Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

3.Mbrojtja ndaj vesveseve të shejtanit

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Allahu -te ala- ka bërë që fjalët: 

“të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! El-Bekare, 2:156

Allahu e ka bërë që këto fjalë të jenë strehë dhe mbrojtje për ata që janë goditur nga fatkeqësia dhe për ata që janë sprovuar nga shejtani, që shejtani përmes vesveseve të mos fusë tek njeriu mendime të këqija, dhe që njeriu të shkatërrojë qetësinë dhe të shfaqë anën e egër të tij.

Kur personi i goditur me fatkeqësi e përdorë këtë shprehje me qëllim të begatë e të mirë, atëherë fjala: “Të Allahut jemi…” shpreh Njëshmërinë dhe pohon se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe se vetëm Atij i takon sundimi.

Ndërsa kur ai thotë: “…dhe vetëm tek Ai do të kthehemi” me këtë pranon faktin se Allahu është Ai që na e merr jetën e pastaj na ringjallë.

Përmes kësaj shprehet besimi në jetën pas vdekjes, besimi në atë se Allahut i takon paracaktimi i gjërave dhe se çdo gjë kthehet tek Ai.

Pra është më se e vërtetë se çdo gjë i takon Atij dhe se nuk ka strehim përveç strehimit të Tij.

Transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Ummu Selemeh -radijAllahu anha- e cila ka thënë se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:

“Nuk ka rob që e godet ndonjë fatkeqësi dhe thotë:

“Inna li-lahi ue in-na ilejhi raxhiun. Allahumme axhirnij fi musibeti ue ekhlif li khajran minha!”

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do kthehemi. O Allah, me shpërble për fatkeqësinë time dhe ma zëvendëso me diçka më të mirë sesa ajo!”

Allahu do ta shpërblejë për fatkeqësinë që e ka goditur dhe do t’ia kompensojë me diçka më të mirë.”

Transmeton Muslimi (918), Tirmidhi, Ebu Daudi, Ibn Maxheh, Ahmedi dhe Maliku.

Muslimi gjithashtu transmeton nga Ummu Selemeh se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur të prezantoni te i sëmuri apo te ai që është në prag të vdekjes, atëherë thoni vetëm fjalë të mira sepse engjëjt thonë “amin” për atë që thoni.”

Rijadu Salihin (509).

Ummu Selemeh ka thënë: “Kur vdiq Ebu Selemeh, shkova tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe i thash: “O i dërguar i Allahut, Ebu Selemeh vdiq.”

Ai ﷺ tha: “Thuaj:

“Allahume igfirli ue lehu, ue akbini minhu akbi haseneh”

“O Allah! Më fal mua dhe atë, dhe ma zëvendëso këtë fatkeqësi me diçka më të mirë sesa ajo.”

Unë e thashë këtë lutje dhe Allahu më dha diçka më të mirë se ai, më dha Muhamedin ﷺ.”

Transmeton Muslimi (919), Tirmidhi (977).

Përmes shprehjes: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi”, robi arrin gradë të lartë dhe shpërblim të madh, siç përmendet në hadithin që transmetohet nga Ebu Musa El-Esharij -radijAllahu anhu- i cili rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:

“Kur një robit i vdes fëmija, Allahu u thotë engjëjve: “A e morët fëmijën e robit Tim?”

Engjëjt thonë: “Po.”

Allahu u thotë: “A ia morët frytin e zemrës?”

Engjëjt thonë: “Po.”

Allahu u thotë: “Çfarë tha robi im?”

Engjëjt thonë: “Të lavdëroi dhe tha: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!”

Allahu i Madhëruar u thotë: “Ndërtojini robit Tim një shtëpi në xhenet dhe emërtojeni ‘Shtëpia e falënderimit’.”

Transmeton Tirmidhi (1021) i cili tha se hadithi është i mirë dhe garib, Ahmedi (19740), Ibn Hibani (2948) dhe Bejhaki (7146), hadithi është i mirë sipas Ibn Haxherit në Nete’ixh-ul-Efkar (3/285) dhe sipas Albanit në Sahih Sunen Et-Tirmidhi (1021).

Shpërndaje: