Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: El-Hixhab, fq. 28-29
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Me aq sa unë di, ata që lejojnë shikimin e fytyrës së gruas së huaj nuk kanë asnjë dëshmi në Kuran dhe në Sunnet, përveç:
1 – Fjalëve të Allahut (te ala):
وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا مَا ظَهَرَ مِنْهَا
“dhe të mos i shfaqin nga bukuritë (pjesët e trupit dhe stolitë në to) përveç asaj që është e dukshme.” 1
Ibn Abbasi (radijAllahu anhume) ka thënë:
“Do të thotë fytyrën, duart dhe unazën.”
Këtë e transmetoi el-A’mash nga Seid bin Xhubejri dhe ky prej tij (Ibn Abbasit). Tefsiri i ajetit nga një sahabi, është siç u tha, një dëshmi.
2 – Ebu Daudi ka transmetuar në “es-Sunnen” të tij nga Aishah (radijAllahu anha) se Esma bint Ebi Bekr (radijAllahu anhume) erdhi tek i dërguari i Allahut ﷺ e veshur me rroba të holla dhe ai pastaj u kthye dhe i tha:
“O Esma! Kur një femër arrin në moshën e bylygut (moshën kur i vijnë menstruacionet për herë të parë), ajo nuk duhet të shfaqë asgjë përveç kësaj dhe kësaj dhe bëri me isharet (me shenjë) drejt fytyrës dhe duarve të tij.” 2
3 – Bukhari dhe të tjerët transmetuan nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhume) se vëllai i tij Fadli, ishte ulur pas profetit ﷺ mbi kafshën e udhëtimit gjatë haxhit të lamtumirës. Kur një grua nga fisi Khath’am erdhi, ai filloi ta shikojë atë dhe ajo atë. Rrjedhimisht, profeti ﷺ ia ktheu fytyrën e tij në anën tjetër” 3.
Kjo dëshmon se gruaja e kishte fytyrën e saj të zbuluar.
4 – Bukhari dhe të tjerë kanë transmetuar nga Xhabiri bin Abdil-lahi (radijAllahu anhu) se gjatë namazit të Bajramit, profeti ﷺ i këshilloi dhe i përkujtoi ata, dhe më pas shkoi te gratë dhe i këshilloi dhe i përkujtoi ato. Ai u tha atyre:
“O ju gra! Jepni sadaka! Ju jeni shumica e banorëve të xhehennemit.” Atëherë, u ngrit një grua midis tyre dhe ajo kishte faqe të zeza.” 4
Nëse ajo nuk do ta kishte të zbuluar fytyrën e saj, nuk do ta kishin ditur se ajo kishte faqe të zeza.
Sipas asaj që unë di, këto janë dëshmitë me të cilat mund të argumentohen ata që thonë se gruas i lejohet të shfaqë fytyrën e saj para burrave të huaj.
1 24:31.
2 Ebu Davudi (4104).
3 Bukhari (1513) dhe Muslimi (1334).
4 Muslimi (885).