Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 149-152
Përktheu: Valdet Gashi
Dobia e tretë: Lexuesi e sheh gjithashtu se fjala “sejid” (سيد) mungon në lutjet e salavateve. Kështu, dijetarët e mëvonshëm kanë mospajtime në lidhje me ligjësimin e kësaj shprehjeje. Nuk ka kohë për t’u thelluar në këtë temë dhe për të përmendur ata që nuk e konsiderojnë atë të jetë e ligjësuar. Ne pasojmë mësimet e plota të profetit ﷺ që ia mësoi umetit të tij. Kur ai u pyet se si duhet dërguar salavate mbi të ﷺ, ai i urdhëroi:
اللهم صل على محمد
”O Allah! Lavdëroje Muhamedin…”
Megjithatë, unë dua që lexuesit fisnik t’ia përcjell mendimin e Hafidh Ibn Haxher El-Askalanit në këtë çështje. Kjo është për shkak se ai ishte një nga dijetarët e medhhebit Shafei, i cili zotëronte si lëmin e hadithit ashtu edhe atë të fikhut. Është përhapur në mesin e Shafeive të më vonshëm të vepruarit në kundërshtim me këtë mësim fisnik dhe profetik.
Hafidh Muhammed bin Muhammed bin Muhamed El-Gharabili (nxënës i Ibn Haxherit), ka thënë:
“Ai (Hafidh Ibn Haxheri) është pyetur për mënyrën se si duhet dërguar salavate mbi profetin ﷺ në namaz dhe jashtë namazit pa marrë parasysh nëse salavatet janë të detyrueshme apo të preferuara. A është kusht që të përdoret fjala “sejid” sikurse:
“O Allah! Lavdëroje zotëriun tonë Muhamedin”
apo duhet kufizuar vetëm në shprehjen:
”O Allah! Lavdëroje Muhamedin”?
Cila është më e mirë? A duhet të përmendet fjala “sejid” pasi që është e pranuar se profeti ﷺ është zotëri apo duhet braktisur këtë thënie sepse nuk ka asnjë argument të transmetuar për këtë? Ai -radijAllahu anhu- u përgjigj:
“Po, është më madhështore që t’i përmbahemi shprehjeve të transmetuara. Nuk duhet të themi se profeti ﷺ e la pas dore të përmendurit këtë shprehje nga përulësia sikurse ai nuk e kishte zakon të kërkonte që t’i dërgonte salavate dhe selame kur ai përmendte veten. Umeti i tij janë të urdhëruar për të dërguar salavate çdo herë kur ai ﷺ përmendet. Po të kishte qenë kjo madhështore (përmendja e fjalës sejid), kjo do të ishte transmetuar nga sahabët dhe pasardhësit.
Pavarësisht nga transmetimet e shumta, unë nuk kam gjetur ndonjë transmetim ku ndonjë sahabi apo pasardhës të ketë thënë kështu. Imam Shafei ka thënë në hyrje të librit të tij, e cila përbën një shtyllë në medhhebin e tij:
“O Allah! Lavdëroje Muhamedin çdo herë kur ai përmendet nga ata që e kujtojnë, dhe lihet pas dore nga neglizhentët.”
Me siguri ai erdhi në këtë përfundim nga hadithi autentik:
سبحان الله عدد خلقه
“I pa të meta është Allahu aq herë sa numri i krijesave të Tij.”
Është konfirmuar se ai ﷺ i tha nënës së besimtarëve, pasi kishte parë se sa shumë dhe sa gjatë ajo e bënte hamd Allahun:
“Unë përsërita katër shprehje tri herë pas teje. Po të ishin peshuar ato me atë që ke thënë ti sot do të peshonin më shumë se kaq:
سبحان الله عدد خلقه سبحان الله رضا نفسه سبحان الله زنة عرشه سبحان الله مداد كلماته
“I pa të meta është Allahu aq herë sa numri i krijesave të Tij. I pa të meta është Allahu aq sa kënaqësia e Tij. I pa të meta është Allahu aq sa pesha e fronit të Tij. I pa të meta është Allahu aq sa numri i fjalëve të Tij.”
Profeti ﷺ i donte lutjet të cilat ishin të shkurtra por të rëndësishme.
El-Kadi Ijad ka një kapitull të tërë në librin “Esh-Shifa” për mënyrën se si duhet dërguar salavate mbi profetin ﷺ. Aty përmend disa transmetime nga sahabët dhe pasardhësit, dhe asnjë sahabi apo dikush tjetër nuk e ka përdorur fjalën “sejid”. Një prej tyre është Aliu -radijAllahu anhu-, i cili i mësoi njerëzit se si të dërgojnë salavate mbi profetin ﷺ sikurse në vijim:
“O Allah! Ti që ke përhapur sipërfaqen e tokës dhe ke ngritur kupën qiellor. Dërgo salavatet më të mira, bekimet më të frytshme dhe të gjitha nderimet e tjera mbi Muhamedin, robin dhe të dërguarin Tënd, i cili e hapi të mbyllurën.”
