Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

34.Domethënia e lajmërimit për vdekjen e një personi

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Na’ji do të thotë “lajmërimi i njerëzve për vdekjen e dikujt” sikurse veprojnë njerëzit e kohës tonë kur lajmërojnë për vdekjen e një personi me pozitë, një personi të njohur dhe dërgojnë një thirrës i cili i lajmëron njerëzit.

Dijetari i madh Ibn Kajimi ka thënë në librin e tij El-Hedju: ”Nga sunneti i profetit ﷺ ishte mos lajmërimi në lidhje me vdekjen e ndonjë personi. Gjithashtu ai ﷺ ndalonte nga kjo gjë duke thënë:

”Kjo gjë është nga veprat e kohës së injorancës.”

Hafidh Dijaud-Din -rahimehullah- ka thënë në librin e tij El-Ehkam: “Na’ji është i urryer”.

Dhe përmendi tre hadithe, prej tyre:

Transmetohet nga Abdullah Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- i cili rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:

”Kini kujdes nga na’ji sepse na’ji është nga veprat e kohës së injorancës.”

Ibn Mesudi tha: ”Do të thotë të lajmërosh për vdekjen e dikujt.”

Hadithin e transmeton Tirmidhi dhe ka thënë se hadithi është hasen garib.

Transmetohet se Hudhejfe ka thënë: ”Kur të vdes unë mos lajmëroni askënd për këtë sepse kam frikë se lajmërimi të jetë na’ji. Unë kam dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke ndaluar na’jin (lajmërimin për vdekjen e dikujt).”

Transmeton Ahmedi, Ibn Maxheh (1476) dhe Tirmidhi (96) i cili tha se hadithi është i mirë, hadithi është autentik sipas imam Albanit në Sahihul Xhami (6911), Et-Targib (3531). 

Ismaili Ibn Ibrahim thotë se Ibn Aun i ka treguar se e ka pyetur Ibrahimin:

”A është na’ji i urryer?”

Ai tha: ”Po. Kur dikush vdes, një burrë hip në kafshën e tij dhe bërtet tek njerëzit: ”Filani ka vdekur.”

Ibn Auni ka thënë: ”Dëgjova në Kufe se Shurejhi nuk lajmëronte për xhenazen e askujt. Këtë gjë ia tregova Muhamed Ibn Sirinit i cili më tha: ”Shurejhi është nga Meka. Unë nuk di që të ketë ndonjë të keqe që një burrë të lajmërojë shokun apo xhematin e tij.”

Ibrahimi ka thënë: ”Nuk ka ndonjë problem që nëse vdes një person të lajmërohen shokët e tij. Porse është e urryer që të lajmërohet në vendet publike.”

Ebu Musa -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Nuk ka njeri që vdes dhe të cilit i qëndrojnë sipër tij duke qarë dhe duke thënë: “Sa njeri i madh ishte, o zotëria im, dhe fjalë tjera të mira për të, përveç se i caktohen dy engjëj që ta godasin (duke i thënë): ”Vërtet ishe kështu?”

Transmeton Tirmidhi (1003) i cili ka thënë se hadithi është i mirë dhe garib. Hadithi është i mirë sipas Albanit në Sahih Sunen Et-Tirmidhi (1003).

Këto hadithe vërtetojnë se ndalohet lajmërimi për vdekje dhe se ajo vepër është nga veprat e kohës së injorancës. Hadithet të cilat ne i përmendëm, prej tyre ka që tregojnë se na’ji është “lajmërimi i njerëzve për vdekjen e dikujt” dhe ka prej tyre që tregojnë se na’ji është “përmendja e cilësive të mira të të vdekurit”. Ajo që kuptohet është.se që te dyja janë na’ji. Allahu e di më miri.

Ajo çfarë disa njerëz veprojnë në këtë kohën tonë duke i lajmëruar njerëzit për vdekjen e filan personit kjo është nga bidatet e ndaluara e cila shpie në vonimin e varrimit duke pritur që të mblidhen njerëzit. Njerëzit (në këto raste) e braktisin sunnetin i cili është shpejtimi i xhenazes, sikurse është vërtetuar kjo në Sunenin e Ebu Daudit, në të cilin thuhet se Ebu Talha Ibn El-Ber-ra u sëmurë dhe profeti ﷺ shkoi tek ai për ta vizituar dhe tha:

”Unë po e shoh që Talha është në prag të vdekjes. Më lajmëroni kur të vdes dhe bëni menjëherë përgatitjet për varrim sepse kufoma e muslimanit nuk duhet të qëndrojë gjatë tek familja e tij.”

Hadithi është i dobët sipas imam Albanit Ed-Daife (3232).

Ajo që gjithashtu duhet të thuhet është se nuk ka problem nëse përmendën disa cilësi të personit dhe kjo në formën më të mirë dhe më të shkurtër, ato duhet të jenë të vërteta dhe të mos shkaktojnë vajtim dhe zemërim, në këtë rast nuk është e ndaluar dhe as nuk është në kundërshtim me durimin.

Imam Ahmedi ka thënë: ”Fjalët e pakta dhe të vërteta nuk bien në kundërshtim me durimin e obliguar. Ajo që vërteton këtë është hadithi që transmetohet nga Enesi i cili thotë se Ebu Bekri Es-Sidiku -radijAllahu anhu- hyri tek profeti ﷺ pasi që ai vdiq dhe e puthi në ballë dhe tha: ”Profeti im! Miku im i ngushtë! Miku im i zgjedhur!” Transmeton Ahmedi.

Gjithashtu transmetohet nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se i dërguari i Allahut ﷺ i lajmëroi sahabët në lidhje me vdekjen e Nexhashiut në ditën që ai vdiq. Ai doli me ta në vendin e faljes, i rreshtoi ata dhe ia fali namazin e xhenazes me katër tekbire.

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Ndërsa në një transmetim tjetër profeti ﷺ tha:

”Kërkoni falje për vëllain tuaj!”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Shpërndaje: