Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

22.Kombinimi i argumenteve në lidhje me të qarët pas vdekjes së personit

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Lidhur me atë që thonë kolegët e imam Shafeiut dhe të tjerët se “është e urryer të qashë pas vdekjes së personit” duke argumentuar me hadithet e përmendura më parë, themi se këto hadithe kanë për qëllim “të qarët me vajtim”. Kjo mbështetet nga hadithi:

“Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi (927). 

Ndërsa në një transmetim thuhet qartë:

“Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të vajtimit për të.”

Ata që kanë thënë se hadithi i Hamzës është anuluar, atëherë themi se kjo nuk është e saktë sepse shumica e haditheve që lejojnë të qash pas vdekjes së personit kanë ndodhur pas betejës së Uhudit. Një prej tyre është hadithi i Ebu Hurejrës i cili është bërë mysliman në vitin e 8 hixhrij. E njëjta gjë vlen edhe për të qarët për Xhaferin dhe shokët e tij të cilët kishin ra shehidë në vitin e 8 hixhrij. Gjithashtu të qarët për Zejnebën e cili vdiq në vitin e 8 hixhrij. Edhe të qarët e profetit ﷺ tek varri i nënës së tij ishte i vonshëm, kjo ndodhi në vitin kur ai pushtoi Mekën.

Sa për argumentin e atyre që thonë “është e lejuar të qashë vetëm para vdekjes së personit”, përgjigja ndaj saj është: “Nëse njeriu qanë pas vdekjes së dikujt nga pikëllimi -atëherë themi se pikëllimi pas vdekjes së dikujt është edhe më i thellë” sepse para vdekjes gjithmonë mund të shpresohet për mbijetesë dhe kjo shpresë përfundon me vdekjen e tij. Pastaj të qarët për një ndarje e cila nuk ka kthim në këtë jetë është edhe më parësore. Kjo është domethënia e fjalëve të profetit ﷺ:

“Syri loton, zemra pikëllohet, por nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë.“

Transmeton Bukhari (1469) dhe Muslimi (1053).

Në mënyrë të ngjashme Bukhari transmetoi se Umeri -radijAllahu anhu- ka thënë: “Le të qajnë për Ebu Selmen përderisa nuk godasin kokat apo nuk bërtasin.”

Disa dijetarë thonë se të qarët e vetë profetit ﷺ dhe të qarët të cilën e ka lejuar dhe rekomanduar ai, është të qarët që bëjnë sytë të lotojnë dhe që bëjnë zemrën të zbutet, gjë e cila tregon se njeriu është i mëshirshëm. Kurse të qarët që ndaloi profeti ﷺ është të qarët duke goditur kokën, duke ngritur zërin dhe duke vajtuar. Ajo që forcon këtë që thamë janë fjalët e profetit ﷺ:

“Çfarëdo që del nga sytë dhe zemra (loti dhe dhembja) është prej Allahut dhe nga mëshira. Ndërsa ajo që del nga dora dhe gjuha është prej shejtanit.”

Transmeton Ahmedi.

Shpërndaje: