Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

29.Allahu vepron atë që dëshiron, andaj mos u brengos!

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Nëse shohim të gjitha temat në të cilët kemi folur deri tani në lidhje me këtë çështje (mbi fatkeqësitë dhe si duhet trajtuar ato) kuptojmë se argumentet e cekura janë të mjaftueshme për ta kuptuar ashtu siç duhet çështjen në fjalë. Si mund të mos jenë veprimet e cekura të ndaluara kur ato e hidhërojnë Allahun, i Cili vepron atë që dëshiron dhe gjykon ashtu siç Ai dëshiron? Allahu është Ai që vepron me krijesat e tij ashtu siç dëshiron duke u sjellë atyre vdekjen, mbytjen në ujë, djegien në zjarr dhe sprova të tjera të cilat i ka caktuar për njerëzit. Ai nuk duhet të pyetet se çfarë vepron kurse njerëzit do të pyeten për veprat e tyre. Të gjitha veprat e ndaluara në lidhje me trajtimin e fatkeqësive siç janë vajtimi, grisja e rrobave, rrahja e vetes, shkulja e flokëve, veshja me të zeza, mallkimi, mjerimi dhe veprime dhe fjalë të tjera të ngjashme nuk i japin njeriut asnjë zgjidhje dhe janë në kundërshtim me atë që Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ kanë urdhëruar, janë në kundërshtim me durimin, të kënaqurit me atë që Allahu ka caktuar për njeriun dhe këto veprime nuk ndikojnë aspak në caktimin e Allahut dhe asgjë prej këtyre veprave nuk mund ta ndryshoj atë që Allahu ka caktuar.

Kam dëgjuar për disa prej njerëz që i njoh se kur u sprovuan me fatkeqësi, u merakosën shumë dhe u hidhëruan së tepërmi për shkak të ndodhive që u kishin ndodhur. Kjo gjë u solli atyre sëmundje dhe fatkeqësi të tjera. Prandaj kur i sprovuari ndalet dhe mendon, zmbrapset nga të gjitha ato reagime të liga që i ka bërë për shkak të fatkeqësisë, mbështetet tek Allahu ashtu siç duhet, e kupton se lumturia në dynja dhe ahiret arrihet vetëm duke pasuar të dërguarin e Allahut ﷺ dhe i përmbahet mësimeve të tij ﷺ në trajtimin e fatkeqësisë, i lë anash të gjitha veprimet dhe fjalët e ndaluara, -nuk ka asgjë të keqe nëse syri i loton dhe zemra pikëllohet ndërsa nuk thotë asgjë që e hidhëron Allahun-, dhe i bindet porosive të tij ﷺ në fjalë dhe vepra, mu atëherë do ta arrij lumturinë e përhershme.

Allahu -azze ue xhel- thotë:

“Çfarëdo që t’ju japë i dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” El-Hashr, 59:7

Shpërndaje: