Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

3.Disa shembuj nga përdorimi i urtësisë në thirrjen e profetit ﷺ

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme, fq. 7-11
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shembulli i parë

Për të argumentuar përdorimin e urtësisë gjatë thirrjes në fe, kemi ngjarje reale të cilat i ka jetësuar krijesa më e drejtë në thirrje dhe ai është profeti Muhamed ﷺ. Prandaj ne po përmendim disa shembuj të kësaj pike:

1 ) Transmeton Bukhari, Muslimi dhe të tjerët nga Enes bin Malik (radijAllahu anhu- rrëfeu:

“Një beduin hyri në xhami dhe urinoi në një qoshe të xhamisë, andaj njerëzit e qortuan atë, ndërsa i dërguari i Allahut ﷺ të cilit i ishte dhënë urtësi në thirrjen për në Islam, tha: ‘Mos e pengoni!’ Kur ai e kreu urinimin, profeti ﷺ urdhëroi të derdhej një kovë me ujë mbi vendin ku ishte urinuar.”

Pastaj, e thirri atë dhe i tha: 

“Këto janë xhami (vende të shenjta), të cilat nuk janë për veprime të pahijshme apo të ndyta, por janë për namaz dhe lexim të Kuranit.”

Transmeton Bukhari (219) dhe Muslimi (284).

Ndërsa, në transmetimin e imam Ahmedit, shtohet pjesa ku beduini thotë:

اللهم ارحمني و محمدا و لا ترحم معنا أحدا

“O Allahu im! Më mëshiro mua dhe Muhamedin dhe askënd tjetër përveç nesh!”

Nga ky tregim, marrim disa mësime:

– Sahabët (radijAllahu anhum) ishin nevrikosur andaj reaguan në atë mënyrë. Nga kjo pikë mësojmë se nuk është e lejuar që të mos veprojmë ndaj të keqes por është obligim që sa më shpejtë të reagojmë ndaj vepruesit të asaj të keqeje. Mirëpo nëse reagimi ndaj asaj të keqeje shpie në një të keqe edhe më të madhe se ajo atëherë është obligim që të sillemi me maturi derisa ta mënjanojmë këtë të keqen më të madhe. Prandaj profeti ﷺ i ndaloi sahabët nga reagimi në atë mënyrë.

Profeti ﷺ pranoi një të keqe në mënyrë që të mënjanoj një të keqe edhe më të madhe se ajo. Ajo që u pranua në këtë rast bëri që beduini të vazhdoj urinimin brenda xhamisë në vendin ku ai veçse filloi këtë veprim. Ndërsa ajo e cila konsiderohet e keqe edhe më e madhe është se veprimi i beduinit nuk shpëton nga njëri prej dy gjendjeve:

1 ) Po të ishte ngritur beduini nga vendi ku filloi urinimin do t’i zbulohej aureti dhe urina doemos do të përhapej në një masë më të gjerë në dyshemenë e xhamisë. Këtu pra kemi të bëjmë me dy të këqija.

2 ) Edhe nëse nuk do të zbulohej aureti i tij dhe po supozojmë se do të mbulohej menjëherë atëherë kjo do të shpinte që rrobat e tij të prekeshin nga urina.

Për shkak të këtyre dy të këqijave profeti ﷺ lejoi beduinin vazhdimin e urinimit brenda xhamisë sepse qysh në fillim dyshemeja në xhami ishte zhytur. Dhe me ndërprerjen e kësaj e keqja nuk do të ishte larguar, përkundrazi ajo do të përhapej edhe më shumë. Prandaj në qoftë se largimi i së keqes do të shkaktonte një të keqe edhe më të madhe atëherë është obligim që të mos veprojmë në mënyrë që të mos ndodh dëmi edhe më i madh. Kjo mesele ka bazë edhe në librin e Allahut. Thotë Allahu (te ala):

وَلاَ تَسُبُّواْ الَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِ اللّهِ فَيَسُبُّواْ اللّهَ عَدْوًا بِغَيْرِ عِلْمٍ

“Mos i fyeni idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e fyejnë Allahun armiqësisht nga padija.” 6:108

Ndërsa të gjithë ne e dimë se t’i fyejmë hyjnitë e idhujtarëve është diçka të cilën e do Allahu (azze ue xhel). Mirëpo, pasi që ky veprim shpie që edhe ata të fyejnë Atë i Cili nuk e meriton të fyhet, Allahu (azze ue xhel), atëherë Allahu (subhaneh) e ka ndaluar veprimin e tillë.

– I dërguari i Allahut ﷺ shpejtoi në largimin e së keqes sepse vonimi nga kjo mund të shkaktojë pasoja të paparashikueshme. Ka pasur mundësi që të mos shpejtohet pastrimi i vendit ku kishte urinuar beduini derisa të vij koha e namazit, mirëpo ajo që duhet vepruar është që të shpejtohet në këtë veprim ngase më vonë njeriu mund të harroj apo të mos ketë mundësi. Kjo është pikë shumë e rëndësishme, pra që të shpejtohet në largimin e së keqes për shkaqet e lartpërmendura. Shembull nga kjo kemi:

Në rast se petkun me të cilin falet njeriu, apo nuk falet me të, preket nga ndonjë ndyrësirë, më së miri është që petku të pastrohet sa më parë e të mos vonohet ngase ka mundësi që njeriu të harroj, apo në rast se e vonon me kalimin e kohës të mos ketë mundësi ose për shkak të mungesës së ujit apo për arsye të tjera.

Prandaj kur profeti ﷺ morri një foshnje në prehër, ndërsa ai urinoi mbi petkun e tij ﷺ, atëherë i dërguari i Allahut ﷺ kërkoi ujë dhe e pastroi petkun nga urina e foshnjës. Pra edhe në këtë rast nuk e vonoi pastrimin e petkut deri në ardhjen e kohës së namazit për arsyet e lartcekura.

– I dërguari i Allahut ﷺ i tregoi beduinit në fjalë për qëllimin e xhamive, se ato janë ndërtuar për tu falur, për të lexuar Kuran, për të bërë dhikr, e jo për të bërë veprime të pahijshme apo të ndyta!

Pra xhamitë duhet të nderohen, të mbahen pastër, të lahen dhe të mos veprohet në to asgjë përveçse asaj me të cilën është i kënaqur Allahu.

– Kur njeriu e thirr dikë në fenë e Allahut me urtësi, me butësi dhe ëmbëlsi, padyshim se do të arrij sukses edhe më shumë sesa do të shpresonte të arrij me dhunë dhe egërsi. Në këtë shembull shihet qartë se si beduini u bind plotësisht me këshillën profetit ﷺ dhe kjo shihet qartë me shprehjen e tij, kur ai tha:

اللهم ارحمني و محمدا و لا ترحم معنا أحدا

“O Allahu im! Më mëshiro mua dhe Muhamedin dhe askënd tjetër përveç nesh!”

Shihet qartë se profeti ﷺ me këtë njeri përdori butësinë dhe humanizmin ngase shihet qartë se ky ishte injorant. Dhe dihet qartë se njeriu i ditur e di se ndalohet një veprim i tillë brenda xhamisë, se është obligim nderimi i saj dhe se nuk është veprim i mençur të urinohet në vende dhe pozita të tilla; ndër tjerash, problemi qëndron edhe në prezencën e njerëzve.

Shpërndaje: