Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

34.Burri duhet të fitojë dashurinë e gruas

Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Prej të drejtave të gruas mbi burrin e saj është që ai të fitojë dashurinë e saj me fjalë dhe me vepra edhe nëse e lavdëron pa masë, i shfaq dashuri më shumë sesa dashuria reale që ka ndaj saj sepse profeti ﷺ e lejoi burrin që ta gënjejë gruan dhe anasjelltas në atë masë që shkakton lumturi në shtëpinë e tyre. I lejohet atij që t’ia përmend atë bukuri që ajo nuk e ka, ia përmend edhe dashurinë ndaj saj edhe pse nuk e ka deri në atë masë. Nëse ajo i kërkon diçka që ai nuk mund t’ia jap, dhe ka frikë se gruaja do të tronditet dhe jeta do t’i bëhet ferr, në këtë rast i lejohet t’i thotë: “Do ta sjell atë gjë in sha’a Allah”, e nëse ajo megjithëkëtë këmbëngul në kërkesën e saj, i thotë: “Nuk e kam gjetur ende”, apo i thotë: “E kam gjetur por ishte me çmim shumë të lartë për momentin”. Ky lloj i gënjeshtrës është i mirë në qoftë se sjellë lumturi mes tyre.

Burri i mirë zbukurohet për gruan e tij ashtu siç i ka hije burrit, duke u parfumuar dhe duke rregulluar dukjen e tij.

Allahu – te ala- ka thënë:

”Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë.” El-Bekare, 2:228

”Gruaja ka të drejta ndaj burrit aq sa ka edhe burri ndaj saj.” 

Komentuesi i Kuranit Ibn Abbasi – radijAllahu anhu- ka thënë:

”Unë zbukurohem për gruan sikurse edhe unë dua që ajo të zbukurohet për mua.”

Një tjetër mënyrë për të fituar dashurinë e gruas është që t’i ndihmosh me punët e shtëpisë. Profeti dhe i dërguari i Allahut të cilit i zbriti shpallja, “bënte punët e shtëpisë dhe kur vinte koha e namazit shkonte të falej. Transmeton Ibn Ebi Shejbeh (5/272), Ibn Ebi Hatim (2/2196), et-Tabari (4/4768) dhe el-Bejhaki (7/295).

Profeti ynë ﷺ i trajtonte gratë e tij mirë, ishte gjithnjë i hareshëm, dëfrehej me to dhe ishte i sjellshëm ndaj tyre. Pasi që kishte mbushur 53 vjeç, garoi në vrapim me Aishen – radijAllahu anha-. Aishah – radijAllahu ana- tregoi se kur ajo ishte vajzë e re ishte në një udhëtim me të dërguarin e Allahut ﷺ i cili i tha shokëve të tij që të ecnin përpara, gjë të cilën ata e vepruan. Pastaj i tha asaj:

”Eja, që të garojë me ty në vrapim.”

Ajo tha: ”Garova me të dhe fitova.”

Shiko në bashkëjetesën e të dërguarit të Allahut .

Aishah – radijAllahu anha- ka thënë: ”Pas kësaj nuk më kërkoi të garojmë derisa shtova peshë dhe kisha harruar garimin e parë, isha përsëri me të në udhëtim.

Ai ﷺ i tha shokëve të tij: ”Ecni përpara, ecni përpara.” Ata ecën përpara. 

Ai ﷺ i tha Aishes: ”Eja, që të garojë me ty në vrapim.”

I thash: ”Si të garojë me ty kur jam në këtë gjendje?”

Ai ﷺ tha: ”Duhet ta bësh këtë patjetër.” Garuam dhe ai fitoi.

Ai ﷺ qeshi dhe tha: ”Kjo ishte për garimin e kaluar.”  

Transmeton Ibn Hibani (10/4691), Nesai (5/8942), Ahmedi (6/39), el-Humejdi (1/128/261) dhe et-Tahaui (5/143), hadithi është autentik sipas imam Albanit në ”es-Sahihah (131)”.

Aishah – radijAllahu anha- e kishte harruar ndodhinë e mëparshme, por këtë nuk e kishte harruar i dërguari i Allahut . Ai u dëfrye me gruan e tij, i shfaqi dashuri dhe garoi me të. Mundësia është e madhe që kjo të ketë ndodhur kah fundi i jetës së tij .

Prej bashkëjetesës të mirë të profetit tonë është se Aishah – radijAllahu anha- një ditë u ankua te i dërguari i Allahut nga dhimbja e kokës dhe tha:

Oh, koka ime!”

Ndërsa i dërguari i Allahut ia ktheu:

“Jo, mjaft, duhet të them: “Oh, koka ime.”

Transmeton Bukhari (5666).

Aishah – radijAllahu anha- ka thënë:

Njëherë ndërsa isha në periudhën time mujore, fillova të pija, pastaj ia dhashë gotën të pinte të dërguarit, ai e vendosi gojën e tij në vendin ku kisha pirë unë dhe filloi të pinte, pastaj nisa të ha një copë mishi, pastaj ia dhashë të dërguarit, ai e vendosi gojën e tij në vendin ku kisha ngrënë unë.” 

Transmeton Muslimi (300) dhe Ebu Daudi.

Aishah -radijAllahu anha- ka thënë:

”I dërguari i Allahut ﷺ e vendoste kokën e tij mbi prehrin tim dhe lexonte Kuran, ndërsa isha në periudhën time mujore.” 

Transmeton Bukhari (297), Muslimi (301) dhe Ebu Daudi (260).

Ai e kishte zakon të flinte me gruan e tij në një shtrat edhe pse ajo e kishte periudhën e saj mujore. Nëse rroba e tij njollosej nga gjaku i saj, ai vetëm e pastronte atë1. I dërguari i Allahut ﷺ e kishte zakon të lahej me gruan e tij nga e njëjta enë2.

Kështu ishte bashkëjetesa e profetit tonë , i cili ishte i dërguari i Allahut, tek ai kemi shembullin më të mirë.

Disa bashkëshortë mund të thonë: ”Jemi moshuar, nuk kemi kohë, tani është shumë vonë dhe prandaj nuk kemi nevojë për këto gjëra.” Ndërsa i dërguari i Allahut ﷺ kishte barrë të cilën një milion njerëz nuk mund ta bartin. Ai ﷺ mbante shqetësimin e umetit, ishte përgjegjës për shpalljen dhe kishte arritur një moshë të vjetër. Megjithëkëtë, ai garoi me gruan e tij dhe e kërkonte rastin e përshtatshëm për ta bërë këtë. O vëllezër, sa gjë e bukur është që burri të dalë me gruan e tij në një vend dhe të lozë me të, të garoj me të dhe ta bëjë atë në humor të mirë!  


1 Aishah – radijAllahu anha- e cila tha:

”Unë dhe i dërguari i Allahut ﷺ flinim në një shtrat ndërsa isha në periudhën time mujore. Nëse rroba e tij njollosej nga gjaku im, e pastronte atë pjesë dhe jo më shumë se kaq, pastaj falej me atë rrobe.

Transmeton Ebu Daudi (269), Nesai (284), Ahmedi (6/45), hadithi është i saktë sipas imam Albanit në ”Sahih Sunen Ebi Daud (269)”.

2 Aishah – radijAllahu anha- ka thënë:

”Unë dhe i dërguari i Allahut ﷺ laheshim nga një enë, të dytë i mbushnim grushtet në të.”

Transmeton Bukhari (273) Muslimi (321).

Shpërndaje: