Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Lidhur me fjalët e profetit ﷺ:
“Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”
Transmeton Bukhari dhe Muslimi (927).
Dhe hadithi tjetër:
“I vdekuri vuan për shkak të vajtimit që bëhet për të…”
Selefët dhe pasuesit e tyre kanë mendime të ndryshme rreth kuptimit të këtyre haditheve.
1.Njëri grup prej tyre thonë se Allahu bën çfarë Ai dëshiron me krijesat e Tij dhe se veprat e Tij nuk duhet të vihen në pikëpyetje. Ata thonë se nuk ka dallim në mes asaj se i vdekuri mundohet për vajtimin që bëhet për të dhe gjëra të tjera që i atribuohen atij sepse Allahu ka krijuar gjithçka dhe Ai i krijon fëmijët, kafshët dhe i bën të çmendurit të ndien dhimbje edhe pse ata nuk kanë vepruar asgjë.
2.Një grup tjetër thonë se këto hadithe nuk janë autentike nga i dërguari i Allahut ﷺ dhe se Aishah -radijAllahu anha- i hodhi poshtë ato dhe argumentoi me fjalët e Allahut -te ala-:
“Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit.” Safat, 35:18
Përveç kësaj ka hadithe me të cilat Aishah -radijAllahu anha- argumentoi, të cilat ne nuk i kemi përmendur. Një prej tyre janë fjalët e Urues: “I treguan Aishes se Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- ka treguar se profeti ﷺ ka thënë:
“Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”
Ajo tha: “Kjo është gabim.
Ai ka ﷺ thënë:
“Ai ndëshkohet për mëkatin e tij ndërsa familja e tij tani qajnë për të.”
Kjo është e njëjtë sikurse gabimi në transmetimin e fjalëve të profetit ﷺ që ua tha mushrikëve që ishin në varret e tyre:
“Vërtetë ata po dëgjojnë atë që unë po u them tani.”
Transmetuesi në rastin e tillë gaboi. Ajo që profeti ﷺ e kishte thënë, është:
“Tani ata e dinë se ajo që u thosha atyre është e vërtetë.”
Pastaj lexoi fjalët e Allahut:
“Po ashtu, nuk janë kurrë të barabartë të gjallët dhe të vdekurit. Allahu bën të dëgjojë kë të dojë Vetë, kurse ti (Muhamed) nuk mund të bësh të dëgjojnë ata që janë në varre.” Fatir, 35:22
Ai ﷺ tha:
“Ata kanë përgatitur vendet e tyre në zjarr.”
Transmeton Bukhari dhe Muslimi.
Abdullah bin Ubejdullah bin Ebi Mulejkeh ka thënë: “Vajza e Uthmanit vdiq në Mekë. Ne shkuam që të marrim pjesë në varrimin e saj, ndërsa aty ishte Umeri dhe Ibn Abbasi mes të të cilëve u ula. Abdullah bin Umeri i tha Ibn Abbasit: “A nuk do t’i ndalosh ata nga të qarët? I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”
Ibn Abbasi tha: “Umeri e kishte zakon të thoshte një pjesë të këtij hadithi. Një herë prej herësh isha me Umerin në udhëtim duke u kthyer nga Meka. Kur arritëm në El-Bejda, pamë një karvan. Ai tha: “Shiko kush është në atë karavan.” Unë shikova dhe pash Suhejbin. U ktheva dhe i tregova atij. Ai tha: “Thirre atë.” Shkove tek Suhejbi dhe i thashë: “Shpejto tek udhëheqësi i besimtarëve ngase po të thërret.” Kur Umeri u godit me thikë, Suhejbi erdhi duke qarë e duke thënë: “Oh vëllai im! Oh miku im!”
Umeri i tha: “O Suhejb! A po qanë për mua pasi që i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”?
Pas vdekjes së Umerit, këtë ia tregova Aishes.
Ajo tha: “Allahu e mëshiroftë Umerin! Betohem në Allahun se i dërguari i Allahut ﷺ fare nuk ka thënë: “Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”
Por ka thënë: “Me të vërtetë, kafirit i shtohet ndëshkimi për shkak të qarjes së familjes së tij për të.”
Mjafton për ju ajeti kuranor:
“Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit.” Fatir, 35:18
Ibn Abbasi -radijAllahu anhu- lexoi ajetin:
“Se Ai i jep gazin dhe vajin.” En-Nexhm, 53:43
Ibn Ebi Mulejkeh ka thënë: “Betohem në Allahun se Ibn Umeri nuk tha asnjë fjalë në lidhje me këtë ajet.” Transmeton Bukhari dhe Muslimi.
Gjithashtu, Bukhari dhe Muslimi kanë transmetuar se Aishes i është thënë se Umeri dhe Ibn Umeri kishin thënë: “Me të vërtetë i vdekuri ndëshkohet për shkak të qarjes për të.”
Atëherë ajo tha: “Ju po më tregoni për dy njerëz të cilët nuk gënjyen e as nuk janë akuzuar për gënjeshtër por dëgjimi i njeriut mund të gabojë.”
Në një formulim tjetër, ajo tha: “Allahu e faltë Ebu Abdirr-Rrahmanin. Ai asnjëherë nuk ka gënjyer por harroi dhe gaboi. Çështja është se i dërguari i Allahut ﷺ ka kaluar pranë një jehudije të vdekur për të cilën qanin të afërmit e saj.
Ai ﷺ tha:
“Ata po qajnë për të ndërsa ajo po ndëshkohet në varrin e saj.”
3.Një grup i tjetër i selefëve thonë se njeriu ndëshkohet për shkak të vajtimit të familjes së tij nëse i ka urdhëruar që ata ta vajtojnë ose nëse nuk i ndaloi ata që të vajtojnë nëse vajtimi i përket traditës së tyre. Urdhërimi i të tjerëve që të vajtojnë për dikë ishte e zakonshme në mesin e arabëve.
Një poet i vjetër arab ka thënë:
Nëse unë vdes më vajto ashtu siç e meritoj
O bija e Ma’bedit, grisi rrobat tuaja për mua!
4.Një grup tjetër thanë se kjo ka të bëjë me personin që i takon një populli që e kanë zakon të qajnë dhe të vajtojnë, e të cilët ai nuk i ka ndaluar para vdekjes së tij. Kjo në vetvete sugjeron se ai është i kënaqur me veprimit e tyre që ata do t’i bëjnë. Këtë mendim e ka Ibnul-Mubarak. Ky mendim dhe ai para tij pothuajse janë të njëjtë. Ebul-Berakat bin Tejmijeh ka thënë: “Ky është mendimi i saktë në lidhje me këtë çështje. Nëse ai e di se të afërmit do të vajtojnë dhe nuk i ndalon ata para vdekjes, kjo do të thotë se ai është i kënaqur me këtë veprim. Në këtë rast ai është sikurse personi i cili ka mundësin të dënojë të keqen por nuk e bën këtë. Ndërsa nëse ndalesa e tij do të injorohej, Allahu nuk e dënon atë për veprimin e tyre.”