Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

108.Mos u mundo që ta kuptosh Kuranin pa ndihmën e sunnetit

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 148-149

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Prej çudirave të sotme dhe prej kaosit shkencorë është që disa njerëz, përkatësisht Muhamed Is’af en-Nesheshibi në librin “El-Islam Es-Sahih”, guxon të mohojë salavatet mbi familjen e profetit gjatë salavateve mbi të . Kjo përkundër faktit që ky veprim është transmetuar ndër të tjera tek Bukhari dhe Muslimi, dhe përmes disa sahabive, duke përfshirë Ka’b bin Uxhreh, Ebu Humejd Es-Se’idin, Ebu Said El-Kudrin, Ebu Mesud El-Ensariun, Ebu Hurejrën dhe Talhah bin Ubejdil-Lahin. Kur ata e pyetën profetin se si të dërgojnë salavate mbi të, ai ua mësonte atyre këto fjalë. Argumenti i tij janë fjalët e Allahut -te ala-:  

”O ju që keni besuar! dërgoni salat (luteni Allahun të bekojë) dhe përshëndeteni atë me nderim me përshëndetjen Islame (Es-Selamu Alejkum).”1

Do me thënë se Allahu nuk e përmendi askënd me profetin . Pastaj ai mohoi ashpër se ndonjë sahabi do të kishte shtruar këtë pyetje sepse salavatet kishin kuptimin e njohur tek ta, domethënë ato janë lutje; prandaj si kishin mundësi ata që të pyesin një gjë të tillë?

Ky është një devijim i qartë. Ata nuk pyetën për domethënien e salavateve por për mënyrën se si bëhen. Prandaj nuk ka asgjë për t’u çuditur këtu sepse ata e pyetën atë lidhur me mënyrën e tij që mund të njihet vetëm nëpërmjet sheriatit të të Urtit dhe të Diturit. Është sikur ata do ta pyesnin atë lidhur me mënyrën e namazit në lidhje me fjalët e Allahut -te ala-:

”Dhe faleni namazin…”2

Vetëm për shkak se ata e dinin domethënien e fjalës namaz në aspektin gjuhësorë nuk do të thotë se ata nuk kishin nevojë që të pyesnin lidhur me kushtet dhe mënyrën e faljes së namazit. Kjo është qartë.

Në lidhje me argumentin e tij, aty nuk ka argument fare sepse është e njohur gjerësisht në mesin e muslimanëve se profeti ka shpjeguar fjalët e Allahut.

Allahu -te ala- ka thënë:

”Ty ta zbritëm Kuranin që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre.”3

Profeti e bëri të qartë se si duhet dërguar salavate mbi të dhe përmendi familjen e tij. Prandaj është e detyrueshme për ta pranuar këtë sepse Allahu -te ala- ka thënë:

“Çfarëdo që t’ju japë i dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.”4

Pos kësaj profeti tha në hadithin autentik dhe të njohur:

”Më është dhënë Kurani dhe së bashku me të diçka e njëjtë si ai (sunneti).”

Kjo përmendët në ”El-Mishkah”5.

Pyes veten se En-Nesheshibi dhe të gjithë ata që ranë në fjalën e tij magjepse, çfarë thonë për atë që e mohon teshehudin në namaz dhe për mos faljen e namazit dhe mos agjërimin e gruas me menstruacione sepse Allahu -te ala- nuk e përmend teshehudin në Kuran. E vetmja gjë që përmendet është qëndrimi në këmbë, rukuja dhe sexhdja. Allahu -te ala- as nuk e përmend në Kuran se gruaja me menstruacione nuk ka nevojë të falet apo të agjërojë. Pra ajo duhet edhe të falet dhe të agjërojë. A pajtohen me personin që e mohon këtë apo e qortojnë atë? Nëse ata e pranojnë atë – të cilën unë shpresoj se e bëjnë – atëherë ata kanë shkuar larg në devijim dhe e kanë braktisur xhematin musliman. Dhe në qoftë se ata nuk e pranojnë atë, atëherë kanë të drejtë. Sikurse ata e qortojnë personin që mohon se e dënojmë En-Nesheshibin.

O musliman! Unë ta tërheq vërejtjen që të mos përpiqesh që ta kuptosh Kuranin pa ndihmën e sunnetit. Ti nuk do të mund ta bësh këtë edhe nëse ti je Sibeuejhi në kohën që jeton. Ti e ke një shembull para vete. En-Nesheshibi i përket gjuhëtarëve më të ditur sot. Ti e sheh se si ai devijon, duke u mashtruar pas aftësive të tij gjuhësore dhe nuk merr ndihmën e sunnetit për të kuptuar Kuranin. Në fakt, ai madje e mohon sunnetin. Unë kam shumë shembuj për këtë që po flas por nuk ka vend për të përmendur ato. Ajo që kam përmendur është e mjaftueshme, dhe Allahu është Ai që sjell suksesin.


1 33:56.

2 2:43.

3 16:44.

4 59:7.

5 163 dhe 4247.

Shpërndaje: