Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

45.Çelësi për një jetë të lumtur bashkëshortore

Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Përfundimisht dua t’ua jap një këshillë e cila është gjëja më madhështore: “Bashkëpunimi në ndërtimin e shtëpisë në baza fetare”, kështu çdonjëri prej tyre duhet t’i kushtojnë rëndësi fesë dhe ta ndihmojë njëri-tjetrin në fe. Kjo frymëzon harmonin, paqen dhe qetësin në shtëpi në një mënyrë që është e pashembullt. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk harmoni më të madhe sesa ajo që vjen si shkak i bashkëpunimit mes tyre në bindje ndaj Zotit të krijesave.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Allahu e mëshiroftë burrin i cili zgjohet natën dhe fal namaz, pastaj e zgjon gruan e tij dhe falet edhe ajo, e nëse ajo refuzon, e spërkat me ujë në fytyrë! Allahu e mëshiroftë gruan e cila zgjohet natën dhe fal namaz, pastaj e zgjon burrin e saj dhe falet edhe ai, e nëse ai refuzon, e spërkat me ujë në fytyrë!”

Ebu Daudi (1307), Nesai (1610), Ibn Maxheh (1336), Ibn Khuzejmeh (2/1148), Ibn Hibani (6/2567), Hakimi (1/1164) dhe Ahmedi (2/250), Hakimi thotë se hadithi është i saktë dhe është sipas kushteve të Muslimit, imam Albani e konsideron hadithin të mirë në ”Sahih Ebi Daud (5/1181)”.

Nëse bashkëshortët bashkëpunojnë në praktikimin e fesë dhe zbatojnë përkujtimin e Allahut në shtëpinë e tyre, atëherë shtëpia e tyre do të jetë e gjallë, do të ketë jetë të mirë dhe të qëndrueshme.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe atij që nuk e përmend Atë është sikurse shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”

Transmeton Bukhari (6407).

Nëse ka praktikim të fesë në një shtëpi, atëherë pa tjetër se do të ketë edhe lumturi në të.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Katër gjëra janë prej lumturisë: Gruaja fetare, shtëpia e gjerë, komshiu i mirë dhe mjeti i udhëtimit i mirë. Katër gjëra janë prej mjerimit: Komshiu i keq, gruaja e keqe, shtëpia e ngushtë dhe mjeti i udhëtimit i keq.”

Transmeton Ibn Hibani (9/4033), Hakimi (2/2640), Ahmedi (1/168), et-Tajalisi (1/207) dhe të tjerët, hadithi është i saktë sipas Hakimit, Dhehbiut dhe imam Albanit në ”es-Sahihah (282)”.

Lumturi e njeriut është që shtëpia e tij të jetë e ndërtuar mbi fe. Pra kini frikë Allahun, dhe bashkëpunoni mes jush në praktikimin e fesë, ndërtoni shtëpitë tuaja mbi devotshmëri sepse betohem në Zotin e qabesë se do të keni një jetë më të mirë:

”Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” En-Nahl, 16:97

Allahu -azze ue xhel- garanton jetë të mirë për burrin dhe gruan në qoftë se ata bëjnë vepra të mira duke qenë besimtarë. O robër të Allahut, kini frikë Allahun, kini frikë Allahun! Bashkëpunoni në devotshmëri, jo në mëkate dhe armiqësi.

E lus Allahun e Madhërishëm me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta, që t’i udhëzojë zemrat tona në bindjen ndaj Tij dhe të na udhëzojë në pasimin e Muhammedit ﷺ! O Allah, o Zoti ynë, o i Përjetshmi, O Mbajtës i jetës së krijesave, o Bujar, të lutemi t’i udhëzosh bashkëshortët në çdo të mirë! O Allah, zbrite lumturinë në shtëpitë tona, zbrite lumturinë në shtëpitë tona, zbrite lumturinë në shtëpitë tona! O Allah, bëri të martuarit të sillen mirë me njëri-tjetrin! O Allah, o Zoti ynë, o i Përjetshmi, o Mbajtës i jetës së krijesave, të lutemi që të na udhëzosh që ta duam sunnetin e Muhammedit ﷺ, të na mësosh atë, të na forcosh në të derisa të takojmë Ty, o Zot i krijesave!

Allahu e di më së miri, salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhammedin dhe mbi familjen e tij! 


Libri përfundoi

Shpërndaje: