Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Sahihul-Kelimit-Tajjib
Verifikoi dhe korrigjoi: Imam Muhamed Nasirudin el-Albani
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
39 – Ebu Selemeh bin Abdirr-Rrahman më tha se, ka dëgjuar Ebu Katadeh bin Rib’ijin të thotë se ai e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
“Ëndrrat e mira janë prej Allahut, ndërsa ëndrrat e këqija janë prej shejtanit. Nëse ndonjë prej jush ka parë diçka që e urren, kur të zgjohet nga gjumi le të pështyjë tre herë në të majtën dhe ta lusë Allahun që ta mbrojë nga e keqja e saj. Kjo nuk do ta dëmtojë atë; nëse do Allahu.”
Ebu Selemeh ka thënë: “E kisha zakon të shihja ëndrra që për mua ishin më të rënda sesa malet. Pasi dëgjova këtë hadith, unë nuk shqetësohesha më për to.”
Kurse në një transmetim tjetër, thuhet: “E kisha zakon të shohë ëndrra të cilat më shqetësonin shumë, derisa kam dëgjuar Ebu Kataden të thotë: “E kisha zakon të shohë ëndrrat të cilat më bënin edhe të sëmuresha, derisa dëgjova të dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:
“Ëndrra e mirë është prej Allahut. Nëse ndonjë prej jush ka parë në ëndërr diçka që ai e pëlqen, le të mos i tregojë askujt tjetër përveç atij që ai e do. E nëse ai ka parë në ëndërr diçka që e urren, le të mos ia tregojë askujt; mirëpo le të pështyjë tre herë në anën e majtë dhe le të kërkojë nga Allahu që ta mbrojë atë nga shejtani i mallkuar dhe nga e keqja që ai ka parë në ëndërr. Kështu pra, kjo nuk do ta dëmtojë atë”.”
Transmeton Bukhari dhe Muslimi.
40 – Xhabiri (radijAllahu anhu) tregoi se dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Nëse ndonjë prej jush ka parë ndonjë ëndërr të keqe, le të pështyjë tre herë në anën e majtë, le të lusë Allahun për mbrojtje nga shejtani tre herë dhe të rrotullohet në krahun tjetër nga i cili ka qenë (duke fjetur).”
Transmeton Muslimi.