Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

35.Përgëzimi i atij që i vdesin tre fëmijë

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Bukhari ka thënë: ”Tema; Mirësia e atij që i vdes një fëmijë dhe shpreson shpërblimin. Dhe fjala e Allahut -te ala-:

”Prandaj, përgëzoi të duruarit.” El-Bekare, 2:155

Enesi -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Çdo muslimani që i vdesin tre fëmijë të cilët nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, Allahu me mëshirën e Tij i fut në xhenet.”

Transmeton Bukhari dhe Nesai, hadithi është i saktë sipas Albanit.

Ahmedi transmeton nga Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Nuk ka çift muslimanë të cilëve iu vdesin dy ose tre fëmijë para se të kenë arritur moshën e pjekurisë, Allahu me mëshirën e Tij i fut në xhenet.”

U thuhet atyre: ”Hyni në xhenet!”

Ata do të thonë: “Jo derisa të vijnë prindërit tanë.”

U thuhet atyre e njëjta gjë tre herë dhe ata do të përgjigjen njësoj.”

Pastaj iu thuhet atyre: ”Hyni në xhenet ju dhe prindërit tuaj!”

Ebu Seid El-Khudrij -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Nuk ka ndonjë grua që i vdesin tre fëmijë e të mos jenë për të perde penguese ndaj zjarrit.”

Një grua tha: “Dhe dy?”

Ai ﷺ tha: “Dhe dy.”

Transmeton Bukhari (1249) dhe (7310) dhe Muslimi (2633).

Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu: ”Një grua erdhi me një fëmijë të vogël dhe tha: ”O i dërguari i Allahut, lutu Allahut për të sepse më kanë vdekur tre fëmijë.”

Ai ﷺ tha: ”Të kanë vdekur tre fëmijë?”

Ajo u përgjigj: ”Po.”

Ai ﷺ tha: ”Me të vërtetë, të është dhënë një mbrojtje shumë e fortë ndaj zjarrit.”

Transmeton Muslimi (2636).

Në këto hadithe ka argumente se fëmijët e muslimanëve janë në xhenet. Disa dijetarë kanë shpallur konsensus mbi këtë çështje.

El-Mauerdij ka thënë: ”Sa i përket fëmijëve të profetëve, ka konsensus se ata janë në xhenet. Ndërsa sa i përket fëmijëve të tjerë të muslimanëve, shumica e dijetarëve mendojnë se ata janë në xhenet. Argument për këtë janë fjalët e Allahut -te ala-:

Ne do t’i bashkojmë besimtarët e vërtetë me ata pasardhës të tyre që i ndjekin në besim dhe nuk do t’u pakësojmë asgjë nga shpërblimi për veprat e tyre.” Et-Tur, 52:21

Disa nga filozofët janë ndalur në këtë çështje dhe kanë thënë se kjo çështje nuk është definitive aspak ashtu sikurse nuk është definitive edhe për ata të cilët janë të përgjegjshëm për veprat e tyre. Ky mendim është i gabuar. Porse filozofët argumentohen me një hadith nga Aishah i cili është i saktë në të cilin thuhet: ”Vdiq një fëmijë nga Ensarët dhe Aishah tha: ”Lum për të, është një zog nga zogjtë e xhenetit, nuk ka bërë asnjë mëkat dhe nuk ka arritur moshën kur njeriu mund të bëjë mëkat.

Profeti ﷺ tha: ”Ose diçka tjetër o Aisheh? Allahu ka krijuar njerëz për në xhenet. Ai i krijoi ata për të kur ata ishin në kurrizin e baballarëve të tyre. Ai ka krijuar edhe njerëz për në zjarr. Ai i krijoi ato për të kur ata ishin në kurrizin e baballarëve të tyre.

Transmeton Muslimi (2662).

Dijetarët i janë përgjigjur këtij (argumentimi me këtë hadith) duke thënë se profeti ﷺ e ndaloi Aishen që të mos nxitohet në nxjerrjen e konkluzioneve të prera pa argumente definitive.

Neueuiu -rahimehullah- në shpjegimin e Muslimit ka thënë: ”Është e mundur dhe mund të mendohet që profeti ﷺ e ka thënë ketë para se ta dinte se fëmijët e muslimanëve do të hyjnë në xhenet. Kur e mësoi këtë, ai tha: ”Çdo muslimani që i vdesin tre fëmijë të cilët nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, Allahu me mëshirën e Tij i fut në xhenet.”

Arsyeja pse profeti ﷺ përmendi tre fëmijë dhe më pas dy, dhe gjithashtu një në një transmetim, kjo mund të jetë për shkak se atij i zbriste shpallje kur pyetej (dhe përgjigjej sipas pyetjes). Allahu e di më së miri.

Shpërndaje: