Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

39.Përgëzimi për atë që i vdes fëmija dhe duron

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ibn Ebi Ed-Dunja transmeton nga Seuade Ibnul Esued i cili ka thënë se ka dëgjuar Ebu Khalifete El-A’bdij duke thënë: ”Më vdiq djali im i vogël dhe mendova aq shumë sa që më iku gjumi. Pasha Allahun! Një natë isha i shtrirë në krevat dhe nuk gjendej në shtëpi askush tjetër përveç meje. Isha duke menduar për djalin tim kur papritmas dikush pranë derës më thirri e më tha: ”Es-Selamu Alejkum ue Rahmetullah, o Ebu Khalifeh.”

Unë i thashë: ”Ue Alejkum Selam ue Rahmetullah. U frikësova shumë dhe fillova të kërkoj mbrojtje nga Allahu dhe fillova të lexoj ajetet e fundit nga surja Ali Imran deri sa arrita tek ajeti:

”Dhe ajo që ndodhet tek Allahu është më e mirë për besimtarët e devotshëm.” Ali Imran, 3:198

Më tha: ”O Ebu Khalifeh!”

Iu përgjigja: ”Urdhëro!”

Më tha: ”Çfarë dëshiron, a dëshiron të jetosh me djalin tënd një jetë e cila dallon nga ajo e njerëzve të tjerë? Apo je më i mirë tek Allahu sesa Muhamedi ﷺ? Djali i tij Ibrahimi vdiq, dhe ai ﷺ tha:

”Syri loton, zemra pikëllohet, por nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë.“

Transmeton Bukhari (1469) dhe Muslimi (1053).

A dëshiron që biri yt të mos vdes kur të gjitha krijesat duhet të vdesin?

A dëshiron ta zëmërosh Allahun për zotërimin e Tij mbi krijesat? Pasha Allahun! Sikur të mos ishte vdekja, njerëzit nuk do t’i zinte toka dhe sikur të mos ishte ngushëllimi, ata nuk do të kishin përfituar asgjë nga jeta.”

Pastaj tha: ”A ke nevojë për diçka?”

I thashë: ”Kush je ti, Allahu të mëshiroftë?”

Ai tha: ”Një nga komshinjtë tuaj prej xhinëve.”

Transmetohet nga Hasen El-Basri -rahimehullah- se një burrë ishte pikëlluar për djalin e tij që i kishte vdekur, për këtë u ankua tek Haseni i cili e pyeti: ”A mungonte (nuk ishte me ty gjithnjë) djali yt nga ti (kur ishte gjallë)?”

Ai tha: ”Po, ai më shumë mungonte sesa ishte me mua.”

Haseni i tha: ”Atëherë konsideroje atë si jo të pranishëm sepse nuk ka munguar më parë ndaj teje me një mungesë më të mirë dhe më të dobishme sesa kjo.”

Ai tha: ”O Ebu Seid, ma lehtësove pikëllimin që kisha për djalin tim.”

Transmetohet se Selemeh ka thënë: ”Kur djali i Umer Ibn Abdul-Azizit vdiq, babai i tij ia zbuloi fytyrën dhe tha: ”Allahu të mëshiroftë, o biri im! U gëzova me ty ditën kur linde dhe kam jetuar i lumtur me ty. Asnjëherë nuk kam qenë më i lumtur sesa tani. Pasha Allahun, ti do ta thërrasësh babain tënd për në xhenet.”

Shpërndaje: