Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Një ngushëllim tjetër për ata që janë goditur me fatkeqësi është që ata të shohin fatkeqësitë për të cilat ka folur Kurani dhe sunneti i të dërguarit të Allahut ﷺ. Në to shohim sesi Allahu -te ala- u jep atyre (durimtarëve dhe atyre që pajtohen me këto fatkeqësi) diçka që është shumë herë më e madhe se ajo çfarë kanë humbur. Dhe po të kishte dashur Allahu do ta bënte fatkeqësinë edhe më të madhe.
Një nga faktorët më të dobishëm që i del në ndihmë të goditurit me fatkeqësi është që kur ai ndodhet në zjarrin (kulmin) e fatkeqësisë të freskohet duke i ardhur keq për atë që u ka ndodhur të tjerëve para tij. Dije se në çdo qytet, në çdo fshat, madje në çdo shtëpi ndodhet dikush që është goditur me fatkeqësi. Ka prej njerëzve që fatkeqësia u ka ndodhur një herë në jetë. E dikujt i ndodh disa herë duke e goditur në vazhdimësi saqë nuk mbetet anëtarë i familjes pa u prekur nga fatkeqësia. Ka prej tyre që goditet sikurse paraardhësi i vet; shikon në të majtë e në të djathtë e nuk gjen asgjë tjetër përveçse sprovave e keqardhjes.
Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë: “Përball çdo gëzimi qëndron një vuajtje. Nuk do të mbushet shtëpia me gëzim e hare veçse do të mbushet edhe me pikëllim e dhembje.”
Ibn Sirin -rahimehullah- ka thënë: “Asnjëherë nuk do të qesh njeriu veçse pas saj do të vij vajtimi!”
Prandaj o rob i Allahut, dije se durimi dhe pranimi i realitetit të sjell ty bekimin e Allahut, mëshirën dhe udhëzimin e Tij në rrugën e drejtë ashtu siç thotë Allahu -te ala- në Kuran:
“…të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” El-Bekare, 2:155-157
Sikurse edhe kemi theksuar në temat paraprake, se për durimin dhe shprehjen “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!”, Allahu ka garantuar shpërblim shumë më të madh sesa për vetë sprovën.