Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Të qarët është butësia dhe mëshira e cila gjendet në zemrat e robërve të Allahut. Sipas medhhebit të imam Ahmedit dhe të imam Ebu Hanifes lejohet të qashë para dhe pas vdekjes së personit. Këtë mendim e zgjodhi gjithashtu Ebu Is’hak Esh-Shijrazi.
Imam Shafei dhe shumë të tjerë nga medhhebi i tij e konsiderojnë të urryer të qajturit pas vdekjes së një personi, ndërsa e konsiderojnë të lejuar këtë para se t’i del shpirti nga trupi. Dëshmi e tyre për këtë është hadithi i transmetuar nga Xhabir bin Atik -radijAllahu anhu- i cili tregoi se:
“I dërguari i Allahut ﷺ e vizitoi Abdullah bin Thabitin dhe e gjeti atë në prag të vdekjes. I dërguari i Allahut ﷺ e thërriti atë por ai nuk iu përgjigj.
I dërguari i Allahut ﷺ tha: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”
Gratë filluan të bërtasin dhe të qajnë, ndërsa Ibn Atiku kërkoi që ato të heshtnin.
I dërguari i Allahut ﷺ i tha atij: “Lëri ato. Kur të vij detyrimi askush nuk do të qaj më.”
Ata pyetën: “Çfarë është detyrimi?”
Ai u përgjigj: “Vdekja.”
Këtë hadith e transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi (3111), Nesai dhe Ibn Maxheh. Formulimi është i Ebu Daudit.
Abdullah bin Umeri -radijAllahu anhuma- rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:
“Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”
Transmeton Bukhari dhe Muslimi (927).
Ata thonë se kjo do të thotë pas vdekjes së njeriut e jo kur ai është në prag të vdekjes ngase njeriu nuk konsiderohet i tillë përveçse pasi të vdes.
Gjithashtu është transmetuar nga Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- se kur i dërguari i Allahut ﷺ shkoi në Uhud, dëgjoi disa gra të fisit Beni Abdil-Eshhel duke qarë për të vdekurit e tyre në betejë.
I dërguari i Allahut ﷺ tha:
“Askush nuk po qanë për Hamzanë.”
Pasi e dëgjuan këtë, erdhën gratë ensarije dhe filluan të qajnë për të. I dërguari i Allahut ﷺ kishte rënë për të pushuar, kur dëgjoi ato duke qarë u zgjua dhe tha:
“Mjerë ato, si po qajnë këtu? Sa të bezdisshme që janë! Urdhëroni ato që të kthehen dhe të mos qajnë për dikë pasi të ketë vdekur.”
Transmeton Imam Ahmedi dhe Ibn Maxheh.
Këto argumente dëshmojnë qartë se lejesa e mëparshme për vajtimin e të vdekurit është shfuqizuar. Dallimi në mes të qarit para vdekjes dhe pas saj është se të qarët para vdekjes bëhet sepse ende shpresohet që personi të mbijetojë. Por pasi që të vdes shpresa humbet, andaj nuk ka dobi nga të qarët.