Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

9.Mëkatet privojnë nga adhurimi ndaj Allahut

Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr 
Burimi: Shpjegimi i librit “Sëmundja dhe ilaçi”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ibnul Kajimi (rahimehullah) ka thënë:

“Nga pasojat e mëkateve është se ato privojnë nga adhurimi ndaj Allahut. Pra nëse nuk do të kishte ndëshkim tjetër për mëkatin përveç asaj se ai pengon nga adhurimi dhe pengon rrugën tjetër, dhe për shkak të mëkatit të tij do të pengohet nga një rrugë e tretë, pastaj nga e katërta dhe kështu me radhë. Pra për shkak të një mëkati rruga drejt shumë adhurimeve ndërprehet. Ku çdo adhurim nga këto shtigje është më i mirë për të se bota dhe gjithçka në të. Kjo i ngjan një njeriu që hëngri ushqim që i shkaktoi një sëmundje afatgjatë dhe e pengonte atë që të hajë shumë lloje të ndryshme të ushqimeve që janë më të shijshme. Kërkohet ndihmë prej Allahut!”

Shpjegimi

Kjo është gjithashtu nga pasojat që rezultojnë nga mëkatet. Nga pasojat e këqija të mëkateve është se ato e privojnë mëkatarin nga veprimet e adhurimeve. Jo vetëm që e privojnë atë nga një adhurim i vetëm, por e privojnë atë adhurim pas adhurimi në përputhje me atë se sa ai vazhdon në mëkate. Në të vërtetë kur mëkatet marrin nga koha e një individi ata e largojnë atë nga bindja për të cilën ne u krijuam dhe për të cilën ekzistojmë. Dhe disa prej njerëzve jo vetëm që mëkatet i largojnë ata nga veprat vullnetare dhe veprat e pëlqyera, por i largojnë ata edhe nga veprat obligative.

Për shkak të kësaj do të vëreni se ka disa njerëz që i braktisin farzet ndaj Allahut (xhele ue ala) për shkak të mëkateve që i preokupojnë ata dhe kjo është një fatkeqësi jashtëzakonisht e madhe! Kjo fatkeqësi e madhe që konsiderohet nga pasojat e këqija të mëkateve e privon individin nga bindja ndaj Allahut (subhanehu ue te ala). Prandaj mëkatari vazhdon të përfshihet në mëkatet që e mashtrojnë zemrën e tij. Më pas kalojnë çaste të rëndësishme ku duhen kryer adhurime dhe i ikin adhurime që janë obligative. Ai i braktis ato për shkak të këtyre mëkateve. Prandaj nga pasojat e këqija të mëkateve është se e privojnë atë nga adhurimi, bile nga shumë adhurime.

Meditoni mbi shembullin mahnitës që Ibnul Kajimi (rahimehullah) parashtron për të sqaruar çështjen:

Kjo i ngjan një njeriu që hëngri ushqim që i shkakton një sëmundje afatgjatë dhe e pengonte atë që të hajë shumë lloje të ndryshme të ushqimeve që janë më të shijshme.”

Ky shembull na e sqaron gjendjen e mëkatarit që bie në mëkatet që e mashtrojnë atë. Pastaj e privojnë nga shumë adhurime që janë më të mira për të se sa dunjaja dhe gjithçka që ka në të, ato janë më të mira për të se sa dunjaja dhe gjithçka që ka në të. Pra le të reflektojë individi mbi këtë çështje për të cilën Ibnul Kajimi tërheq vëmendjen. Në të vërtetë, ai do ta shoh këtë të ndodh me shumë njerëz. Shumë nga njerëzit janë të privuar nga shumë adhurime për shkak të mëkateve që i mashtrojnë dhe i preopukojnë ata.

Shpërndaje: