Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

4.Ngushëllimi hyjnorë dhe profetik

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ngushëllimi hyjnor gjendet në fjalët e Allahut -te ala-:

“Prandaj përgëzoji të duruarit të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” El-Bekare, 2:155-157

Në realitet ka ajete të shumta të cilat flasin për çështjen e durimit.

Ngushëllimi profetik qëndron në fjalët e profetit ﷺ: 

“Nuk ka rob që e godet ndonjë fatkeqësi dhe thotë:

“Inna lil-lahi ue in-na ilejhi raxhiun. Allahumme axhirnij fi musibeti ue ekhlif li khajran minha!”

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do kthehemi. O Allah, me shpërble për fatkeqësinë time dhe ma zëvendëso me diçka më të mirë sesa ajo!”

Allahu do ta shpërblejë për fatkeqësinë që e ka goditur dhe do t’ia kompensojë me diçka më të mirë.”

Transmeton Muslimi (918), Tirmidhi, Ebu Daudi, Ibn Maxheh, Ahmedi dhe Maliku.

Thënia: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi” është ilaçi të cilin Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ  ia kanë dhënë atyre që janë goditur me fatkeqësi. Ky ilaç është nga më të mirët dhe më të dobishmit që mund t’i jepet robit në të dy jetët. Ai përbëhet nga dy parime madhështore, nëse robi vërtetë ka dije rreth tyre dhe ngushëllohet me to.

Ato janë:

Parimi i parë është që robi ta kuptojë se me të vërtetë ai, familja e tij, pasuria e tij dhe fëmijët e tij janë pronësi e Allahut -azze ue xhel- e që në realitet i ka huazuar prej Tij. Kur Allahu e merr atë që ia ka huazuar është sikurse puna e huadhënësit i cili përsëri e merr të huazuarën prej personit që ia ka huazuar. Gjithashtu robi është i rrethuar nga dy jo-ekzistenca, njëra para se ai të jetonte dhe njëra pas vdekjes së tij. Prandaj pasuria e robit është vetëm huazim i kufizuar për një kohë të shkurtër. Për më tepër nuk është vetë ai që pasurinë e tij e ka bërë të ekzistojë nga asgjëja në mënyrë që pasuria e tij të jetë në të vërtetë e tij.

Njeriu nuk mund ta ruajë pasurinë që ka (nëse nuk do Allahu), ai nuk ka ndikim dhe posedim real në të. Ai e shfrytëzon atë në të njëjtën mënyrë siç bën edhe skllavi i urdhëruar e i ndaluar nga zotëria i tij, e nuk sillet si pronar absolut me atë pasuri. Prandaj nuk i lejohet njeriut që ta përdorë pasurinë e tij përveçse në atë mënyrë siç e kërkon Pronari i Vërtetë i saj.

Parimi i dytë është që robi të kthehet tek Allahu i Cili është Zoti i tij i Vërtetë, ta kuptojë se këtë jetë duhet ta lë pas shpine dhe se ai do të shkojë i vetëm tek Zoti i tij në ditën e gjykimit ashtu sikurse Allahu e krijoi atë herën e parë, pa familje, pa pasuri dhe pa shoqëri. Në vend të kësaj njeriu shkon me veprat e tij të mira dhe të këqija. Pasi që ky është fillimi dhe fundi i robit atëherë lind pyetja: si mund të ndiejë dikush gëzim për pasardhësit e tij, pasurin e tij apo diçka tjetër nga kjo botë dhe si mund të ndiejë pikëllim për diçka që ka humbur?! Mendimet e robit për fillimin dhe fundin e tij janë një nga trajtimet më të mira. Prej marrjes së ilaçit të dobishëm është edhe bindja e plotë se ajo që e ka goditur atë nuk ka mundur assesi të mos e godasë dhe ajo nga e cila ka shpëtuar nuk ka mundur t’i ndodh në asnjë mënyrë.

Allahu -te ala- thotë:  

“S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në libër (Leuhi Mahfudh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!” (Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë.” El-Hadid, 57:22-23

Çdokush që mediton mbi këtë ajet fisnik gjen ilaçin dhe shërimin e çdo lloj fatkeqësie. Gjithçka që do të përmendim në këtë kapitull është e lidhur me këtë ajet, prandaj medito rreth tij.

Shpërndaje: