Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Studime dhe fetva në lidhje me dhënien mes’h çorapeve
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Studimi i pestë ka të bëjë me vlefshmërinë e abdesit kur periudha kohore skadon ose kur të zbathet mbathja të cilës i është dhënë mes’h.
Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë. Ato janë përmendur në librin El-Mexhmu (1/511).
Mendimi i parë thotë se abdesi është i vlefshëm dhe se personi nuk është i detyruar me asgjë. Kështu, ai mund të falet me atë abdes derisa t’i prishet. Ibn-ul-Mundhir ka thënë se këtë mendim e kishte Hasan el-Basri, Katadeh, Sulejman bin Harb dhe se ai vetë e ka zgjedhur atë.
Neueuiu ka thënë: “Ky është mendimi i zgjedhur dhe mendimi më i fortë.”
Edhe Ibn Hazmi e ka këtë mendim në “el-Muhal-la” (2/94). Kur është fjala për çështjen e periudhës kohore, ai tha se këtë mendim e ka Ibrahim en-Nakhai, Hasan el-Basri, Ibn Ebi Lejla dhe Daudi. Pastaj ai tha:
“Ky është mendimi i vetëm i lejuar.”
Ibn Hazmi gjithashtu ka thënë: “Nëse ai i jep mes’h një minutë para se të skadojë periudha kohore, atij i lejohet të falet në atë gjendje përderisa nuk i prishet abdesi.” El-Muhalla (2/95).
Dhe kur bëhet fjalë se abdesi nuk prishet kur zbathet veshja të cilë si është dhënë mes’h, kështu që ai tha:
“Këtë mendim e kanë një grup prej selefëve.”
Këtë mendim e zgjodhi edhe Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh.
Mendimi i dytë thotë se personi është i detyruar që vetëm t’i lajë këmbët. Këtë mendim e ka A’ta, Alkameh dhe el-Esued. E citoi të njëjtin mendimin nga en-Nakhai. Këtë mendim e ka edhe Ebu Hanife dhe pasuesit e tij, eth-Theuri, Ebu Theur, el-Muzani dhe Ahmedi sipas një nga transmetimet e tij.
Mendimi i tretë konsideron se personi është i detyruar të marrë abdes. Kështu thotë Makhuli, en-Nakhai, ez-Zuhri, Ibn Ebi Lejla, el-Euzai, el-Hasan bin Salih, Is’haku dhe Ahmedi sipas transmetimit më të saktë prej tij.
Mendimi i katërt detyron marrjen e abdesit nëse kalon një kohë e gjatë mes kohës kur ai zbathi mbathjen dhe kohës kur ka larë këmbët. Përndryshe, është e mjaftueshme që të lajë vetëm këmbët. Këtë mendim e ka Maliku dhe el-Lejthi.
Me këtë u plotësua ajo që deshëm të shkruajmë. E lus Allahun -te ala- që të sjell dobi me të. Ai është Bujar dhe Fisnik. Shkruar të mërkurën me 16 Rabi eth-Theni në vitin 1407.