Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 88-89
Përktheu: Valdet Gashi
Kur profeti ﷺ përfundonte së lexuari El-Fatihan, thoshte me zë të zgjatur:
”Amin.”1
Ai i urdhëroi namazlitë që të thonë: ”Amin” menjëherë pasi që imami kishte thënë amin dhe tha:
”Kur imami të ketë lexuar:
”… jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!”2
ju duhet të thoni:
”Amin”. [Engjëjt thonë: ”Amin” dhe imami thotë: ”Amin”.]”
Në një transmetim tjetër thuhet:
”Kur imami thotë: ”Amin” edhe ju duhet të thoni: ”Amin”. Ai i cili thotë: ”Amin” njëkohësisht kur engjëjt thonë: ”Amin” i falen mëkatet e tij të kaluara.”3
Në një tjetër formulim thuhet:
”Kur ndonjëri prej jush thotë: ”Amin” në namaz dhe engjëjt në qiell thonë: ”Amin” dhe ata përputhen, atij i falen mëkatet e tij të mëparshme.”
Një tjetër hadith thotë:
”Thoni: ”Amin” dhe Allahu do t’u përgjigjet.”4
Ai ﷺ ka thënë:
”Nuk ka asgjë për të cilën jehudët ju kanë zili më shumë se sa për selamin tuaj dhe aminin” [pas imamit].”5
1 Bukhari në “Xhuz’-ul-Kira’ah khalf El-Imam” dhe Ebu Daudi me një zinxhir të saktë transmetimi.
2 1:7.
3 Bukhari, Muslimi, Nesai dhe Ed-Darimi. Përveç kësaj është transmetuar nga të tjerët. Në “Fet’h-ul-Bari”, Hafidh Ibn Haxheri ia atribuon shtojcën Ebu Daudit, e cila është gabim. Shtojca e refuzon argumentin me hadithin i cili thotë se imami nuk duhet të thotë: ”Amin”, e cila është transmetuar nga Maliku. Prandaj tha Hafidh Ibn Haxheri:
”Kjo dëshmon qartë se imami duhet të thotë: ”Amin”.”
Ajo që dëshmon për këtë është formulimi i dytë.
Ibn Abdil-Berr ka thënë: ”Ky është mendimi i shumicës së muslimanëve. Një prej tyre është Maliku sipas transmetimit të dijetarëve të Medinës, sepse është transmetuar në mënyrë autentike nga i dërguari i Allahut ﷺ nga Ebu Hurejra dhe Ue’il Huxhr.” (Et-Temhid (7/13).
Do të thotë hadithi aktual dhe hadithi para tij.
4 Muslimi dhe Ebu Auaneh.
5 Bukhari në “El-Edeb El-Mufred”, Ibn Maxheh, Ibn Khuzejmeh, Ahmedi dhe Es-Siraxh me dy zinxhirë të transmetimit të cilët janë autentik.
Dobi:
Namazliu duhet të thotë: ”Amin” me zë dhe së bashku me imamin. Ata nuk duhet ta thonë atë para tij, sikurse veprojnë shumica e namazlive, e as pas tij. Ky është mendimi i saktë që unë kam ardhur në përfundim që e kam verifikuar në disa libra, duke përfshirë “Silsilat-ul-Ahadith Ed-Daifeh (952)” dhe “Sahih-ut Terghib uet-Terhib (1/205 )”.