Aliu ka thënë gjithashtu:
“O Allah, Krijuesi dhe Mëshiruesi, engjëjt e afërt, profetët dhe të sinqertët dhe dëshmorët dhe të drejtët, dhe çdo gjë tjetër që të deklarojnë të jesh i pa të meta, Ti Zoti i krijesave, lavdëroje dhe dërgo selame mbi profetin e fundit dhe liderin e të devotshmëve Muhamed bin Abdil-Lahin.”
Abdullah bin Mesudi e kishte zakon të thoshte:
“O Allah! Lavdëroje dhe dërgo selame mbi robin Tënd dhe të dërguarin Tënd Muhamedin – liderin e mirësisë dhe të dërguarin e mëshirës.”
Hasan El-Basriu e kishte zakon të thoshte:
“Ai që dëshiron të pijë nga kupa që e shuan etjen nga pellgu i të zgjedhurit ﷺ duhet të thotë: “O Allah! Lavdëro familjen e tij, shokët e tij, gratë e tij, fëmijët e tij, pasardhësit e tij, shtëpinë e tij, baxhanakët e tij, ndihmësit e tij, mbështetësit e tij dhe të dashurit e tij.”
Këto janë disa nga salavatet e sahabëve të tjerë siç janë transmetuar në “Esh-Shifa”. Edhe pse është e vërtetë se Ibn Mesudi -radijAllahu anhu- ka thënë kur ai dërgonte salavate mbi profetin ﷺ:
“O Allah! Dërgoja lavdërimet Tua më të mira, mëshirën dhe bekimet zotëriut (sejidit) të të dërguarve…”
Është transmetuar nga Ibn Maxheh. Në zinxhirin e transmetimit ka dobësi. Tregimi i mëparshëm i Aliut transmetohet nga Tabarani dhe zinxhiri i tij i transmetimit është në rregull. Në të ka fjalë të huaja që i kam transmetuar të shpjeguara në librin e Ebul-Hasan ibn El-Farisit “Fadl-un-Nebi ﷺ.”
Shafiu thotë se nëse një person betohet në Allahun se ai do të dërgojë salavate mbi profetin ﷺ në mënyrën më të mirë, kështu që mjafton të thotë:
“O Allah! Lavdëroje Muhamedin çdo herë kur ai përmendet nga ata që kujtojnë dhe lënë pas dore neglizhentët.”
Imam Neueui ka thënë:
“E sakta që duhet të thuhet është:
اللهم صل على محمد و على آل محمد كما صليت على إبراهيم …
“O Allah! Lavdëroje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit sikurse e ke lavdëruar Ibrahimin … “
Disa dijetarë të më vonshëm e kritikuan atë për këtë sepse asnjëri prej dy shprehjeve të përmendura nuk tregon ndonjë përsosmëri në aspektin e formulimit. Në lidhje me kuptimin dhe përsosmërinë e dukshme në pjesën e parë. Çështja është e njohur në librat e fikhut. Pika e gjithë kësaj është se asnjë dijetar i cili e ka trajtuar këtë çështje nuk kanë përmendur fjalën “sejidina – zotëria ynë” (سيدنا). Po të kishte qenë e rekomanduar nuk do të kishte mbetur e fshehur nga të gjithë. E gjithë mirësia është në pasimin dhe Allahu e di më mirë.”
Mendimi i Hafidh Ibn Haxherit -rahimehullah- është se nuk është e ligjësuar për të përmendur se ai është ”sejid” ﷺ në lidhje me dërgimin e salavateve mbi të, që është edhe mendimi medhhebit Hanefi. Ky duhet të pasohet për shkak se ky është argumenti i vërtetë për dashurinë ndaj tij ﷺ:
”Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që Allahu t’ju dojë dhe t’ju falë mëkatet!” 1
Prandaj, imam Neueui tha në “Raudat-ut-Talibin”:
“Salavati më i plotë për profetin ﷺ është:
اللهم صل على محمد و على آل محمد كما صليت على إبراهيم [و آل إبراهيم]، إنك حميد مجيد. و بارك على محمد و على آل محمد كما باركت على [إبراهيم و]آل إبراهيم، إنك حميد مجيد
“O Allah! Lavdëroje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit sikurse e ke lavdëruar Ibrahimin. Ty të përket i tërë hamdi dhe lavdërimi. Dërgo bekime mbi Muhamedin dhe mbi familjen e Muhamedit sikurse e ke bekuar Ibrahimin. Ty të përket i tërë hamdi dhe lavdërimi.” 2
Ky është salavati i tretë dhe ai nuk përmendi shprehjen ”sejid” aty.
1 3:31.
2 Raudat-ut-Talibin (1/265).