Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

25.Muatilah dhe Mumethilah e cilësive të Allahut pranojnë besimet e njëri tjetrit  

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Muatilah (mohuesit) janë ata që mohojnë diçka ose ndonjë prej emrave dhe cilësive të Allahut. Shembuj të Muatilave janë Xhehmitë, Mutezilitë, Esharitë dhe të ngjashmit me këta.

Mumethilah (përngjasuesit) janë ata që pohojnë cilësitë e Allahut por i përngjasojnë ato me krijesat e Tij. Shembuj të Mumethilave janë Rafidat e mëhershëm dhe të ngjashmit më këta.

Në fakt të gjithë Muatilah (mohuesit) janë Mumethilah (përngjasuesit) dhe anasjelltas.

Mohimi i Muatilave është padyshim i qartë. Megjithatë, përngjasimi i tyre që u bëjnë cilësive të Allahut shfaqet vetëm kur ata mohojnë sepse sipas tyre pohimi i cilësive të Allahut do të thotë përngjasim me krijesat. Për t’i shpëtuar përngjasimit të Allahut me krijesat ata mohojnë cilësitë e Allahut. Pra në fillim ata bëjnë përngjasimin e Allahut me krijesat e Tij dhe më pas për t’i shpëtuar kësaj ata bëjnë mohimin e cilësive të Allahut.

Përngjasimi i Mumethilave është gjithashtu i dukshëm. Megjithatë, mohimi (ta’tili) i tyre ndodh në tre aspekte:

1 – Ata mohojnë të njëjtin tekst (të Kuranit apo hadithit) që pohon cilësinë e Allahut duke e devijuar kuptimin që përmban ai tekst. Teksti sheriatik tregon dhe pohon cilësinë që i përket Allahut por nuk e krahason atë me krijesat e Tij.

2 – Kur e krahasojnë Allahun me krijesat e Tij ata mohojnë të gjitha argumentet që aludojnë në mohimin e përngjasimit të Allahut me krijesat e Tij. Për shembull, Allahu (te ala) thotë:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

 “Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” 42:11

وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ

Dhe askush nuk është i barabartë (as i krahasueshëm) me Atë! 112:4  

E treta: Nëse ai e përngjason Allahun me  krijesat e Tij atëherë në këtë mënyrë ai bën mohim (ta’til) pasi mohon përsosmërinë absolute të Allahut duke e përngjasuar Atë me krijesat e Tij të cilat janë të mangëta.

Shpërndaje: