Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Kur njeriu dëshiron ta kërkojë një vajzë për martesë është e pëlqyer që ai ta shikojë atë (dhe anasjelltas), kjo është e drejtë e tyre gjatë aktit të kurorëzimit, kjo bëhet në mënyrë që akti i kurorëzimit të jetë i bazuar në njohuri dhe dije rreth gruas. Kjo është shkak për një dashuri të qëndrueshme dhe miqësie midis bashkëshortëve nëse Allahu ka caktuar që të martohen. Kur vajza e di që ky njeri dëshiron të martohet me të sepse e ka parë atë dhe prandaj i ka propozuar martesë me dëshirën e tij, atëherë zemra e saj lidhet për të dhe e do më shumë. Për këtë është transmetuar se El-Mughirah bin Shu’beh tregoi se i kishte propozuar martesë një gruas.
Profeti ﷺ i tha: ”Shko dhe shikoje ngase kështu mund të vazhdoni së bashku në dashuri dhe mirëkuptim.”
Tirmidhi (1087), Nesai (3235), Ibn Maxheh (1866), imam Albani e saktësoi hadithi në “es-Sahiha 96”.
I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Në qoftë se ndonjëri nga ju dëshiron të martohet me një grua dhe ka mundësi të shikojë tek ajo çfarë e tërheq për t’u martuar me të, le ta bëjë këtë.“
Transmeton Ebu Daudi (2082) dhe Ahmedi (3/334). Hadithi është i mirë sipas imam Albanit në ”el-Irua (1791) dhe es-Sahihah (99)” .
Ebu Hurejra – radijAllahu anhu- ka thënë:
“Isha te profeti ﷺ kur erdhi një njeri dhe e lajmëroi se dëshironte të martohej me një grua prej Ensarëve.
Profeti ﷺ i tha: “A e ke parë?“
Ai tha: “Jo.”
Ai ﷺ i tha: ”Shko dhe shikoje ngase ka diçka në sytë e Ensarëve!”
Transmeton Muslimi (1424).
D.m.th. sytë e Ensarëve janë të vegjël. Në mënyrë që ta dinte se me kë po martohej prandaj i tha i dërguari i Allahut ﷺ:
”Shko dhe shikoje.”
Xhabir Ibn Abdullah tregon se profeti ﷺ ka thënë: “Në qoftë se ndonjëri nga ju dëshiron të martohet me një grua dhe ka mundësi të shikojë tek ajo çfarë e tërheq për t’u martuar me të, le ta bëjë këtë.”
Xhabiri ka thënë: “Kërkoja një vajzë për martesë. Unë fshihesha dhe e vrojtoja derisa arrita të shohë prej saj atë që më shtyri të martohem me të, dhe u martova me të.” Transmeton Ebu Daudi 2082, Hakimi, Bejhakiu. Hadithi është i saktë e sipas imam Albanit në “es-Sahiha 99” dhe “Iruaul Galil 1791”.