Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Vajtimi dhe të ndjerit keq është për atë që ka qenë i shkujdesur ndaj obligimeve të Allahut apo edhe për atë që ka përzier veprat e mira me ato të këqija. Njeriu i tillë është nën dëshirën e Allahut (nëse do e fal, dhe nëse do e dënon). (Për të arritur mëshirën e Allahut) njeriu ndër tjerash duhet të jetë pishman për atë që ka vepruar, çfarëdo qofshin ato vepra. Njeriu nuk e di vlerën reale të shëndetit përveç atij që është i sëmurë, dhe vetëm i sprovuari me fatkeqësi e di vlerën e gjendjes pa sprova.
E njëjta gjë vlen edhe për jetën, vetëm të vdekurit e kuptojnë me të vërtet se çfarë është jeta. Kjo sepse ata vetëm atëherë e kuptojnë atë që është thënë, ajo në të cilën janë thirrur. Vetëm atëherë kuptohet vlera e veprave të mira ngase aty shihet se cilat vepra sjellin dobi. Në varr nuk u jepen grada të larta askujt tjetër përveçse atyre që kanë qenë të devotshëm.
I shkujdesuri do të dëshironte të zinte atë që i ka ikur. Sa më shumë që njeriu të ketë qenë i shkujdesur në këtë botë aq më shumë do të dëshironte të kthehej edhe njëherë në këtë jetë në mënyrë që të vepronte atë që nuk ka vepruar kur ka qenë gjallë. Prandaj është detyrë e çdo muslimani që të shfrytëzoj shëndetin dhe kohën e lirë, dy gjëra ndaj të cilave shumica e njerëzve nuk kanë kujdes!
Njeriu vajton dhe mërzitet për fatkeqësinë që e ka kapluar për shkak se ai është neglizhues ndaj agonisë dhe vështirësive të vdekjes, e harron vetminë që do ta përjetoj në varr, përulësinë dhe frikën. Pastaj çështja e Munkerit dhe Nekirit -alejhimes-selam- dhe koha e gjatë që do të qëndroj nën dhe qoftë kjo në mirësi apo në dënim. Pastaj ngritja nga varri dhe dalja para Allahut. Pastaj pritja e gjatë për të dhënë llogari dhe vështirësitë e tjera të ditës së kijametit. Pastaj vetë llogaridhënia edhe për çështjet më të imëta. Pastaj çështja e librit në të cilin është e shkruar çdo imtësi dhe nuk i mungon asnjë gjë e vetme nga kjo jetë. Pra njeriu harron se një ditë do të jetë mes shpresës dhe frikës, ose do të jetë në anën e grupit të djathtë apo në anën e grupit të majtë.
Nëse njeriu i prekur nga fatkeqësia i kujton siç duhet këto sprova të lartpërmendura të cilat e presin atë në çdo moment, e të cilat do t’i përjetoj pa asnjë pikë dyshimi –edhe pse ai është neglizhues dhe jo i përgatitur, kjo do ta bënte atë që ta harroj fatkeqësinë që po përjeton, dhe do të mbështetej në durim dhe të kënaqurit me atë që Allahu ka caktuar për të.
Nëse njeriu mund të veproj diçka nga e cila i vdekuri mund të përfitoj, kjo është e kërkuara. E në rast se nuk mund ta bëj këtë, së paku nuk duhet ta dëmtoj të vdekurin me atë që ka ndaluar sheriati Islam, siç është vajtimi, ankimi, goditja e vetes, grisja e rrobave dhe veprime apo fjalë të tjera të ndaluara të cilat selefët dhe pasardhësit i dënuan.