Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Studime dhe fetva në lidhje me dhënien mes’h çorapeve
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetja nr 9: Disa dijetarë vënë kusht që çorapet dhe mestet të mbulojnë këmbën aq sa është e detyrueshme për ta larë, për të qenë e lejuar dhënia mes’h atyre. A është e vërtetë kjo?
Përgjigje: Ky kusht nuk është i saktë sepse nuk ka argument. Për deri sa ajo që mbathet quhet “meste” ose “çorape” kështu që është e lejuar për t’u dhënë mes’h atyre. Sunneti lejon dhënien mes’h mesteve në mënyrë të pakufizuar. Atë që sheriati përmend në mënyrë të pakufizuar nuk lejohet që të kufizohet pa argument nga Kurani, sunneti, konsensusi apo analogjia e saktë. Përgjatë kësaj është e lejuar dhënia mes’h mesteve dhe mesteve të holla.
Shumë sahabi ishin të varfër. Zakonisht çorapet e të varfërve janë të zgavërta. Nëse rasti ishte i tillë në parim apo shpesh në kohën e të dërguarit ﷺ dhe ai ﷺ nuk e theksoi këtë, kjo do të thotë se ky nuk është ndonjë kusht. Qëllimi i mesteve nuk është që ato të mbulojë lëkurën; qëllimi është që ato të ngrohin këmbët dhe të sjellin dobi. Arsyeja pse është e lejuar për t’u dhënë mes’h mesteve është bezdisja nga zbathja e tyre. Në këtë rast nuk ka rëndësi nëse çorapet janë të holla apo të trasha, të zgavërta apo të plota. Çështja është se për deri sa ato quhen “meste” është e lejuar që t’u jepet mes’h atyre.