pastruar të vdekurin, por kjo nuk është e detyrueshme.


1 Një lloj bime i cili quhet lotus.

2 Obligim kolektiv që nëse një pjesë prej tyre e kryen, të tjerët lirohen nga kjo detyrë, e nëse askush nuk e kryen, të gjithë mëkatojnë.

Shpërndaje: