Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Disa shembuj nga përdorimi i urtësisë në thirrjen e profetit ﷺ

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Deurl-Mer’eti fi Islahil-Muxhteme, fq. 11-12
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shembulli i dytë: Sahabiu i cili bëri marrëdhënie intime me gruan e tij

Bukhari transmeton hadithin e Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) se një njeri erdhi tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: “O i dërguar i Allahut, jam shkatërruar!”

Ai ﷺ i tha: “Çka të ka shkatërruar?” 

Ai tha: “Kam bërë marrëdhënie intime me gruan në Ramazan përderisa unë isha duke agjëruar!”

Padyshim se kjo është një mëkat i madh, pra që njeriu ta bëj me qëllim këtë vepër. Por le të shohim njëherë se si u sill me të profeti ﷺ? A e qortoi atë? A foli diçka kundërt tij? A e poshtëroi?

Jo! Ngase, ky njeri erdhi i penduar! Dhe nuk erdhi kryelartë duke bërë shaka e duke mos u bërë merak për veprimin e tij.

Profeti ﷺ e pyeti atë: “A ka rob që ai ta liroj, si kompensim për veprimin e tij?”

Ai u përgjigj: “Jo.”

Pastaj, e pyeti se a ka mundësi që të agjëroj dy muaj radhazi?

Ai u përgjigj se nuk kishte mundësi një gjë të tillë.

Pastaj e pyeti se a ka mundësi që të ushqej gjashtëdhjetë të varfër?

Ai prapë u përgjigj se nuk kishte mundësi këtë.

Pastaj njeriu u ul, ndërsa profeti ﷺ solli ca hurma dhe i tha atij: “Merri dhe jepi këto si sadaka.”

Do të thotë si kompensim.

Ai tha: “T’ua jap atyre që janë më të varfër se unë o i dërguar i Allahut? Brenda mureve të shtëpisë sime janë familja ime të cilët janë më të varfër se unë.”

Në atë rast, i dërguari i Allahut ﷺ buzëqeshi derisa iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Ushqeje me këtë familjen tënde.”

Nga ky tregim mësojmë disa mësime; ndër to është se profeti ﷺ nuk u soll dhunshëm me të, nuk e akuzoi, nuk e qortoi dhe nuk e poshtëroi sepse ai erdhi i penduar. Ka dallim ndërmjet të qenit kryelartë/refuzues dhe i penduar i cili kërkon të pastrohet nga mëkati i bërë. Prandaj profeti ﷺ u sill me të në këtë mënyrë, duke bërë që ai të kthehet tek familja e tij me ushqim (hurma) të cilin e morri nga i dërguari i Allahut ﷺ. Dhe se këto hurma duhej të jepeshin për gjashtëdhjetë të varfër edhe pse ai personalisht nuk ishte i varfër.

Shpërndaje: