Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Grupi i Teuilit (Ehlu-Teuil) janë skolastikët në mesin e Xhehmive, Mutezilive dhe ithtarëve të tyre.
Metodologjia e tyre bazohet në atë që tekstet në lidhje me cilësitë e Allahut që janë kumtuar nga profeti ﷺ janë metaforë prandaj nuk është për qëllim kuptimi i tyre tekstual por është për qëllim kuptimi tjetër (metaforik) që e kundërshton kuptimin tekstual. Kuptimin metaforik profeti ﷺ e dinte por ai donte që njerëzit duke u mbështetur në logjikën e tyre të përpiqeshin vetë për t’i kuptuar ato. Pra qëllimi i profetit ishte që të testohej mendja e njerëzve dhe njëkohësisht në këtë lloj eksperience do të kishte dobi të mëdha pasi në këtë mënyrë njerëzit do të zbulonin kuptime të rralla gjuhësore dhe fjalë të çuditshme.
Këta janë njerëzit më të hutuar dhe më kontradiktorë sepse ata nuk kanë një bazë të qëndrueshme ku do të mbështeteshin për të argumentuar se cilat tekste duhen interpretuar në mënyrë metaforike dhe cilat jo. Njëkohësisht ata nuk kanë rregulla nëpërmjet të cilave do të qartësonin dhe do të specifikonin se cili është kuptimi i kërkuar i teksteve në lidhje me cilësitë e Allahut.
Një argument tjetër kundër tyre është dhe fakti që në shumicën e rasteve konteksti (i ajeteve dhe haditheve që tregojnë për cilësitë e Allahut) nuk përputhet dhe nuk është e mundur që të aludojë për kuptimin e tyre metaforik.
Këta njerëz shfaqen sikur e mbështesin sunnetin por në realitet ata fshihen për të mos u zbuluar. Megjithatë, Allahu i ka zbuluar ata duke refuzuar dyshimet e tyre dhe duke i hedhur poshtë argumentet e tyre. Shejkhul-Islam (Ibn Tejmijeh) dhe të tjerë përveç tij e kanë kundërshtuar dhe refuzuar këtë grup më shumë se sa kanë refuzuar grupet e tjera sepse shumica e njerëzve janë të mashtruar prej tyre pasi ata në aparencë duket sikur janë në mbështetje të sunnetit.
Për sa u përket teksteve rreth ditës së ringjalljes, ky grup i beson realisht ashtu siç janë dhe nuk i interpreton ato. Duke qenë se ky grup i interpreton tekstet në lidhje me cilësitë e Allahut si kuptime metaforike u kritikuan nga grupi i parë (ai i filozofëve) që shpalljen e gjykojnë si imagjinatë pasi këta të fundit iu imponuan atyre që t’i kuptonin tekstet e ditës së ringjalljes në të njëjtën mënyrë sikurse vepruan me tekstet në lidhje me cilësitë e Allahut (pra me kuptim metaforik dhe jo real). Por grupi i Teuilit iu kundërpërgjigj atyre duke u thënë:
“Ne e dimë nga domosdoshmëria se i dërguari ﷺ erdhi me argumente që e pohojnë jetën pas vdekjes (ringjalljen) dhe e dimë pavlefshmërinë e argumentit të atyre që e mohojnë ringjalljen kështu që besimi në ringjallje duhet të pohohet.”
Përgjigja është e saktë dhe argumentimi është bindës dhe kjo përbën mbrojtje të qëndrimit të tyre në lidhje me mosinterpretimin metaforik të teksteve për botën tjetër dhe e obligon grupin e parë që këto tekste, t’i besojë në kuptimin e tyre të vërtetë. Është obligim që tekstet sheriatike të besohen dhe të pranohen ashtu siç janë përderisa nuk ka argument tjetër që obligon kuptimin jo real të tyre.
Të njëjtin argument Ehlus-Sunneti e përdor kundër grupit të Teuilit sepse dhe këta janë të obliguar t’i pohojnë cilësitë e Allahut dhe t’i kuptojnë ato tekstualisht. Ehlus-Sunneti u thotë atyre:
“Ne nga domosdoshmëria e dimë se i dërguari ﷺ erdhi me argumente që i pohojnë cilësitë e Allahut dhe e dimë pavlefshmërinë e argumentit të atyre që i kupton këto tekste si metaforë kështu që besimi në kuptimin real dhe tekstual të tyre është obligim.”
Ky argumentim është i saktë dhe bindës, dhe kësaj ata nuk mund t’i shpëtojnë. Kushdo që nuk lejon interpretimin metaforik të teksteve për botën tjetër po ashtu nuk duhet të lejojë interpretimin metaforik të teksteve në lidhje me cilësitë e Allahut që janë më të mëdha dhe më të shumta në librat e shpallura se sa dita e gjykimit. Ai që nuk vepron në këtë mënyrë vetëm se na ka bërë të qartë kontradiktën e tij dhe faktin se mendja e tij është e prishur.