Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Menhexh-ul-Enbija fid-Da’uah ila Allah, fq. 56
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
وَقَالَ الْمَلأُ مِن قَوْمِ فِرْعَونَ أَتَذَرُ مُوسَى وَقَوْمَهُ لِيُفْسِدُواْ فِي الأَرْضِ وَيَذَرَكَ وَآلِهَتَكَ قَالَ سَنُقَتِّلُ أَبْنَاءهُمْ وَنَسْتَحْيِي نِسَاءهُمْ وَإِنَّا فَوْقَهُمْ قَاهِرُونَ
“Paria e popullit të Faraonit tha: “A mos vallë do ta lësh Musain dhe popullin e tij që të bëjnë shkatërrime në tokë dhe që të braktisin ty dhe të adhuruarit e tu?” Faraoni u përgjigj: “Meqenëse jemi sundues mbi ata ne do t’i vrasim djemtë e tyre dhe do t’i lëmë gjallë gratë e tyre.”1
Çfarë gabimi kishte bërë Musai ﷺ dhe populli i tij sipas këtyre shkatërrimtarëve? Ata nuk kishin bërë asnjë mëkat vetëm se kishin thirrur në teuhid, i ishin përmbajtur teuhidit dhe kishin mohuar Faraonin dhe të adhuruarit (hyjnitë) e tij.
Dhe cili ishte qëndrimi i Musait ﷺ ndaj këtij cenimi të tmerrshëm që i kishte tejkaluar të gjithë kufijtë? Ai vazhdoi t’i përmbahej besimit dhe durimit. Ai i kërkoi Allahut ndihmë ndaj këtyre vështirësive dhe priste një fund të lumtur, fitore si rezultat dhe fryt i kësaj paluhatjeje dhe durimi.
قَالَ مُوسَى لِقَوْمِهِ اسْتَعِينُوا بِاللّهِ وَاصْبِرُواْ إِنَّ الأَرْضَ لِلّهِ يُورِثُهَا مَن يَشَاء مِنْ عِبَادِهِ وَالْعَاقِبَةُ لِلْمُتَّقِينَ
“Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Vet. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”2
Pas humbjes së të gjithë shpresës se Faraoni dhe populli i tij do të besonin dhe se gjendja e izraelitëve po përkeqësohej gjithnjë e më shumë dëshira e vetme e Musait ﷺ ishte që Faraoni t’i lironte izraelitët dhe t’i linte ata të zhvendoseshin aty ku dëshironte Allahu:
فَأْتِيَاهُ فَقُولَا إِنَّا رَسُولَا رَبِّكَ فَأَرْسِلْ مَعَنَا بَنِي إِسْرَائِيلَ وَلَا تُعَذِّبْهُمْ قَدْ جِئْنَاكَ بِآيَةٍ مِّن رَّبِّكَ وَالسَّلَامُ عَلَى مَنِ اتَّبَعَ الْهُدَى
“Shkoni pra që të dy dhe i thoni: Me të vërtetë që ne jemi të dërguarit e Zotit tënd kështu që lëri bijtë e Israilit të vijnë me ne dhe mos i torturo ata; sigurisht që ne kemi ardhur me shenjë nga Zoti yt! Dhe paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin!”3
Ishte një thirrje madhështore për në teuhid. Në të kishte dritë dhe urtësi, dhe përkujdesje për udhëzimin dhe pastrimin e tyre. Thirrja përmbante durimin më të fortë kundër vështirësive dhe konfrontimeve me tiranët mendjemëdhenj. Aty mësohet se si të trajtohen situatat e vështira me urtësi, me durim dhe shpresë të fortë se besimtarët do të fitojnë dhe të padrejtët do të humbasin. Aty ka mësim për ata që me thirrjen e tyre dëshirojnë të shohin fytyrën e Allahut, dëshirojnë përmirësimin e njerëzve dhe t’i lidhin ata me Allahun, dhe t’i udhëzojnë në rrugën e drejtë.
1 7:127.
2 7:128.
3 20:47.