Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
El-Xheuherij ka thënë: “Vajtim do të thotë të qash pas vdekjes së personit duke përmendur të mirat e personit të vdekur”. Ndërsa ka prej dijetarëve të cilët kanë thënë: “Vajtim do të thotë të përmendësh cilësitë e mira të personit të vdekur”.
El-Kadi Ijad ka thënë: “Vajtim është të tubuarit e grave për të vajtuar të vdekurin”. Në ”El-Mugnij”, ai thotë: ”Vajtim do të thotë të përmendësh cilësitë e mira të personit të vdekur duke ngritur zërin”.
Dije -Allahu të mëshiroftë- se kur të goditesh me fatkeqësitë në përgjithësi dhe në rastin në fjalë për vdekjen e dikujt, kërkohet të jesh i qetë, i durueshëm dhe i kënaqur me vendimin e Allahut -te ala-, të falënderosh Allahun për çdo gjendje dhe të thuash: ”Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Gjithashtu të jepet sadaka për atë që që ka vdekur dhe të lutesh për të. Ndërsa vajtimi, grisja e rrobave, goditja e vetes dhe fjalët e këqija të cilat thuhen nga njerëzit e afërt në raste të tilla, janë në kundërshtim me atë që e thamë më parë.
Imam Ahmedi -rahimehullah- ka thënë: “Vajtimi është i ndaluar. Në transmetimin e Hambelit, ai ka thënë se vajtimi është fatkeqësi.”
Kolegët e imam Shafeiut dhe të tjerët kanë thënë se vajtimi është i ndaluar.
Ibn Abdil-Berr ka thënë: “Dijetarët janë unanim rreth asaj se nuk lejohet vajtimi as për burrat e as për gratë.”
Ebul-Khatab -rahimehullah- në librin El-Hidajeh ka thënë: ”Vajtimi, goditja e vetes, grisja e rrobave dhe të ecurit këmbëzbathur kur të vdes dikush janë prej veprimeve të urryera në Islam.”
Ky mendim është i dobët i cili bie ndesh me atë që është përmendur në sunnet.1
[1] Autori e ka për qëllim se veprimet e tilla nuk janë vetëm të urryera por ato janë tërësisht të ndaluara.