Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

106.Dobia e parë lidhur me salavatet mbi profetin

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 145-146

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Dobi të rëndësishme lidhur me salavatet mbi profetin e këtij umeti.

Dobia e parë: Ajo që vërehet është se shumica e formulimeve të salavateve mbi profetin  nuk e përmendin Ibrahimin në formë të pavarur nga familja e tij, por thuhet:

”… sikurse e ke lavdëruar familjen e Ibrahimit.”

Dhe shkak i kësaj është se sipas gjuhës arabe, familja e përfshinë burrin dhe të tjerët që janë anëtarë në të.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Allahu e zgjodhi (profet) Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt tjerë (të asaj kohe).”1 

”Para se të agonte Ne e shpëtuam familjen e Lutit dhe ata që e pasuan atë.”2

Pos kësaj profeti tha:

”O Allah, lavdëroje familjen e Ebu Aufes.”

E njëjta gjë vlen me frazën:

”banorët e shtëpisë (familja)”

Allahu -te ala- ka thënë:

”Bekimi dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ju o familja e shtëpisë (së Ibrahimit)! Atij i takon tërë hamdi dhe lavdërimi.”3

Kjo e përfshin Ibrahimin .

Shejkh-ul-Islam ka thënë:

”Shumica e formulimeve përbëhen nga:

”… sikurse i ke lavdëruar pasardhësit e Ibrahimit”

dhe

”… sikurse i ke bekuar pasardhësit e Ibrahimit”

Në disa formulime përmendet vetëm:

“Ibrahimin”

sepse ai është pika e lavdërimit dhe pastrimit ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë së tij janë pranues sekondarë të saj dhe në pasim të tij. Që të tregohen këto dy pika, të dyja shprehjet janë vendosur ndaras.”

Pasi ta kesh ditur këtë, duhet ta dish se çështja është e njohur në mesin e dijetarëve, rreth aspektit të krahasimit në frazën:

”sikurse e ke lavdëruar familjen e Ibrahimit”

duke e ditur se të dy krahasimet nuk janë të njëjta, bile në realitet Muhamedi është më i mirë së Ibrahimi, dhe meqë është më i mirë atëherë edhe salavatet për të duhet të jenë më të mirat!

Dijetarët kanë dhënë shumë përgjigje për këtë, të cilat ti mund t’i gjesh në ”Fet’h-ul-Bari,” dhe ”Xhela-ul-Efhem”. Ato janë më shumë se dhjetë, dhe disa janë më të dobëta se të tjerat. I vetmi mendim që është i fortë është ai të cilin e ka zgjedhur Shejkh-ul-Islami dhe Ibn-ul-Kajimi:

”Tek pasardhësit e Ibrahimit ka profetë të cilët nuk gjendet tek familja e Muhamedit. Nëse ti i lutesh Allahu që të lavdërojë profetin dhe familjen e tij në të njëjtën mënyrë sikurse Ai ka lavdëruar Ibrahimin dhe familjen e tij e përbërë nga profetët, kështu që familja e Muhamedit marrin pjesë nga ajo që u takon atyre sepse ata nuk arrijnë gradën e profetëve. Shtesa që i është bërë profetëve duke përfshirë Ibrahimin edhe Muhamedi merr pjesë në të. Kështu që atij i jepet një gradë që nuk i i jepet askujt tjetër.”

Ibn-ul-Kajimi ka thënë:

”Ky shpjegim është më i mirë se të  gjithë të tjerët. Më mirë se kjo është të thuhet se Muhamedi  është nga pasardhësit e Ibrahimit; ai madje është edhe më i miri prej pasardhësve të Ibrahimit. Ali bin Talhah transmetoi se Ibn Abbasi -radijAllahu anhu- ka thënë në lidhje me fjalët e Allahut -te ala-:

”Allahu e zgjodhi (profet) Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit, familjen e Imranit mbi popujt e tjerë (të asaj kohe).”

”Muhamedi i takon familjes së Ibrahimit.”

Kjo është e qartë sepse profetët e tjerë nga familja e Ibrahimit konsiderohen prej familjes së tij, atëherë i dërguari i Allahut ka më shumë të drejtën t’i përket asaj. Kështu që shprehja përfshinë:

”…sikurse i ke lavdëruar pasardhësit e Ibrahimit.”

Lavdërim për të dhe për pjesën tjetër të profetëve nga pasardhësit e Ibrahimit.

Përveç kësaj Allahu -te ala- na ka urdhëruar që të dërgojmë salavate mbi të dhe mbi familjen e tij në mënyrë specifike në të njëjtën masë sikurse ne e lavdërojmë atë në përgjithësi kur ne lavdërojmë familjen e Ibrahimit, ai është pjesë e saj. Në këtë mënyrë, familja e tij merr atë që u takon atyre, ndërsa ai merr pjesën tjetër.”

Ai gjithashtu ka thënë:

”Nuk ka dyshim se salavatet mbi familjen e Ibrahimit duke përfshirë të dërguarin e Allahut janë  më të plota se salavati vetëm mbi të. Salavati që bëhet për të është padyshim më i mirë se ai i cili bëhet për Ibrahimin. Prandaj del në pah shëmbëllimi i cili duhet të kuptohet plotësisht në këtë rast dhe se salavati mbi të me këtë formulim është më madhështorë se sa me formulimet e tjera sepse nëse qëllimi i lutjes është një shëmbëlltyrë e një personi që i ngjan një tjetri (nga e cila ai ka edhe pjesën më të madhe), kështu që ai merr nga shëmbëllimi i kërkuar më shumë se sa i është dhënë Ibrahimit dhe të gjithë të tjerëve, plus një pjesë tjetër që nuk i është dhënë askujt tjetër.

Kjo dëshmon se pozita dhe fisnikëria e tij e tejkalon atë të Ibrahimit dhe të gjithë profetëve të tjerëve nga familjen e tij. Ky salavat vërteton këtë gradim të tij të kërkuar. Allahu e lavdëroftë dhe dërgoftë shumë salavate mbi të dhe mbi familjen e tij. Ai e shpërbleftë atë për ne, më shumë se Ai e shpërblen çdo profet tjetër për umetin e tij. O Allah! Lavdëroje Muhamedin dhe familjen e tij siç e ke lavdëruar familjen e Ibrahimit. Dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e tij siç e ke bekuar familjen e Ibrahimit. Ty të takon i tërë hamdi dhe lavdërimi.”4


1 3:33.

2 54:34.

3 11:73.

4 Xhela-ul-Efhem, fq. 334-335.

Shpërndaje: