Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr
Burimi: Shpjegimi i librit “Sëmundja dhe ilaçi”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ibnul Kajimi (rahimehullah) tha: “Nga pasojat e mëkateve është se ato e dobësojnë zemrën dhe trupin. Sa i përket dobësimit të zemrës, kjo është e qartë, bile vazhdimisht e dobësojnë zemrën saqë ajo vdes plotësisht.”
Sa për dobësimin që ia shkakton trupit, në të vërtetë forca e besimtarit është në zemrën e tij. Sa herë që zemra e tij të bëhet më e fortë, trupi i tij bëhet më i fortë. Kurse sa i përket jobesimtarit, edhe nëse trupi i tij është i fortë, është më i dobëti kur ka nevojë. Pra, forca e tij e braktisë atë kur ai ka nevojë më së shumti.
Dhe meditoni mbi fuqinë fizike të Persianëve dhe Romakëve se si i braktisi ata kur ata kishin nevojë më së shumti dhe besimtarët i mposhtën me forcën e trupave dhe zemrave të tyre.
Shpjegimi
Kjo është gjithashtu nga pasojat e mëkateve: shkakton dobësi në zemrën dhe në trupin e mëkatarit.
Sa i përket dobësisë së zemrës, në çfarëdo mëkati që individi të bjer, ai (mëkati) shkakton sëmundje në zemër, sepse mëkatet janë një sëmundje dhe sëmundja është dobësim. Pra, për shkak të mëkateve, zemra bëhet e sëmurë dhe e dobët.
Sa herë që mëkatet rriten, kjo dobësi në zemrën e tij rritet. Deri sa të arrijë deri në pikën siç thotë autori: saqë ajo vdes plotësisht.
Mëkatet vazhdojnë të dobësojnë jetën e zemrës derisa ajo të vdes.
Dhe ky është kuptimi i asaj që parapriu, që është se mëkatet çojnë në mosbesim. Mëkatet vazhdojnë të dobësojnë zemrën derisa të largohet jeta e saj nga ajo. Ajo që është qëllim i jetës është jeta e besimit e cila është jeta e vërtetë.
Dobësia që godet trupin është sepse trupi ndjek zemrën.
Dhe ajo që na e sqaron këtë janë fjalët e profetit tonë ﷺ:
“Në të vërtetë, në trup është një copë mishi. Nëse është e mirë, pjesa tjetër e trupit do të jetë e mirë. Nëse është e prishur, pjesa tjetër e trupit do të jetë e prishur. Në të vërtetë, (kjo pjesë e mishit) është zemra.”
Zemra, në veprimet e saj është e pasuar nga trupi. Pra, nëse zemra është e fortë, atëherë trupi do ta pasojë. Po kështu, nëse zemra është e dobët, atëherë trupi do ta pasojë.