Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Prej të drejtave të burrit mbi gruan është që ajo të ruaj nderin e tij duke e ruajtur veten dhe atë. Me fjalë të tjera, ajo nuk duhet ta vë atë në sprova. Profeti ﷺ u pyet se cila është gruaja më e mirë dhe u përgjigj:
“Ajo e cila i bindet burrit të saj kur ai e urdhëron, e kënaq kur ai e shikon dhe ia ruan nderin dhe pasurinë e tij.”
Hadithi është i saktë sipas imam Albanit në” es-Sahihah (1838)”.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk ka grua që heq rrobat jashtë shtëpisë së burrit të saj, veçse ka shkatërruar perden e turpit mes saj dhe Zotit të saj.”
Transmeton Ebu Daudi (4010), Tirmidhi (2803), Ibn Maxheh (3750) dhe Ahmedi (6/173), formulimi është i Ibn Maxhes, hadithi është i mirë sipas Tirmidhiut dhe I saktë sipas imam Albanit në ”es-Sahihah (7/2/1296)” dhe “Edeb-uz-Zafaf, fq. 96”.
E tërë kjo në mënyrë që të ruhet nderi i burrit të saj. Gruas nuk i lejohet të zhvesh rrobat e saj diku tjetër përveçse në shtëpinë e burrit të saj ose në një vend që ka të njëjtin status, si për shembull, që të dy të kalojnë natën në një vend ose kur ajo është në shtëpi tek familja e saj nëse shkon aty me lejen e tij. Përndryshe ajo ka shkatërruar perden e turpit mes saj dhe Allahut.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Mos pyet për tre llojesh njerëzish se çfarë mëkati kanë bërë:
– Personi që braktis xhematin, kundërshton udhëheqësin e tij dhe vdes në këtë gjendje.
– Robi apo robëresha që arratiset nga zotëria i tij dhe vdes në këtë gjendje.
– Dhe gruaja, burri i së cilës nuk është i pranishëm dhe i ka lënë pasuri të mjaftueshme për t’u furnizuar për nevojat e dynjasë, kurse ajo e zhvesh mbulesën e saj. Mos pyet për ta.”
Transmeton Ahmedi në “Musned (23943)”, Bukhari në ”el-Edeb el-Mufred (590)”, Ibn Hibani (10/4559) dhe tjerë, hadithi është i saktë sipas Albanit në ”es-Sahihah (542)”.
“Mos pyet për tre llojesh njerëzish!”
Sepse përfundimi i tyre është shumë serioz dhe mëkati i tyre është i madh. Do të thotë gruaja e cila nuk e ka burrin të pranishëm për shkak se ai punon, ka udhëtuar në një vend tjetër, për çfarë arsye? Për ta furnizuar atë. Kur ai nuk është prezent, ajo zhvishet dhe u ekspozohet burrave të huaj dhe bën rrëmujë rreth e rrotull, ajo bënë tradhti – Allahu na ruajt-. Kjo është një grua që ka bërë një mëkat shumë të madh sepse ajo nuk e ka ruajtur të drejtën e burrit të saj, e as nderin e tij.
Gruaja e drejtë dhe e bekuar bënë çdo gjë për të ruajtur nderin e burrit të saj dhe për që ta mos ekspozojë ndaj sprovave, qoftë madje edhe me një fjalë të vetme.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Gruaja të mos e shikojë apo të prek një grua tjetër e t’ia përshkruajë atë burrit të saj sikur ai të jetë duke e parë atë!”
Transmeton Bukhari (5240).
Përderisa gruas i ndalohet t’ia përshkruajë burrit një grua të huaj për të ruajtur nderin e muslimanëve dhe nderin e burrit të saj, atëherë çfarë të themi për gruan që fotografon shoqet e saj dhe i vë fotot e tyre në shtëpi? Çfarë të themi për gruan që fotografon gratë e tjera dhe ia tregon ato burrit të saj?
Përderisa gruas i ndalohet t’ia përshkruajë burrit një grua të huaj, atëherë s’ka dyshim se ajo e ka të ndaluar që të kërkojë nga burri një gjë e cila do t’i ekspozonte të dytë ndaj sprovave, siç mund të ndodh përmes televizionit, fotografive dhe revistave. Natyrisht gruaja e devotshme nuk kërkon nga burri i saj diçka që i ekspozon ata të dy në sprova.