Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

26.Torturat që pësuan sahabët për shkak të fjalës “La ilahe ilAllah”, akides së teuhidit

Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali

Burimi: Menhexh-ul-Enbija fid-Da’uah ila Allah, fq. 61-62

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shokët e të dërguarit të Allahut ﷺ u torturuan në mënyrën më të ashpër për shkak se ishin të kapur në akiden e saktë, adhuronin me sinqeritet vetëm Allahun dhe hoqën dorë nga idhujtaria dhe mosbesimi. Abdullah bin Mesudi (radijAllahu anhu) ka thënë:

“Të parët që e shfaqën Islamin ishin shtatë; i dërguari i Allahut ﷺ, Ebu Bekri, A’mari, nëna e tij Sumejah, Suhejbi, Bilali dhe el-Mikdadi. Megjithatë, të dërguarit të Allahut ﷺ, Allahu i dha mbrojtje nëpërmjet xhaxhait të tij, Ebu Talibit. Ebu Bekrit, Allahu i dha mbrojtje nëpërmjet popullit të tij. Të gjithë të tjerët, idhujtarët i torturuan duke u veshur atyre parzmore prej hekuri që të digjeshin në nxehtësinë e diellit. Të gjithë u dorëzuan përveç Bilalit sepse ai veten e tij e konsideronte pa vlerë kur bëhej fjalë për çështjen e Allahut dhe atë nuk e respektuan as njerëzit e tij. Idhujtarët ia lanë Bilalin fëmijëve të cilët e tërhiqnin zvarrë në malin e Mekës ndërsa ai thoshte: “Një! Një! (d.m.th Allahu është Një).” 1

Te “Sira’’ e Ibn Hishamit thuhet:

Në kohën më të nxehtë të ditës, Umejjeh bin Khalaf e nxirrte Bilalin në shkretëtirë dhe pasi e vendoste të shtrirë në shpinë, urdhëronte të vendosej një gur i madh mbi gjoksin e tij dhe thoshte: “Pasha Allahun! Ti do të qëndrosh në këtë gjendje derisa të vdesësh vetëm nëse e mohon Muhammedin ﷺ dhe adhuron el-Latin dhe el-Uzzan.” Megjithëse ishte në një situatë të tillë e vetmja gjë që Bilali thoshte ishte: “Një! Një!” 2

Sumejah u torturua deri në vdekje për shkak të akides së teuhidit dhe jo sepse ishte një udhëheqëse politikane.

Muxhahidi ka thënë:

“Shehidi i parë në Islam ishte Sumejah, nëna e A’marit. Ebu Xhehli i nguli asaj një shtizë në organin e saj.” 3

Ibn Sa’d ka thënë:

“Ajo e pranoi Islamin herët në Mekë dhe ishte prej atyre që u torturuan për të braktisur Islamin por ajo duroi derisa një ditë Ebu Xhehli e goditi me shtizë në organin e saj dhe kështu ajo vdiq.” 4


1.El-Hakim në el-Mustedrak (3/248) dhe e saktësoi. Njëkohësisht edh-Dhehebi e ka përmendur dhe tha në Sijer A’lamun Nubela (1/348): Zinxhiri i transmetimit është i saktë. Shiko në El-Istiabe (1/145-146) dhe në Hiljeh tek Ebi Nuajmit (1/149)

2.(1/318).

3.Et-Tabakat el-Kubra (8/264-265) nga Ibn Sa’d. Ai tha: Na ka lajmëruar Ismail Ibn Umer, Ebul Mundhir, na ka transmetuar Sufjan eth-Theuri nga Mensuri dhe ky nga Muxhahid, i cili tha: … dhe përmendi transmetimin. Zinxhiri i transmetimit deri te Muxhahid është i saktë.

4.Et-Tabakat el-Kubra (8/264-265).

Shpërndaje: