Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

53.Ngushëllimet janë të pëlqyera para dhe pas varrimit

Imam Muhamed bin Muhamed El-Hanbeli El-Menbaxhi
Teslijetu Ehlil-Mesaib
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ngushëllim do të thotë të këshillosh personin e goditur me fatkeqësi që të durojë.

Abdullah Bin Ebi Bekr bin Muhamed bin Amr bin Hazm transmetoi nga babai i tij, i cili transmetoi nga gjyshi i tij i cili rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:

“Besimtari i cili i shpreh ngushëllime vëllait të tij në rast sprove, Allahu do ta vesh atë me petkun e nderit në ditën e gjykimit.”1

Transmeton Ibn Maxheh (1601), hadithi është i mirë sipas Albanit në Sahih Sunen Ibn Maxheh (1311).

Qëllimi i ngushëllimit është që t’i jepet kurajë të goditurve me fatkeqësi, të përmbushësh të drejtat e tyre dhe tu afrohesh atyre duke përmbushur të drejtat e tyre para dhe pas varrimit sepse ata janë shumë të zënë me fatkeqësinë e tyre. Është e pëlqyer që t’i ngushëllosh ata që janë goditur me fatkeqësi. Kjo është një çështje për të cilën ka konsensus. Unë nuk di që dikush të ketë mendim tjetër në lidhje me këtë përveç Sufjan Eth-Theurit i cili tha:

“Ngushëllimet nuk janë të pëlqyera pas varrimit sepse ato janë fundi.”

Mendimi i njohur dhe i cili qëndron sipas dijetarëve është se vërtet ngushëllimet janë të pëlqyeshme si para ashtu dhe pas varrimit sipas fjalëve të përgjithshme të profetit ﷺ:

“Besimtari i cili i shpreh ngushëllime vëllait të tij në rast sprove, Allahu do ta vesh atë me petkun e nderit në ditën e gjykimit.”

Kjo dëshmon se pëlqyeshmëria e ngushëllimit është e përgjithshme.

Është e pëlqyer për të ngushëlluar të gjithë ata që janë goditur nga fatkeqësitë qofshin të vjetër apo të rinj në moshë dhe veçanërisht më të mirët prej tyre në mënyrë që ata të merren si model dhe të dobëtit në mënyrë që ata të durojnë. Ndërsa burri nuk duhet t’i ngushëllojë gratë e reja pasi që ekziston rreziku i sprovave. Ndërsa është e lejueshme që t’i ngushëllojë ato gra që janë së bashku me burrat dhe me njerëz të tjerë.

Është konfirmuar nga Aishah -radijAllahu anha- se ajo ndalonte qeshjet në raste fatkeqësie sepse kjo do të thotë se po gëzohesh për fatkeqësinë e muslimanit dhe e lëndon atë. Kur imam Ahmedi shikoi një person duke qeshur gjatë faljes së xhenazes e bojkotoi atë dhe tha:

“Çfarë mësoi ky person nga kjo?”


1 Imam Albani e konsideroi këtë hadith të dobët në Ed-Daife (610) dhe El-Irua (764), pastaj erdhi në përfundim se hadithi është i saktë.

Shih: https://dorar.net/hadith/sharh/150276

Shpërndaje: