Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

45.Çdo fëmijë lind në fitrah

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Allahu -te ala- ka thënë:

”Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.” Er-Rum, 30:30

Profeti ﷺ ka thënë:

”Çdo fëmijë lind në natyrë të pastër Islame…”

Transmeton Bukhari (4402).

Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me çfarë do të thotë fjala fitrah.

Mendimi i parë thotë se fitrah është Islami. Këtë e tha Ebu Hurejra, Ibn Shihab dhe të tjerë, dhe është një nga mendimet e imam Ahmedit. Kur Ibn Abdil-Berr e përmendi mospajtimin mes dijetarëve në librin e tij Et-Temhid, ai tha:

”Të tjerë thonë se fitrah këtu do të thotë Islami. Ky mendim është më i njohuri tek shumica e selefëve dhe tek komentuesit e Kuranit.

Lidhur me fjalët e Allahut -te ala-:

Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.” Er-Rum, 30:30

ata bien dakord se kjo do të thotë Islami.”

Megjithatë, nuk është kështu. El-Kurtubi dhe komentues të tjerë të Kuranit kanë përmendur disa interpretime të ajetit.

El-Kurtubi ka thënë: ”Ka disa interpretime të fjalës fitrah. Një prej tyre është Islami. Ky është mendimi i njohur tek shumica e selefëve. Bazuar në këtë fëmija lind i shëndoshë nga mosbesimi sipas besës që Allahu mori nga pasardhësit e Ademit ﷺ kur Ai i nxori ata nga kurrizi i tij (Ademit ﷺ). Prandaj fëmija që vdes para pubertetit hyn në xhenet.pa marrë parasysh nëse fëmija është nga muslimanët apo kufarët.”

Mendimi i dytë thotë se fitra është fillimi me të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit që kur Ai i ka krijuar ata për jetë, vdekje, lumturi dhe fatkeqësi.

Mendimi i tretë thotë se fitrah nuk përfshinë të gjithë njerëzit por vetëm besimtarët sepse në qoftë se Allahu i kishte krijuar të gjithë në Islam, askush nuk do të kishte blasfemuar.

Mendimi i katërt thotë se fitrah është krijimi dhe karakteri në të cilën i porsalinduri e njeh Zotin e tij. Që do të thotë: çdo fëmijë i porsalindur është krijuar në atë formë me të cilën e njeh Zotin e tij kur arrin të dijë. Ata që e kanë këtë mendim argumentohen me fjalët e Allahut -te ala-:

“Përse të mos e adhuroj Atë i Cili më ka krijuar e tek i Cili do të ktheheni të gjithë?! Jasin, 36:22

Çështja është se fëmijët vdesin në teuhidi dhe Islam me të cilën Allahu i ka krijuar ata. Ata i përkasin njerëzve të lumtur të jetës tjetër sepse ata kanë fituar xhenetin pa vepruar ose pa bërë ndonjë të mirë. Kjo është vetëm për shkak të mëshirës dhe mirësisë së Allahut ndaj tyre:

”Ajo është mirësia e Allahut që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund.” El-Hadid, 57:21

Shpërndaje: