Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: El-Hixhab, fq. 23-27
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
4 – Përzierja midis grave dhe burrave. Kur gruaja sheh se ajo është e barabartë me burrin, duke e shfaqur fytyrën, duke shëtitur me fytyrë të zbuluar, atëherë ajo nuk do të ketë turp dhe drojë që të përzihet me burra. Kjo në vetvete është një sprovë e madhe dhe një shkatërrim gjithëpërfshirës. Kur një ditë profeti ﷺ u largua nga xhamia, ai gjatë rrugës pa se ishin përzier burra e gra. Pastaj ai ﷺ u tha grave:
“Qëndroni prapa burrave gjatë rrugës. Ju nuk duhet të zini rrugën, ecni në anët e rrugës.”1
Si rezultat, gratë filluan të ecnin aq afër mureve saqë rrobat e tyre ngjiteshin pas murit. Këtë e përmendi Ibn Kethiri në shpjegimin e fjalëve të Allahut (te ala):
وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ
“Dhe, thuaju besimtareve, të ulin shikimin (nga e ndaluara) .”2
Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) thotë se është e detyrueshme që gratë të mbulohen para burrave të huaj. Ai tha:
“Allahu e ka ndarë bukurinë e gruas në dy pjesë: Në bukuri të dukshme të jashtme dhe në bukuri që nuk duhet ta shfaqë. Gruas i lejohet që të shfaqë bukurinë e saj të dukshme te burrat e tjerë veç burrit të vet dhe të afërmve të saj, me të cilët nuk i lejohet martesa. Para se të zbriste ajeti që urdhëron për hixhabin, burrat mund t’i shihnin fytyrat dhe duart e tyre. Në atë kohë, lejohej që të shfaqnin fytyrën dhe duart e tyre, dhe po ashtu lejohej shikimi i tyre sepse lejohej që të shfaqnin fytyrën. Kur Allahu (te ala) zbriti ajetin:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُل لِّأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ
“O profet! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre.”3
gratë u mbuluan para burrave të huaj.”
Pastaj ai tha:
“Veshja e jashtme – xhilbabi – është ajo që Ibn Mesudi dhe të tjerët e quajnë “veshja e sipërme”. Njerëzit e thjeshtë e quajnë atë “mbulesë”. Është një mbulesë e madhe që mbulon kokën dhe pjesën tjetër të trupit. Duke qenë se ato u urdhëruan me veshjen e xhilbabit në mënyrë që të mos njiheshin, kjo do të thotë se fytyrat duhet të mbulohen ose duhet të bartin nikab. Pra, fytyra dhe duart i përkasin bukurive që nuk lejohen të shfaqen para burrave të huaj, ndërsa mbulesa e jashtme është e lejuar që të shihet nga burrat e huaj. Pra, Ibn Mesudi përmendi se ajo që kihet për qëllim me bukuri të dukshme (dhe që i lejohet gruas ta shfaqë para burrave të huaj) është pikërisht mbulesa ose rroba e jashtme që vesh gruaja, ndërsa Ibn Abasi përmendi se fytyra dhe duart e gruas hyjnë tek ajo që konsiderohet bukuri e fshehtë (bukuri të cilën gruaja nuk duhet ta shfaqë para burrave të huaj).’’
Pastaj ai tha:
“Sipas mendimit më të saktë, gruaja nuk duhet që të shfaqë fytyrën, duart apo këmbët para burrave të huaj, ndërsa më parë asaj i lejohej t’i shfaqte ato. Tani asaj i lejohet që të shfaqë vetëm rrobat e saj.”4
Në të njëjtin vëllim ai tha:
“Sa i përket fytyrës, duarve dhe këmbëve, asaj nuk i lejohet t’i shfaqë ato para burrave të huaj. Sidoqoftë, asaj i lejohet që t’i shfaqë ato para grave dhe të afërmve meshkuj me të cilët nuk i lejohet martesa.”5
Ai gjithashtu tha në të njëjtin vëllim:
“Baza e kësaj është se duhet që të dihet se për këtë çështje, Sheriati ka dy qëllime:
1 – Dallimin midis burrave dhe grave
2 – Mbulimi i grave.”6
Këto janë fjalët e Shejkhul Islamit Ibnu Tejmijes. Lidhur me mendimet e fukahave prej shokëve të imam Ahmedit, përmenden medhhebe (mendime) te dijetarët e mëvonshëm të cilat janë përmendur në librin “el-Muntaha” ku autori ka thënë:
“Është haram shikimi i një gruaje të huaj për burrin që është eunuk dhe atë të tredhur.”
Në librin “el-Ikna” thuhet:
“Nuk lejohet që të shikosh qëllimisht një grua të lirë të huaj dhe është e ndaluar të shikosh në flokët e saj.”
Autori i librit “ed-Delil” ka thënë:
“Shikimi ndahet në tetë kategori: E para është ajo kategori ku mashkulli megjithëse mund të jetë i tredhur dhe i rritur, atij nuk i lejohet që të shikojë pa arsye Sheriatike një grua të huaj. Atij nuk i lejohet që të shohë asgjë prej saj.”
Medhhebi Shafi thotë kështu:
“Nëse shikimi bëhet për shkak të epshit apo nëse ekziston frika që mund të lindin fitne (sprova), atij absolutisht nuk i lejohet që të shikojë. Nuk ka mospajtime lidhur me këtë. Dhe nëse shikimi nuk bëhet për shkak të epshit dhe nuk kihet frikë për sprova, ka dy mendime në këtë çështje. Ato përmenden nga autori i librit “Sherh-ul-Ikna”, i cili tha:
“Mendimi i saktë është se kjo gjë është e ndaluar siç thuhet në librin “el-Minhaxh” në kopjen origjinale të tij. Imami tha se sipas të gjithë muslimanëve, grave nuk u lejohet që të dalin me fytyra të zbuluara dhe se shikimi shpie në sprova dhe provokon epshet.”
Allahu (te ala) ka thënë:
قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ
“Dhe, thuaju besimtareve, të ulin shikimin (nga e ndaluara) .”7
I përket përsosmërisë së Sheriatit që të parandalojë gjithçka që shpie në mëkate dhe të mbyllë rrugët që çojnë tek e keqja duke injoruar detajimet.
Në librin “Nej-ul-Autar” (që është Sherhu i El-Munteka) thuhet:
“Muslimanët pajtohen se grave nuk u lejohet që të dalin me fytyra të zbuluara dhe veçanërisht nëse mëkatarët janë të shumtë.”
1 Ebu Davudi (5272).
2 24:31
3 33:59
4 Mexhmu-ul-Fataua (22/110).
5 Mexhmu-ul-Fataua (22/117-118).
6 Mexhmu-ul-Fataua (22/152).
7 24:30